Futboll Gossip La Liga Sport

PLAS TEK REALI/ Pushimet e tejzgjatura, Ramosi “përçan” klubin madrilen

Për të dytin vit radhazi kapiteni i Realit, Serxho Ramos, shijoi një privilegj që nuk është kapërdirë lehtë nga disa prej shokëve të skuadrës: të rikthehej nga pushimet verore me disa ditë vonesë, gjithnjë me lejen e stafit teknik. Futbollistët që morën pjesë në Botëror në Rusi, patën të drejtën për disa ditë më shumë pushimi, ndërsa bashkatdhetarët Isko, Asensio, Vazkez dhe Naço u rikthyen nga pushimet në datat 25-26 korrik. Karvahal iu bashkua skuadrës më 29 korrik.

Nga Ramosi nuk kishte asnjë shenjë deri në fillim të gushtit. Kapiteni nuk ishte në dispozicion të trajnerit Hulen Lopetegui gjatë ndeshjes së debutimit në “International Champions Cup” kundër Mançester Junajtid, e cila përfundoi me fitoren e anglezëve 2-1. Mbrojtësi spanjoll iu bashkua shokëve në SHBA një ditë pas ndeshjes dhe mund të zbresë në fushë në miqësoren kundër Juventusit të dielën. Rikthimi i vonë, sipas asaj që shkruan “Marca”, ka shkaktuar pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, ku disa prej lojtarëve nuk e kanë pritur mirë lejen speciale për kapitenin e tyre. Por, në çdo rast, në vigjilje të finales së Superkupës së Europës (15 gusht) kundër Atletikos në Talin të Estonisë, është e nevojshme që të rikthehet ekuilibri për të pasur edhe një herë cilësitë teknike dhe lidershipin e mbrojtësit të shumëdiskutuar.

KRAHU I DJATHTË – “Marca” këmbëngul se mbrojtësi që ka 13 vite që luan në “Bernabeu”, i cili mban shiritin e kapitenit që prej largimit të Iker Kasijasit në vitin 2015, do të jetë krahu i djathtë i Lopeteguit, aq më shumë që tani është larguar edhe Kristiano Ronaldo. I blerë nga Sevija në moshën 19-vjeçare, në vitet e para të Perezit si president për 27 milionë euro, gjatë këtyre viteve Ramosi është shndërruar nga një mbrojtës i ri i djathtë i ethshëm për të mësuar sa më shumë, në një qendërmbrojtës lider jo vetëm i repartit të tij, por edhe i gjithë skuadrës. Me fashën e kapitenit në krah, ai prej atëherë ka fituar katër nga pesë trofetë e fundit të Ligës së Kampioneve. Në dy prej këtyre finaleve, të dyja kundër rivalëve të Atletikos së Madridit në Lisbonë dhe Milano, andaluziani ka shënuar edhe gola vendimtarë, të cilët e afruan skuadrën më shumë me trofeun. Kapiteni tashmë ka sfidën e radhës, atë që të qetësojë ambientin, por për një si ai, ky nuk duhet të jetë aspak një problem.

Related posts

LIVE/ Premier League: Mbyllet ndeshja Chelsea-Wolves. Rezultati 0-0

Delo.autor

Arsenal-Watford, “Topçinjtë” kanë humbur 3 radhazi në Premier

Q.Autor

MERKATO E VERËS/ Nuk e shohin si titullar, ish-mesfushori i Shpresave i jep lamtumirën Shkëndijës

Delo.autor

Leave a Comment