Futboll La Liga Sport

VALVERDE lumturohet për VIDAL/ LUFTËTAR i madh, do të sjellë energji tek Barcelona

Ernesto Valverde pret që “luftëtari” Arturo Vidal të ofrojë diçka të ndryshme në fushë, si pjesë e mesfushës së Barcelonës, pasi ndërkombëtari nga Kili finalizoi transferimin nga Bayern Munich në “Camp Nou”. Vidal pritet të konfirmohet si lojtar i Barcelonës pas përfundimit të suksesshëm të vizitave mjekësore, pasi marrëveshja u dakordësua midis dy klubeve.

Në moshën 31-vjeçare, ish-lojtari i Bayer Leverkusen dhe Juventusit iu afrohet fazave të fundit të karrierës së tij. Por, trajneri i Barcelonës, Valverde, pret që fituesi i Seria A, Bundesliga dhe “Copa America” të shfaqet si lojtari më luftarak në pozitat qendrore.

“Ai është një lojtar, nga i cili shpresojmë se do të sjellë energji në mesfushë, – tha trajneri blaugrana përpara ndeshjes kundër Milanit, në Santa Clara të Kalifornisë, të dielën. – Vidal ka shumë përvojë dhe ka luajtur shumë ndeshje, në të gjitha ekipet, me të cilat është shfaqur. Ai është mësuar të luajë në ndeshje të mëdha. Ka shumë prani në fushë dhe mendoj se do të jetë mjaft i mirë për ne”.

Shumë vëzhgues e konsiderojnë Vidalin si zëvendësues të brazilianit ndërkombëtar, Paulinho, i cili është kthyer te Guangzhou Evergrande vetëm një sezon pas huazimit të papritur në “Camp Nou”. “Ashtu si Paulinho, Arturo është një lojtar pak më ndryshe, nga ato që kemi dhe mendojmë se do të jetë në gjendje të përshtatet mirë, – shtoi Valverde. – Ai është një luftëtar. Ekipi ynë ka hapësirë ​​për shumë lloje të lojtarëve. Vitin e kaluar pati pak polemika kur erdhi Paulinho, sidomos para se të luante një minutë të vetme. Pastaj, njerëzit panë se ai punonte shumë mirë”.

I pyetur për aktivitetin tjetër të mundshëm të transferimit të Barcelonës, Valverde tha: “Ne po përpiqemi të pasurojmë ekipin tonë. Jemi Barcelona dhe, si çdo klub tjetër, jemi të hapur për ta përmirësuar ekipin tonë. Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë para përfundimit të merkatos së transferimeve”.

Valverde ishte i gatshëm t’i garantojë Rafinhas një vend në skuadrën e Barcelonës gjatë sezonit të ardhshëm, mes zërave për një dalje të mundshme të 25-vjeçarit: “Rafinha ka bërë një parasezon të mirë dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund. Tani për tani, ai është në ekipin tonë. Sezonin e kaluar nuk ishte në gjendje të merrte pjesë shumë dhe nuk e pashë dot deri në janar”.

Megjithatë, e ardhmja e Jasper Cillessen duket më e sigurt, megjithëse ka gjasa të mbetet portieri i dytë i Barcelonës, pas Marc-Andre ter Stegen. Trajneri Valverde mendon kështu në këtë pikë: “Nuk mund të imagjinoj ndonjë situatë tjetër, përveçse të jetë këtu. Jasper është një lojtar, që ne presim ta kemi. Ai është një portier i madh dhe një profesionist i madh”.

Related posts

“NËSE DONI TË SHKRUANI OFENDIME…”/ Immobile: Mos ma prekni familjen!

Delo.autor

“TRONDITET MERKATO”/ LIVERPOOLI ofron 100 milionë euro për lojtarin e Barcelonës

Isa.Autor

Bayern Munich hidhet në sulm për “yllin” e Juventus-it, RONALDO bën “ligjin”

Isa.Autor

Leave a Comment