Futboll Shqipëri Sport

BABAI I MOLLËS TREGON PRAPASKENAT/ FSHF nuk i çonte ftesë zyrtare Bolonjës, te Shqipëria ka padrejtësi

Portieri Marko Molla është bërë tashmë një çështje kuqezi. Ai la Kombëtaren U-17 të Shqipërisë për Italinë dhe shumë e kanë quajtur tradhtar, por babai i tij, Besnik Molla, duke folur për “Shkodra Sport”, ka dashur të sqarojë si qëndron realisht kjo çështje. Mes të tjerash ai thekson se FSHF-ja nuk i dërgonte ftesë zyrtare Bolonjës për Markon dhe klubi italian nuk e lejonte të largohej. Por babai i portierit pohon gjithashtu se në kombëtaren shqiptarë të 17-vjeçarëve bëhen padrejtësi, siç i ka ndodhur edhe djalit të tij:

“Kam dëgjuar shumë gjëra për braktisjen e kombëtares shqiptare nga djali im dhe zgjedhjen për të përfaqësuar Italinë. Askush nuk mund të na thotë se e kemi “tradhtuar” fanellën kuqezi. Ju siguroj, jemi më shqiptarë se shumë shqiptarë të tjerë. Nëse për momentin vendosëm që Marko të përfaqësojë Italinë, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të rikthehet te Shqipëria.

Rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s e lejojnë këtë gjë dhe nuk dihet çfarë ndodh në të ardhmen. Djali im ka firmosur me Bolonjën dhe që në gusht ka një problem. Në grumbullimin e kombëtares shqiptare, nga FSHF nuk ka mbërritur asnjë ftesë zyrtare te Bolonja për ta lënë Markon të lirë. Në shtator ai nuk mundi të vinte për shkak të provimeve, pasi u transferua në një shkollë tjetër, kur ndërroi qytet.

Në grumbullimin e tetorit për ndeshjet eliminatore u shfaq i njëjti problem. Asnjë ftesë zyrtare nga FSHF-ja te Bolonja, që nuk mund ata lejonte futbollistin të largohej. Marko gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe një problem dëmtimi në dorën të djathtë. Një natë para se Italia të shpallte listën e kombëtares U-17, më telefonoi një pjesëtar i stafit. Na kërkoi takim dhe ai u realizua. Më tha se ishte trajneri i portierëve të kombëtares italiane të kësaj moshe dhe kërkoi ta grumbullonte Markon.

Përgjigja ime e parë ishte se djali është ende i dëmtuar, megjithatë ai më befasoi me përgjigjen e tij kur tha: “Jam në dijeni të çdo gjëje, sepse kam pesë ditë që jam pas portës së tij në stërvitje. Para se të vija te ju, kam kontaktuar mjekun e Bolonjës dhe më garantoi se problemi ka kaluar”.

U befasova për seriozitetin qe shfaqi kombëtarja italiane për djalin tim, ndërkohë që e kundërta ndodhte vazhdimisht me atë shqiptare. Gjithsesi, kërkova edhe një tjetër vizitë të specializuar te mjekët specialistë dhe kjo u krye të nesërmen. Gjithçka ishte OK dhe dhamë aprovimin për të qenë pjesë e kombëtares italiane. A ishte vetëm mungesa e ftesës te Bolonja arsyeja e largimit nga kombëtarja shqiptare? Janë edhe disa gjëra të tjera që na bënë të marrim këtë vendim. Markos filluan t’i bëhen disa padrejtësi njëra pas tjetrës. I hoqën fanellën me numrin 1 dhe i dhanë atë me numër 12.

Më pas filluan ta aktivizojnë si rezervë dhe vetëm 20 minuta në fund, pa përmendur pastaj edhe disa gjëra të tjera, që nuk kam dëshirë t’i përmend. Në kombëtaren shqiptare kishte interesa të ndryshme dhe e pëson ai që ka më pak njohje e lidhje. Ndokush mund të thotë se rezervë te kombëtarja italiane ka shkuar, por nga mënyra si po shkonin gjërat, më mirë rezervë tek Italia se rezervë te Shqipëria”.

Related posts

SFIDA NDAJ KASTRIOTIT/ Ndeshja e parë me tifozë pas 1 viti, klubi i Kukësit surprizon me vendimin

Delo.autor

Champions League/ Shënohen 3 gola në 6 takimet e mbrëmjes, befasohet REALI

Isa.Autor

JAVA E PARË E KAMPIONATIT/ Serie A starton me një rekord të papritur

Delo.autor

Leave a Comment