Skënderbeu dhe Laçi do të diskutojnë për herë të tretë në përballjet mes tyre një finale të Superkupës së Shqipërisë. Në 2013-ën fituan korçarët pas goditjeve nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa në 2015-ën kurbinasit i kthyen reston Skënderbeut, pikërisht nga 11- metërshat. Sot në 19:45 në stadiumin “Selman Stërmasi” skuadrat do të kenë mundësinë jo vetëm të bëjnë të tyren një trofe, por edhe të testohen në prag të startit të kampionatit.
Për herë të fundit Skënderbeu dhe Laçi janë përballur në finalen e Kupës së Shqipërisë, më 27 maj në “Elbasan Arena”, ku bardhekuqtë u konfirmuan kampionë absolutë të sezonit 2017-2018, teksa fituan minimalisht 1-0 pas një goli me penallti të Sabjen Lilajt. Ai takim prodhoi polemika për mënyrën sesi u akordua 11-metërshi, prandaj dhe në Laç e kanë të freskët kujtesën. Këtë herë kanë mundësinë të hakmerren ndaj një Skënderbeu, që vjen me një ekip 60% të ndryshuar në krahasim me finalen e fundit. Superkupa është një trofe që çuditërisht FSHF-ja vijon të mos e vlerësojë financiarisht, duke u mjaftuar me 30 medalje për fituesin dhe asnjë shpërblim.
Çfarë thotë FSHF për Superkupën
* Ekipit fitues i dorëzohet Kupa dhe 30 medalje;
* kupa e fituesit të Superkupës modelohet dhe prodhohet në metal të çmuar, në ar dhe argjend, duke filluar me edicionin e parë të prodhimit për sezonin futbollistik 2012-2013;
* në përfundim të ceremonisë së dorëzimit të Kupës, klubi fitues ka të drejtë të marrë dhe të mbajë në ambientet e veta kupën origjinale, për një periudhë jo më shumë se 30 ditë nga dita e zhvillimit të ndeshjes;
* klubi fitues ka përgjegjësi ta ruajë Kupën nga dëmtimet dhe humbja;
* klubi që ka marrë në dorëzim kupën origjinale duhet ta kthejë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së brenda afateve;
* nëse klubi që ka marrë në dorëzim kupën origjinale e humbet ose e dëmton, atëherë është i detyruar të paguajë vlerën e përgjegjësisë për kupën origjinale, sa 10 herë nga shumatorja e kostove të modelimit dhe prodhimit të kupës origjinale përkatëse;
* vlera duhet paguar jo më vonë se 60 ditë nga dita e fundit kur klubi që kishte marrë kupën origjinale në dorëzim kishte detyrimin ta kthente pranë FSHF-së;
* me kthimin e kupës origjinale në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së nga klubi përkatës, ky i fundit do të përfitojë një kupë kopje të modelit të kupës origjinale, e cila është e prodhuar nga metal i zakonshëm dhe është e larë në metal të çmuar, në ar;
* 30 medaljet e ekipit fitues të Superkupës së Shqipërisë modelohen dhe prodhohen në metal të çmuar, në ar dhe argjend;
* 22 medalje shpërndahen për lojtarët e ekipit fitues, 4 për stafin teknik dhe 4 për sekretarin e klubit, oficerin e sigurisë, zëdhënësin e shtypit dhe presidentin e klubit;