Futboll Sport

NUK KA QETËSI TE PARTIZANI/ Gega PEZULLON Trashin, nuk ishte as në stërvitje

Nuk ka qetësi për Partizanin. Në momentin më të mirë që po kalon skuadra, e cila është e vetme në krye dhe të hënën ka mundësi që të shkëputet edhe më shumë nga ndjekësi më i afërt, janë rikthyer edhe një herë problemet disiplinore. Në prag të sfidës që mund të përcaktojë shumë vazhdimësinë e sezonit, asaj ndaj Skënderbeut, klubi i kuq ka vendosur të pezullojë Lorenc Trashin. Largimi i lojtarit në mënyrë të çuditshme pas ndeshjes me Luftëtarin ka bërë që drejtuesit të mos e falin atë.

 

 

 

PEZULLIMI

Burime të sigurta në klubin e Partizanit bëjnë të ditur se Trashi është pezulluar nga drejtuesit. Ai nuk ishte pjesë e skuadrës në seancën e djeshme stërvitore që zhvilloi ekipi në Pezë-Helmës. Futbollisti që mbajti shiritin e kapitenit në sfidën e fundit me Luftëtarin do të stërvitet me Partizanin B për disa ditë. Mësohet se ende nuk është vendosur nëse Trashi do të luajë në ndeshjen e së hënës ndaj Skënderbeut apo jo. Burimet konfirmojnë se një vendim i tillë ende nuk është marrë, por ka pak gjasa që mesfushori të mungojë ndaj korçarëve. Për momentin, pezullimi i tij është vetëm për disa ditë në seancat stërvitore.

LARGIMI

Trashi ishte kapiten në sfidën e së dielës së kaluar ndaj Luftëtarit dhe menjëherë pas vërshëllimës së gjyqtarit u fut në dhomat e zhveshjes, duke mos festuar së bashku me ekipin në përshëndetjen që bëhet me tifozët. Madje, Trashi ka dalë shumë i nervozuar edhe nga dhoma e zhveshjes, ndërsa drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama e ka ndjekur, por nuk ka arritur që ta arrijë.

Ky veprim duket se i ka kushtuar shtrenjtë Lorenc Trashit, i cili është pezulluar menjëherë nga drejtuesit e klubit. Madje, në lidhje me veprimin e Trashit pas sfidës së të dielës, u pyet edhe trajneri Skënder Gega, i cili deklaroi: “Nuk e di pse u largua. Nuk besoj se ka diçka mes Trashit dhe dikujt tjetër. Ndoshta nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e tij në minutat e fundit, pasi pretendon më tepër. Nuk besoj se ka të bëjë me pozicionin. Ishte i lirë dhe u morëm vesh me të”.

Kujtojmë që Trashi është spostuar si mbrojtës i majtë nga mesfushor që ka qenë më parë. Burimet thonë për gazetën se ky pozicion i ri në fushë ka krijuar pakënaqësi te futbollisti, të cilin nuk e kanë mbajtur më nervat dhe ka shpërthyer në formën e tij. 26-vjeçari rinovoi kontratën me Partizanin deri në 2020-ën vetëm pak ditë përpara sfidës me Luftëtarin, por duket se nuk e ka festuar në mënyrën e duhur këtë vendim të tij. Trashi është pjesë e Partizanit që prej vitit 2014 dhe ka qenë titullar i padiskutueshëm. Megjithatë, futbollisti nuk e ka kapërcyer lehtë faktin që luan si mbrojtës i majtë dhe ka reaguar.

Related posts

“ENDE NDIHEM SHUMË MAÇO”/ Pasuria marramendëse e kampionit shqiptar të boksit dhe jeta si familjar (FOTO)

Delo.autor

E BUJSHME/ MILANI dhe NAPOLI “përplasin brirët”, ja sa kërkon REALI për “MAESTRON”

Isa.Autor

“DO DOJA QË TA KISHIM IBRAHIMOVIC NË EKIP”/ Flet mesfushori Bonaventura: Që të rritemi na duhen lojtarë që…

Delo.autor

Leave a Comment