Futboll Sport

DUAN TITULLIN/ Reginaldo, buzëqeshja nga Mozambiku që po udhëheq “vallen” e Kukësit

Goli në Durrës, ndaj Teutës, ndeshje e zhvilluar ditën e diel, ka rikonfirmuar, nëse kishte sadopak dyshime, se padiskutim që afrimi më i rëndësishëm për Kukësin në këtë merkato verore ka një emër: Reginaldo Faife.

Katër ndeshje dhe po aq gola për sulmuesin 28-vjeçar nga Mozambiku, i cili kryeson momentalisht renditjen e golashënuesve të Superligës për këtë edicion, edhe pse ende jemi në gjysmën e fazës së parë dhe nuk mund të flasim për Këpucën e Artë.

E megjithatë, në protokoll shënohet edhe një tripletë, ajo në fitoren ndaj Tiranës, ku afrikani thjesht ishte i papërmbajtshëm. Idhull i tifozerisë, ka arritur të bëjë për vete edhe një “kockë të fortë” si presidenti Gjici, që superlativat nuk i ka edhe shumë qejf kur flitet për të elozhuar ndokënd.

Thuajse 6900 km larg Durrësit, në Quelimane (qytet portal i Mozambikut), kanë festuar gjithashtu. Bëhet fjalë për familjen e sulmuesit që sigurisht nisi të shqelmonte topin në vendlindje, por që rritja e vërtetë nisi pikërisht në “shtëpinë” e një farë Cristiano Ronaldo (ishullin e Madierës).

Dhe, për ironi të fatit, pikërisht CR7 të dielën, përpara se Reginaldo të zbriste në fushë, realizoi edhe dy golat e parë “italianë” dhe me Juventusin.

Pak skuadra në karrierën e tij, mes “stazhit” në Portugali, nga Nacional Madeira te Santa Clara, aty ku golat ishin me pikatore, për të ardhur në Shqipëri, më 31 gusht të vitit 2016…

Në Gjirokastër e pritën me pikëpyetje të mëdha, por në një ambient ku mungon presioni dhe kërkesat, sigurisht që mund të rritesh edhe më shumë, ashtu si bëri afrikani, duke realizuar 8 gola në 32 ndeshje kampionati.

Do të ishte transferimi te Laçi, pas vetëm një sezoni me bluzinjtë, padiskutim lëvizja më e mençur e tij. Sezoni i shkuar do të shënonte edhe shpërthimin e Reginaldo-s, me 18 gola në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë, edhe pse në finale në qafën e tij do të varej vetëm medalja e argjendtë dhe jo e artë… Skënderbeu, tepër i fortë për kurbinasit.

Pikërisht atëherë kur dukej se 28-vjeçari do të paraqitej në Europë me Laçin, vjen surpriza e madhe e “targuar” Kukësi… Transferim i befasishëm me verilindorët dhe debutim në Champions, 44 minuta ndaj Qarabag-ut të Ansi Agollit.

Dy ndeshje të tjera në Europa League ndaj Torpedo Kutaisi dhe dy gola. Për Reginaldo-n ishte rikthim në Europë, pasi me Nacional Madeira-n, 3 vite më parë, gjithashtu kishte luajtur ndaj një ekipi ish-sovjetik, Dinamo Minsk.

Te kombëtarja e Mozambikut nuk ka pasur hapësira, edhe pse 3 xhetona i ka koleksionuar deri më tani, duke shënuar edhe dy gola, i fundit në eliminatoret e Kupës së Afrikës 2019, ndaj Guinnea-Bissau.

Kukësi fërkon duart, trajneri Cungu gjithashtu, ndërsa në Shqipëri ai ka gjetur oazin e tij, aty ku mund të shprehë lirshëm futbollin që dashuron, me një inspirim të quajtur Eusebio dhe një model që mban emrin Cristiano Ronaldo. Mozambik dhe Portugali, teksa Shqipëria është ajo pika e penalltisë…

Related posts

DERBI I MERSEYSIDE/ Everton s’dorëzohet, rihap sfidën ndaj “Të Kuqve” me zbulimin e sezonit (VIDEO

Delo.autor

SFIDA NDAJ VLLAZNISË/ Partizani do “Air Albania” plot, çmime popullore për super sfidën e javës

Delo.autor

E RRALLË NË FUTBOLL/ Klubi meksikan kthehet te titulli pas… 70 vitesh

Delo.autor

Leave a Comment