Formula 1 Sport

Hamilton triumfon në Singapor dhe prenoton titullin, Verstappen e Vettel në podium

Lewis Hamilton hedh një tjetër hap të sigurt drejt rikonfirmimit kampion bote në Formula 1, pas triumfit sot në pistën e Marina Bay, në garën e vlefshme për Çmimin e Madh të Singaporit, suksesi i 7-të sezonal. Piloti britanik preu i pari vijën e finishit pas një gare të mërzitshme, me pak emocione e momente interesante, duke e komanduar atë nga fillimi i saj. “Pole” që Hamilton arriti dje praktikisht vlente me 50% të fitores dhe ashtu ndodhi, pasi rivalët nuk arritën në asnjë moment ta vënë në vështirësi. I dyti u rendit Max Verstappen me Red Bull, ndërsa i treti Sebastian Vettel me Ferrari, që ashtu si britaniku ruajtën pozicionet që kishin në fillimin e garës.

Gara e Singaporit u zhvillua me drita, por spektakli në pistë mungoi dhe i vetmi që fërkon duart nga kjo garë është Hamilton, që tashmë ka 40 pikë avantazh karshi Vettel në renditjen e përgjithshme, me 6 gara nga fundi. Nuk pati ndryshime pozicioni për 6 pilotët e parë, ku Bottas (Mercedes) u rendit i katërti, Raikkonen (Ferrari) i pesti dhe Ricciardo (Red Bull) i gjashti, ashtu sikurse edhe e nisën garën. në “top-10” u klasifikuan edhe Alonso (McLaren), Sainz (Renault), Leclerc (Sauber) dhe Hulkenberg (Renault). As starti, as makina e sigurisë e as ndalesa për ndërrimin e gomave nuk dhuroi ndonjë përmbysje të garës, që rrodhi e qetë për 61 xhiro.

Gara nis me një aksident pas disa kthesave (Ocon përplaset me muret mbrojtëse) dhe në fushë hyn makina e sigurisë (kjo gjë ka ndodhur në të gjitha garat e zhvilluara në pistën e Singaporit), ndërkohë që Vettel arrin të parakalojë Verstappen. Në krye është Hamilton, që nuk e ka të vështirë të ruajë kreun dhe situata është e qetë për rreth 15 xhiro, kur nisin ndalesat e para. Vettel hyn i pari e pas tij Hamilton e Verstappen, por ai që përfiton është piloti holandez i Red Bull, që kur del nga bokset lë pas gjermanin e Ferrarit dhe rimerr pozicionin që pat humbur në start.

Në gjysmën e garës, 6 pilotët e parë kanë të njëjtat pozicione si dhe në startin e saj, ndërkohë që parakalimet janë të pamundura në këtë pistë të ngushtë dhe për pasojë spektakli mungon e gara është e mërzitshme. Në momentin e parakalimeve Hamilton has vështirësi e kjo favorizon Verstappen që afrohet e tenton surprizën, por pa rezultat. Edhe 20 xhirot e fundit janë një monotoni, pilotët kanë një distancë prej 3-4 sekondash nga njëri-tjetri dhe e tillë gara shkon deri në fund edhe pse Bottas-Raikkonen-Ricciardo duelojnë për vendin e katërt.

Hamilton korri një sukses të merituar në pistën e vështirë të Singaporit, duke u konfirmuar në formë të shkëlqyer dhe tashmë sheh më pranë titullin e pestë kampion në karrierë, ndërkohë që Ferrari e Red Bull nuk janë në gjendje ta rivalizojnë makinën gjermane. Vettel tentoi sot një strategji ndryshe, me një tip tjetër gomash, po pa sukses, pasi Ferrari nuk ishte i shpejtë sa pritej. Gara e radhës pas dy javësh (30 shtator) në Rusi.

 

Related posts

FRIKË NGA KORONAVIRUSI/ “Gardiani” Navas paguan një shifër të pabesueshme për tu arratisur nga Franca

Delo.autor

E akuzoi si njeri me dy fytyra, reagon presidenti: Benzema është sulmues…

Sadik.Autor

Kryevepër arkitekturore/ Stadiumi “Mercedens Benz” është i lëvizshëm (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment