Futboll Sport

SUPERLIGA/ Jo vetëm Tirana-Partizani: E shtuna ka të tjera sfida surprizuese

Superliga këtë javë nis me supersfidën e derbit, Tirana-Partizani, por një ditë më pas, të shtunën, do të luhen edhe ndeshjet e tjera të javës së gjashtë të kampionatit. Kështu sfida e parë e së shtunës është ajo mes Kamzës dhe Laçit. Kjo sifdë do të luhet në orën 15:45, teksa të dyja skuadrat do të synojnë fitoren, për të avancuar më tej në renditje. Aktualisht, pritësit e sfidës, skuadra e Kamzës ka gjashtë pikë në kampionat, dhe mban vendin e gjashtë në renditje. Ekipi i drejtuar nga Klodian Duro u mund një javë më parë nga Kukësi, ndaj në këtë sfidë do të kërkojë të marrë tre pikët, edhe pse kundër do të jetë një rival si Laçi. Kurbinasit kanë një pikë më shumë se Kamza, teksa ndodhen në vendin e pestë në renditje me 7 pikë. Por deri më tani, ecuria e tyre në kampionat ka qenë pozitive, pasi Laçi nuk ka humbur asnjë sfidë. Sakaq të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë në këtë takim, pasi në mesjavë u kualifikuan në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Kukësi do të luajë kundër Luftëtarit. Për të besuarit e trajnerit Cungu dhe kjo do të jetë një tjetër sfidë e vështirë, pasi kundërshtari ka ndryshuar trajner, morali është i lartë, dhe në dy ndeshjet e fundit ka arritur të bëj paraqitje pozitive. Mungesat dhe problemet në formacion, për shkak të numrit të madh të të huajve në rradhët e Kukësit, vështirësojnë përzgjedhjet për trajnerin. Verilindorët janë aktualisht në vendin e dytë në renditje me dhjetë pikë, teksa gjirokastritët, me trajner Gentian Mezanin, kanë aktualisht 3 pikë dhe mbajnë vendin e fundit. Gjithsesi dy ndeshjet e fundit, nën drejtimin e Mezanit, kanë qenë pozitive për Luftëtarin, teksa fituan në fundjavë në kampionat ndaj Teutës me goleadë dhe u kualifikuan në raundin e dytë të kupës në mesin e javës. Edhe kjo sfidë do të luhet në orën 15:45 të ditës së shtunë.

Dy humbje radhazi e kanë zbritur Flamurtarin në vendin e pestë në renditje, teksa këtë të shtunë skuadra e trajnerit Daja do të luajë kundër Kastriotit. Krutanët do të kërkojnë të bëjnë surprizën në transfertën e vështirë vlonjate, teksa për skuadrën vendase nuk ka më justifikim për humbjen. Në këtë sfidë Flamurtari do të ketë sërish mungesë Albi Allën, ndërsa Alvesh do t`a nis nga stoli për shkak të gjendjes gripale që po kalon. Sakaq kundërshtari i vlonjatëve, Kastrioti, që aktualisht mban vendin e parafundit në renditje, vjen në këtë sfidë me mungesa, por me dëshirën për të marrë pikë. Sfida mes Flamurtarit dhe Kastriotit do të luhet në orën 18:45 në Vlorë.

Teuta dhe Skënderbeu do të ndeshen mes tyre të shtunën, teksa skuadra e korçarit, Bledi Shkëmbi do të ketë përballë skuadrën e durrsakut, Orges Shehi. Përballë do të jenë dy trajner debutues në Superligë, dikur ish-shokë skuadre dhe tashmë rival në kampionat. Teksa Skënderbeu i Shehit ka pasur ecuri pozitive në pesë javët e para të kampionatit, duke marrë 11 pikë dhe kryesuar kampionatin, Teuta ka lënë shumë pikë rrugës, me vetëm 5 të marra, të cilat e mbajnë përkohësisht në vendin e tetë në renditje. Ndeshjet e fundit nuk kanë qenë të mira për durrsakët, teksa humbja ndaj Luftëtarit një javë më parë ishte një goditje e rëndë për skuadrën e Shkëmbit. Gjithsesi në këtë sfidë do të vijnë të motivuar dhe për faktin që luajnë në shtëpi, ndërsa Skënderbeu i Orges Shehit do të kërkojë tre pikët e radhës, për të ruajtur kreun e tabelës edhe në javën e gjashtë. Edhe kjo ndeshje do të luhet në orën 18:45.

 

Related posts

TRONDITET MILANI/ Sulmuesi kryesor DËMTOHET RËNDË, rrezikon të humbasi…

Isa.Autor

11 YJE TË PAHARRUAR/ Galliani zgjedh top-formacionin e tij italian

F.autor

BARCELONA-GRANADA/ Pas një krosimi, Araujo ndëshkon me kokë për “Katalanasit” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment