Pas një mungese dy javore, rikthehet Champions League. Në ndryshim nga takimet e para të grupeve, kuadri i përgjithshëm i kësaj jave të dytë është më pak soft, duke qenë se përballjet janë më të lehta në letër sa i përket ekipeve të mëdha.
Ditën e martë do të zbresin në fushë skuadrat e Grupit E, F, G dhe H. Dy ndeshje do të zhvillohen, sipas tashmë ndryshimeve të këtij edicioni sa i përket orarit, në orën 18:55. Bëhet fjalë për Hoffenheim-Manchester City dhe Juventus-Young Boys. Skuadra e Guardiolës, pas hapit fals në Angli përballë Lyon, kërkon 3 pikët e para në grup, ndërsa nuk lejohen gabime të tjera.
Në anën tjetër, në Torino, Juventusi do të zbresë në fushë pa Cristiano Ronaldon, i skualifikuar për epsiodin në “Mestalla” ku me Valencian u ndëshkua me të kuq.
Përballë kampionëve në fuqi të Zvicrës, Young Boys, do të jetë sërish radha e Mario Mandzukic, që po kalon moment fantastik, teksa duhet parë edhe gjendja e Paulo Dybala, që ndaj Napolit mori një goditje në kavilje. Do të vazhdojë të jetë jashtë fushe edhe Douglas Costa. Bardhezinjtë duan një tjetër fitore për të konsoliduar kreun e grupit.
Në po të njëjtin grup, në fushë do të zbresë edhe Manchetser United, që vjen nga një situatë e tensionuar, mes toneve të larta, polemikave, stolit të lëkundur të Mourinho-s dhe luftës së hapur mes tij dhe Pogba. United do të presë në “Old Trafford” Valencia, që humbi me Juven në sfidën e parë.
Në Grupin G, Roma duhet të kthehet te suksesi pas humbjes me Real Madridin. Përballë do të ketë surprizën e madhe Victoria Plzen. Ndërsa, galaktikët do të udhëtojnë në Moskë, përballë CSKA Mosca.
Në Grupin E, Bayern Munich do të ketë të bëjë me Ajax, që kryeson grupin pasi fitoi takimin e parë ndaj AEK-ut 3-0. Në Greqi, sakaq, skuadra e Selanikut pret Benfican. Të dyja me zero pikë dhe do të duan të marrin pikët e para.



