Futboll Sport

GOLEADORI SHQIPTAR/ “Samuraj pa shpatë”: BERISHA dhe aventura e çuditshme në…

Maj 2018: Melbourne Victory shpallej kampion në Australi dhe protagonisti absolut, më i madhi i kampionatit australian, Besart Berisha, deklaroi se e kishte pushtuar përfundimisht Hyundai A-League dhe nuk kishte më ç’të fitonte aty.

Nuk e kundërshtonte dot askush, sepse 33-vjeçari doli kampion me Brisbane Roar, kampion me Victory, fitoi dy herë Këpucën e Artë në Australi, shënoi 116 gola dhe u bë mbreti i futbollit në Australi, pasi askush nuk ka shënuar sa ai në historinë e kampionatit të vendit të kangurëve.

Koha për ndryshim, e prisnin në Japoni, kampionat superior në cilësi dhe financa. Oferta e Hiroshimës ishte e parezistueshme për Berishën, që në moshën e tij luan në nivele të larta mbi të gjitha falë stimujve dhe kjo e shtyu të largohej nga Australia.

Gjithnjë në rrugëtim, gjithnjë një “Rolling Stone”, sepse Berisha është mësuar të mos qëndrojë në një vend, të mos ngulë rrënjë, që kur e detyruan të largohej nga Prishtina në moshën 5-vjeçare. 1200 kilometra, për në Berlin, si refugjat, duke ndërtuar jetën e vet falë futbollit dhe punës së pandalur.

“Isha në një situatë delikate, të gjithë mund të na kthenin në Kosovë, ndaj në moshën 17-vjeçare e dija shumë mirë që duhej të luaja mirë dhe të shënoja, sa më shumë. Sepse kur të mbushja 18 vjeç duhej patjetër të firmosja një kontratë profesioniste. Kisha një vit kohë për të treguar sa vleja, sepse në atë kohë ishte e vështirë për një të huaj që të luante në nivele të larta dhe të firmoste kontratë profesioniste si i huaj”, deklaronte para pak vitesh për The Guardian Berisha.

Ëndrra e Besartit u realizua, sepse në vitin 2004 firmosi për Hamburgun dhe dy vite më vonë shënoi ndaj CSKA-së, në debutimin e tij në Champions League.

Që atëherë, nga Gjermania në Angli, huazime në Norvegji, Danimarkë e Gjermani, derisa Berisha tha “stop”, po iki nga Europa. Në Australi ndërtoi legjendën e tij, një bast i rrezikshëm, por i fituar matanë çdo parashikimi optimist.

Një bast i rrezikshëm edhe kalimi në Japoni, ku do të duhej të riniste gjithçka nga e para, në një vend të panjohur, me gjuhë tepër të ndërlikuar dhe zakone aspak të lehta për t’u përshtatur.

Rrezik tjetër ishte fakti që Berisha shkoi në Japoni në korrik, në mesin e sezonit, ndërsa klubi i tij Hiroshima po dominonte kampionatin dhe ndoshta nuk ishte fare nevojë për përforcim kaq madhor, duke qenë se do të ishte e vështirë që Berisha të ambientohej menjëherë dhe të nxirrte dikë nga formacioni.

KASHIMA, JAPAN – SEPTEMBER 26: (EDITORIAL USE ONLY) Besart Berisha of Sanfrecce Hiroshima in action during the 98th Emperor’s Cup round of 16 match between Kashima Antlers and Sanfrecce Hiroshima at Kashima Soccer Stadium on September 26, 2018 in Kashima, Ibaraki, Japan. (Photo by Etsuo Hara/Getty Images)

Debutim në 28 korrik, por asnjë ndeshje në formacion që kur ka shkuar në Japoni, me vetëm 68 minuta futboll! Çfarë ka ndodhur? Forma fizike ndoshta, një dëmtim që e la jashtë për pak kohë, por edhe mungesa e përshtatjes me Sanfrecce-n, kanë bërë që Berisha të kthehet në një objekt misterioz, në një kohë që Hiroshima më muajt e fundit është futur në krizë, duke humbur kreun dhe duke qenë 4 pikë pas Kawasaki-t, me 4 ndeshje të mbetura.

Një dështim kolosal për një skuadër që kishte 7-10 avantazh nga vendi i dytë për shumë javë në verë, një dështim edhe për Berishën, një që nuk është mësuar të bëjë spektaktorin e pafuqishëm në stol. Kontrata është 1.5-vjeçare, por Besarti zor se vijon në Japoni, aty ku nuk gjeti tokën e premtuar, aty ku i premtuan ta bënin Samuraj, por nuk i dhanë një “shpatë”, duke e trajtuar si një fillestar që pret të luajë ndonjë minutë sa për numër.

“Një ditë do të kthehem në Australi”, tha Berisha në maj, kur shpalli largimin. Ndoshta nuk e kishte menduar se ajo ditë mund të vijë që në fund të këtij viti, sepse në Japoni nuk ia vlen të vazhdojë më.

 

Related posts

CHAMPIONS LEAGUE PËR FEMRA/ Lyoni synon trofeun e katërt radhazi

Delo.autor

ÇUDIA VJEN NGA KOSOVA/ Një kope me dele prezente gjatë ndeshjes së Superligës (FOTO)

Delo.autor

Partizani dënon Telushin, merret masa e parë për mesfushorin

Sadik.Autor

Leave a Comment