Futboll Seria A Sport

A MUND TË FRYMËZOHEN NGA INTERI I 2010?/ Ja përgjigjia e Spallettit, para Barçës

Mijëra zemra tifozësh zikaltër mezi po presin. Superfida po afron. Pas 8 vitesh, Interi gjen Barcelonën në “San Siro”, këtë herë jo në gjysmëfinale, por në fazën e grupeve të Champions-it. Një ndeshje, të cilën Luciano Spalletti u mundua ta “parashkruajë” në konferencën e zakonshme për shtyp, mesditën e sotme.

“Ne mund të luajmë kundër të gjithëve, – thotë trajneri zikaltër. – Fakti që ekipi po bën mirë, si në lojë dhe rezultate, e bën të qartë një gjë: ky është shansi i konfirmimit të plotë. Të shohim nëse ky është rasti, pavarësisht vështirësisë së madhe që na pret”.

Lionel Messi është thirrur në skuadrën katalanase për këtë transfertë dhe Spalletti vetëm ngazëllohet nga ky fakt: “Ai është qershia mbi tortë, nëse i referohemi lojës së Barcelonës. Fanella e tij është më e kërkuara në botë nga fëmijët që ëndërrojnë për t’u bërë futbollistë. Shumë mirë që do të vijë në Milano, sepse ia shton kredencialet kësaj përplasjeje të shumëpritur nga të gjithë”.

A mundet që Interi i Mourinhos, i cili në vitin 2010 e eliminoi Barcelonën, të jetë një frymëzim për zikaltrit sot? Ja si përgjigjet Spalletti: “Unë nuk mendoj kështu. Futbolli është gjithmonë i njëjtë, por ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Pra, ju duhet të keni një ide, ta propozoni për lojtarët atë, ta ndërtoni në stërvitje, ta përgatisni në disa seanca. Do të jemi me këmbët në tokë, duke pasur rezistencë. Besoj se e kemi aftësinë për t’i transformuar pozitivisht mundësitë e krijuara në fushë”.

Pra, kjo është rruga për t’u ndjekur nga zikaltrit: “Barça është një pikë referimi për të gjithë trajnerët, jo vetëm për futbollistët. Me këtë filozofi duhet të hyjmë në fushë nesër mbrëma”.

Po çfarë nuk shkoi si duhet në sfidën pararendëse me katalanasit, në “Camp Nou”, ku humbja ishte e konsiderueshme? “Ne nuk arritëm ta mbanim topin në kohën që na duhej, pasi e merrnim atë. Do të duhet të jemi më mirë nesër në këtë drejtim. E dimë se kundërshtarit nuk i pëlqen t’ia marrë kush topin, sepse do ta ketë vetëm të tijin, por me personalitet mund të bëjmë më mirë në këtë aspekt”, – shton trajneri zikaltër.

Cila është situata me Nainggolan, i cili u kthye pas lëndimit, kundër Genoa? Spalleti sqaron: “Kjo do të vendoset pas trajnimit të sotëm. Ai vjen nga një problem i vogël, ndaj duhet ta monitorojmë situatën mirë, edhe me stafin mjekësor. Pastaj do të vendosim”.

Rafinha shënoi gol në ndeshjen e parë. Trajneri i Interit ka vetëm fjalë pozitive për ish-lojtarin e tij, sezonin e kaluar: “A pendohem që nuk e kam në dispozicion atë? Rafinha ishte shumë i rëndësishëm për ne, por kishte afate dhe çmime, të cilave nuk mund t’iu përgjigjeshim. Kishte disa kufizime për ta mbajtur tek Interi, që duheshin respektuar. Klubi bëri mirë që i respektoi ato. Rafinha është spektakolar, me kënaqësi do ta merrja atë, por mund të luajmë futboll edhe pa të”.

Pavarësisht vështirësisë që paraqet ndeshja e nesërme, Spalletti nuk do të nënshkruante për një barazim: “Nuk pajtohemi me barazimin. Ne nuk duhet të ngujohemi në mesfushë, apo gjysmëfushën tonë, por të mbajmë e luajmë topin. Kur ta humbim atë, të përpiqemi për ta fituar përsëri, duke fituar metra dhe fushë”.

Konferenca e shtypit përfundoi me një dozë të bukur realizmi: “Tani po thonë se jemi më të mirë se Napoli. Por, Napoli ka një mentalitet, që ka zgjatur me vite. Në sezonin e fundit kemi pasur ulje dhe ngritje. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ne jemi rritur, por së paku duhet të qëndrojmë në këto nivele dhe të mos kthehemi prapa. Si sezonin e kaluar, që e filluam të fortë, por pastaj ramë”.

Allegri e konsideron rival për titullinnjë skuadër si Interi. Trajneri zikaltër nuk zhbilancohet: “Kjo është një lojë e vogël, në të cilën shkarkoni presionin mbi të tjerët. Në profesionin tonë janë të njohura këto strategji. Bardhezinjtë janë më të fortë se ne dhe ndoshta mund të fitojnë Champions-in, në qoftë se dikush tjetër nuk do të bëjë gjëra të mahnitshme, fjala vjen Barcelona. A është Juventusi, ekipi për t’u mundur edhe në Ligën e Kampioneve? Po, është e mundur. Juventusi ka potencial, por Barça është shumë e fortë”.

Related posts

MERKATO E BUJSHME/ Arsenal-Juventus, shkëmbim i çmendur në sfond?

Delo.autor

Sergio Ramos dhe Nacho tallen dhe imitojnë Cristiano Ronaldo në stërvitje (VIDEO)

Sadik.Autor

NGA REKORDET TEK E ARDHMJA/ Ibra skanon Milanin: Këta nuk e mbajnë dot presionin

F.autor

Leave a Comment