Futboll Seria A Sport

MBROJTJE SOLIDE DHE 6 FITORE RADHAZI/ Ky INTER duhet të besoj tek TITULLI

Çdo gjë ndryshoi mbrëmjen e 18 shtatorit, kur fitorja ndaj Tottenham erdhi në minutën e 92-të. Dhe vetëm tri ditë pas disfatës turpëruese kundër Parmës, Vecino i dha fitoren Interit në ndeshjen e dytë të fazës në grupe të Ligës së Kampionëve.

Që atëherë, Interi i Spallettit duket se ka mësuar nga tronditja e fillimit të sezonit, duke marrë edhe gjashtë fitore radhazi në kampionat. Këto triumfe kanë ardhur me pragmatizëm (ndaj Fiorentinës dhe SPAL), të tjerët “klinikisht” (ndaj Sampdorias dhe në derbin e Madoninës), ndërsa nuk kanë munguar edhe ato bindëse në planin e lojës, si kundër Cagliarit dhe sidomos mbrëmë, në “Olimpico”, ndaj Lazios.

Kundër bardhekaltërve, në fakt, ndoshta pamë Interin më të mirë të këtij sezoni: të aftë për të shkatërruar një konkurrent direkt për një vend në Ligën e Kampionëve, veçanërisht në pjesën e parë, kur Lazio e pa veten më në vështirësi se kurrë.

Edhe një herë, “lokomotiva” që tërheq “vagonët” zikaltër është kapiteni Mauro Icardi. Sulmuesi argjentinas, më në fund, është bërë i njohur edhe në nivelin europian. Spikati edhe Marcelo Brozovic, i cili, përveç golit ndaj Lazios, tregoi se është një katalizator në “dhomën e kontrollit” të lojës zikaltër.

E gjitha kjo, pa harruar soliditetin e paprecedentë mbrojtës, duke pasur parasysh se Interi aktualisht ka pësuar vetëm 6 gola në 10 javë kampionati. Më pak se çdo ekip tjetër në Seria A, duke përfshirë edhe Juventusin.

Kjo është arsyeja pse në këtë kampionat, Interi po e përvijon veten dukshëm si rivali i vetëm për titull i Juventusit. Dhe jo vetëm për lidhjen me vendin e dytë aktualisht, që e bashkëndan me Napolin.

Në javët e ardhshme, Inter duhet të njoftojë nënshkrimin me Giuseppe Marotta, drejtues i sprovuar në Seria A, që vjen nga Juventusi pas shtatë titujsh kampioni radhazi. Një hap i mëtejshëm, që të përpiqet të kthejë zikaltrit në krye të futbollit italian, por pa nisur me proklamime të mëdha.

Të qarta në këtë drejtim janë fjalët e kapitenit Mauro Icardi, menjëherë pas Lazio-Inter, të cilat e kanë shuar entuziasmin e të gjithë mjedisit: “Ne anti-Juve? Jo, kemi ende disa hapa për t’u rritur”. Sidoqoftë, ky Inter, të paktën për momentin, me të vërtetë duket në rrugë të drejtë.

Related posts

Mancini: Çfarë dhimbjeje për Italinë, që ta shohë Kupën e Botës nga…

Sadik.Autor

Lacio i bashkohet garës për mesfushorin Gelson Martins

Sadik.Autor

MERKATOJA E JANARIT/ Interi gjen një talent, nuk e merr dot për faj të…

Delo.autor

Leave a Comment