Futboll Sport

Laçi dhe Partizani ndahen në “paqe” pa gola në javën e katërt të Superligës

Është mbyllur në barazim 0-0 sfida e tretë e javës së katërt të Superligës, mes Laçit dhe Partizanit. Ndeshja e zhvilluar në qytetin e Kurbinit ka treguar një nivel të kënaqshëm nga të dyja ekipet, por pa prodhuar dot asnjë gol. Përtej dëshirës së të dyja skuadrave për të shënuar dhe rasteve që nuk munguan, goli mungoi në këtë përballje mes dy ekipeve që edhe në vitin e shkuar kanë qenë në pozicione të ngjitura me njëra –tjetrën.

Një lojë shumë e shpejtë dhe aksione nga të dyja krahët, është ajo që shohim në minutat e para. Partizani tenton të shënojë me anë të Asanit dhe Bardhit, por pa saktësinë e duhur. Nga ana tjetër Xhixha me anë të një predhe të vërtetë ka kërkuar të shënojë një gol nga jashtë zonë, por Hoxha është aty dhe devijon topin jashtë zone. Partizani kërkon të shkojë te goli me anë të goditjeve standarde, ndërsa Laçi sërish me goditjet nga distanca i shkon pranë golit. Me disa aksione të rrezikshme, por me portat ende të paprekura mbyllet pjesa e parë e ndeshjes.

Në 45 minutat e dyta, ndeshja vijon me të njëjtin ritëm dhe të dyja ekipet që hidhen në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Kurbinasit sërish tentojnë me goditjet nga distanca, ndërsa Partizani kundërpërgjigjet me krosimet nga krahët dhe goditje standarde duke shfrytëzuar gjatësinë e Hebaj dhe grintën e Atanda. Me kalimin e minutave Laçi bëhet më kërkues dhe insiston në gjetjen e golit, por pa sukses. Në minutën e 66’ vendasit kanë një rast të pastër për gol, por sërish gardiani Hoxha është në lartësinë e duhur dhe e mban të paprekur portën e “demave”. Gega përdor kartën e fundit duke hedhur në fushë Çinarin dhe Hilën, por sërish goli mungon dhe kryeqytetasit kanë vështirësi të çajnë në prapavijën e vendasve.

Deri në fund portat mbetën të paprekura dhe Partizani me Laçin ndahen në barazim 0-0 në këtë javë, të Surperiores. Pas kësaj ndeshje Laçi shkon në kuotën e 6 pikëve, ndërsa Partizani ka vetëm një më shumë dhe renditet për momentin një pozicion me sipër.

 

Related posts

Jose Mourinho “shokon” Manchester United: Nuk ndiej keqardhje për humbjen ndaj Chelsea

Sadik.Autor

E PAZAKONTË/ Fiton çmimin “Goli i Vitit”, ICARDI nuk është DAKORD sepse…

Isa.Autor

MERKATO E VERËS DREJT FUNDIT/ Me objektiv të qartë, Laçi përgatit edhe dy goditje në limit

Delo.autor

Leave a Comment