Futboll Seria A Sport

Notat e merkatos/ Mbreti i Serisë A mbetet…, INTERI është surpriza e bukur

Në të shkuarën merkatoja e futbollit në kampionatet më të rëndësishme të Europës është mbyllur gjithmonë në ditën e fundit të gushtit, por këtë verë ka nisur një modë e re, me Premier Ligën që e mbylli merkaton në ditën e fundit para startit të kampionatit dhe me Italinë që e ka imituar, sepse dje në mbrëmje u kryen transferimet e fundit në Serinë A, të paktën për sa u përket afrimeve. Gazzetta dello Sport ka vendosur notat e një merkatoje verore plot lëvizje të bujshme, me Serinë A që ka shpenzuar 1 miliard e 50 milionë euro, duke njohur një rritje të jashtëzakonshme në krahasim me të shkuarën dhe duke mbetur pas vetëm në krahasim me Premier Ligën, që ka të ardhura të jashtëzakonshme.

Juventus 9.5: Gjithçka vërtitet rreth Cristiano Ronaldo-s: ylli portugez i ka dhënë një dimension të ri Juventusit, diçka e e pamendueshme deri para një viti. Zbarkimi në Itali i kampionit të Realit është sinjali më i qartë që Juventusi e ka seriozisht dhe ka bërë një sforcim ekonomik që e ka synimin te fitimi i Champions League. Nuk mbaron me Ronaldon, sepse lojtarë si Emra Xhan, Kanselo dhe i rikthyeri Bonuçi janë përforcime shumë cilësore, ndërkohë që nuk janë larguar emra me peshë si Pjaniç, Rugani e Aleks Sandro.

Inter 8.5: Në letër është Interi klubi që ka punuar më mirë në merkaton verore, pas Juventusit. Ajo që kanë bërë drejtuesit e klubit zikaltër është fantastike, sepse në fund të sezonit të shkuar duhej të arkëtonin shumë milionë për të përmbushur kriteret e Fair-Play financiar, mision i përmbushur me sukses. Drejtori sportiv Auzilio tentoi gjatë të rrëmbente Luka Modriç, por edhe pa të skuadra është përforcuar në mënyrë të jashtëzakonshme, me emra si De Vrij, Vrsaljko, Keita e sidomos Lautaro Martinez.

Roma 8: Shitjet e emrave si Alison e Naingolan dëshpëruan jo pak tifozët, por më pas Monchi nisi magjitë e tij, duke afruar 12 lojtarë të rinj. Pastore shton ndjeshëm cilësinë, Kluivert është një lojtar me të dhëna të jashtëzakonshme. N’Zonzi është qershia mbi tortë, një futbollist që mund të bëhet lider në mesin e fushës.

Milan 7.5: Ndoshta nota është disi e ulët sepse pritej ndonjë futbollist me fantazi në mesin e fushës, por nuk duhet harruar ku ishte Milani në fillim të verës. Një klub i dënuar nga UEFA, me borxhe të pashlyera dhe pronar që nuk dukej. Më pas Elliott mori frenat e klubit, erdhën Leonardo e Maldini dhe janë afruar emra të rëndësishëm, duke nisur nga Gonzalo Higuain, sulmues që mbetet në elitën e futbollit botëror dhe Milanit i mungonte. Tani Gattuso ka në dispozicion një skuadër shumë më cilësore se sezonin e shkuar dhe në janar, nëse do nevojitet, klubi do lëvizë sërish, me synim 4 vendet e para.

Napoli 6.5: Situatë paksa e çuditshme te Napoli, sepse Karlo Ancelotti është një ndër trajnerët më të mirë në botë dhe ka shtuar optimizmin, por nga ana tjetër nuk është blerë askush përveç spanjollit të talentuar Fabian Ruiz. Talenti nuk mungon, por ndonjë përforcim më shumë pritej.

Lazio 6.5: Nëse gjithë Europa kërkon Milinkovic-Savic dhe në fund Lazio nuk e shet, kjo është shenjë force dhe mjafton kaq për t’u quajtur merkato pozitive. Nëse pastaj Igli Tare ka afruar me kosto të ulët disa lojtarë cilësorë, duke nisur nga kroati Badelj, atëherë merkatoja verore quhet pozitive.

Të tjerat, spikatin Torino e Fiorentina. Toro ka bërë dy goditje të shkëlqyera në fund të merkatos, duke blerë Soriano e Zaza, ndaj trajneri Mazzarri tashmë është plotësisht i kënaqur dhe Europa League është objektiv i arritshëm. Shumë aktive edhe Fiorentina, që ka refuzuar çdo ofertë për yjet e saj dhe ka vazhduar rinovimin, me emra si Pjaca e Mirallas që premtojnë shumë, pa harruar disa të rinj ende të panjohur. Atalanta çdo vit shet ndonjë yll dhe këtë verë trajneri Gasperini u mërzit jo pak, por në ditën e fundit të merkatos u ble argjentinasi Rigoni dhe skuadra nuk është aspak e keqe, edhe pse mosha mesatare është ulur sërish dhe pritshmëritë e mëdha mund të dëmtojnë ekipin.

Notë mesatare për Genoa dhe Sampdoria, dy klubet gjenoveze që këtë verë kanë lëvizur jo pak në merkato, por Genoa duket se ka punuar më mirë, duke bërë një revolucion të nevojshëm, ndaj i duhet vetëm pak kohë. Samp nuk ka mundur të blejë sulmues cilësor, pasi Zaza shkoi te Torino, ndaj për momentin dyshimet janë të mëdha. Sassuolo vazhdon në rrugën e sezoneve të shkuar, duke guxuar me trajnerin e ri De Zerbi dhe duke shpenzuar jo pak për emra si Locatelli e Marlon, përveçse është kthyer në Itali Kevin-Prince Boateng.

Pjesa tjetër? Nga Cagliari e Bologna e deri në fund të gjitha ekipet kanë lëvizur jo pak, por sardët kanë shtuar eksperiencën dhe Bolonja beson te një emër i njohur si Filipo Inzaghi, i cili edhe si trajner po shkëlqen. Udinese është një mister total, me trajner të ri e shumë lojtarë të panjohur në ekip, ndërsa nga ekipet që shihen si të rrezikuara për mbijetesën, Parma duket ekipi që ka lëvizur më mirë në merkato.

Related posts

“BLUKALTËRIT” MPOSHTËN JUVENTUS PAS 20 VJETËSH/ Mbrojtësi Gjimshiti në delir: Kjo vlen sa për… (FOTO)

Delo.autor

“RICE PO PRET AKOMA ME DORËN NGRITUR”/ Festimi i Anglisë tek goli i parë ndaj Shqipërisë bëhet virale (VIDEO)

Delo.autor

Skedina e Botërorit/ Ja parashakimet për ndeshjen Rusi-Arabia Saudite

Sadik.Autor

Leave a Comment