Futboll Sport

SUPERLIGA/ Fundjava vjen me sfida interesante, premtojnë spektakël dhe gola

Në premierën e kampionatit të 80-të të futbollit dëshira për të mos humbur dhe ambientimi deri diku me kundërshtarët e parë bëri që skuadrat të ishin disi të ndrojtura duke dhuruar pak gola në 5 ndeshjet e luajtura. Gjithsesi një ide fillestare për atë që ekipet mund të rezervojnë gjatë këtij sezoni u krijua dhe java e dytë pritet të sjellë tashmë reagime prej atyre formacioneve që nuk morën atë që dëshironin nga 90 minutat e para ose, dhe konfirmim nga skuadrat që morën rezultatin maksimal në fushë.

Në letër dy janë ndeshjet që priten më me interes, sfida e së premtes mes Tiranës dhe Teutës, dy ekipe me traditë, por dhe përballja e së dielës mes Flamurtarit dhe Kukësit. Pikërisht në Vlorë, kuqezinjtë dhe verilindorët do të kenë mundësinë për të treguar që në fillim, nëse janë gati për objektiva të rëndësishëm, teksa të dyja ende janë në kërkim të fitores së parë.

Daja në krye të vlonjatëve kërkon të marrë suksesin përpara publikut të tij për të treguar se Flamurtari mund të jetë më në fund kompetitiv dhe në fushë jo vetëm në letër, ndërsa Kukësi i Cungut pasi dështoi të fitonte me Laçin për shkak të rasteve të humbura pret që të bëjë goditjen e madhe në transfertë, në një fushë ku nuk humbet që prej 2013 dhe që tradicionalisht ka qenë e favorshme për ta.

Tirana në krahun tjetër krijoi shumë pikëpyetje pas paraqitjes me Kamzën por këtë herë mund të ketë shansin për korrigjim përballë Teutës së Shkëmbit, që në fakt në ndeshjen e parë i mungoi vetëm goli. Interesante do të jetë dhe përballja mes Kastriotit dhe Skënderbeut, që arritën të dyja fitore falë një 11-metërshi në sfidat e javës së parë.

Por nëse për korçarët ishte e pritshme pavarësisht se kishin përballë Partizanin për Kastriotin mund të konsiderohet një surprizë suksesi në Gjirokastër dhe pse loja për të besuarit e Plorit ishte më se e pëlqyeshme, të gjithë elementë këto që të bëjnë të mendosh se sfida me Skënderbeun do të jetë dëfryese. Kamza pas derbit me Tiranën do të ketë tashmë një tjetër derbi me Partizanin, ku ekipi i Devollit do të kërkojë të vazhdojë ecurinë pozitive ndërsa të kuqtë do të synojnë gjetjen e golit dhe marrjen e 3 pikëve në një sfidë që nuk parashikohet e thjeshtë.

Ndeshja e fundit e javës së dytë është ndërkohë ajo mes Laçit dhe Luftëtarit, me bardhezinjtë që dhe këtë vit nuk e kanë humbur cinizmin e tyre kundrejt gjirokastritëve që të paktën nga përshtypja që lanë në prezantim duken të largët me skuadrat që dhuronin një futboll të bukur në dy vitet e fundit dhe për Kostiçin marrja e një pike në Laç nuk duket një detyrë e thjeshtë. Gjithsesi e sigurt është që në javën e dytë ekipet do të jenë më të çliruara dhe me siguri nga kjo do të përfitojë futbolli por dhe sulmuesit, që me siguri do të arrijnë të shënojnë shumë më tepër se në 90 minutat e para të premierës.

Related posts

Ylli i Kombëtares shqiptare, dëmtohet gjatë ndeshjes ndaj Lokomotiv Zagrebit

Sadik.Autor

PAS MANCHESTER UNITED DHE LIVERPOOL/ Futet në garë për mbrojtësin Upamecano klubi i madh…

Delo.autor

E BUJSHME/ Detajet më të pista të skandalit seksual me koleget e Ajax. Zbulohet pseudonimi i tij “sekret”

Delo.autor

Leave a Comment