Futboll Seria A Sport

Nga GUASKAT e Rios te SUSHI/ Njihuni me 8 sekretet e Kakasë së ri tek MILANI

Kalimi i Lukas Paketës te Milani është punë e mbaruar. Teksa tifozët milanistë lundrojnë në internet në kërkim të paraqitjeve të 21-vjeçarit, “Corriere Dello Sport” ndihmon sportdashësit që të njohin më mirë brazilianin, duke prezantuar gjashtë gjëra që pak njerëz i dinë, të paktën në Itali.

1. Nofka – Emri i tij është Lukas Tolentino Koejo de Lima, por njihet si Lukas Paketa (me theksin tek a-ja fundore). Duke mos qenë mbiemri i tij, Lukas ka zgjedhur nofkën “Paketa”, që do të thotë shumë guaska. Ai ka lindur në gjirin e Guanamabaras dhe i rritur mes plazheve dhe rërës, një nofkë e tillë i shkon për shtat.

2. Fiziku – Lukas u përfshi në ekipet zinxhir të Flamengos në moshën 14-vjeçare. Fiziku i brishte e paragjykonte në pamje të parë, edhe sepse në atë kohë ishte vetëm 153 cm i gjatë dhe ankonte shumë probleme me natyrë kockore. Familja vendosi të mos pyeste për shpenzime dhe të investonte në një kurë shumë të shtrenjtë ilaçesh, suplementesh dhe ushqimesh të zgjedhura, pak a shumë siç bëri Barcelona me Leo Mesin. Rezultatet ishin fantastike, me Paketën që shtoi 24 centimetra në tre vjet.

3. Dashuria – Në profilin “Instagram”, por po ashtu edhe në zemrën e tij, një vend të madh e zë gjysma e ëmbël. Maria Eduarda Furnie është një vajzë e thjeshtë me buzëqeshjen rrëzëllitëse, e cila është në lidhje prej dy vjetësh me futbollistin. Çifti po mendon të martohet së shpejti dhe të ndërtojë familje.

4. “Vëllai” – Miku i ngushtë i Paketës është Vinisius Xhunior, talent i madh në vendlindje dhe një yll që prej pak kohësh ka zbarkuar te Reali i Madridit. Postimet e përbashkëta nuk kanë fund, me djemtë që e quajnë njëri-tjetrin “vëlla”.

5. Ngjashmëri – Pritshmëri të mëdha dhe krahasime me peshë për Paketën, të cilin në Brazil e përkufizojnë një “përzierje” mes Nejmarit (për driblimet) dhe Kakasë për sprintet dhe goditjet e kalibruara.

6. Idhuj – Meqë jemi te kampionët, Nejmar e vlerëson shumë, por akoma më shumë Ronaldinjo, i cili është gati të vërë bast mbi cilësitë e 21-vjeçarit, që nga 3 janari do të jetë zyrtarisht një lojtar i Milanit, klub të cilin e zgjodhi edhe falë Rikardo Kakasë, një idhull i tij i fëmijërisë.

7. Pasionet – Si çdo i ri, edhe Paketa ka disa pasione me të cilat parapëlqen të kalojë kohën e lirë. Ai pëlqen muzikën, daljet me shoqërinë, por mbi të gjitha makinat me cilindrat të “bëshme”. Edhe ushqimi është një “hobby”, me fantazistin që çmendet pas kuzhinës japoneze.

8. Rekord – Me 35 milionë euro, Lukas Paketa është braziliani më i shtrenjtë i blerë nga një klub i Serisë A. Investimi kuqezi zhvendos në vendin e dytë Gabigolin, të cilin Interi e bleu për 29.5 milionë euro, teksa në vendin e tretë kalon Alesandre Pato, që u ble nga Milani për 24 milionë euro në vitin 2007.

Related posts

CHELSEA – TOTTENHAM/ Ekipi i Sarrit do të kërkojë fitoren për të kaluar në finalen Carabao Cup (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

NË PRITJE TË PREZANTIMIT TEK MILAN/ Flet Ibrahimovic si “Kuqezi”: Do të “luftoj” me ekipin për…

Delo.autor

E BUJSHME/ Messi “mollë sherri” te Barcelona, Laporta dhe Bartomeu akuzojnë

Delo.autor

Leave a Comment