Futboll La Liga Sport

Barcelona synon vazhdimësinë ndaj Rayos, Solari debuton në La Liga me Realin

Një javë pas triumfit në “El Clasico” Barcelona do të përballet me një tjetër skuadër madrilene, këtë herë në kryeqytet me një ekip modest siç është Rayo Vallecano. Ndonëse pa Mesin Barça bëri një figurë të shkëlqyer ndaj Realit, duke përfituar në maksimum nga problemet e mëdha që po kalojnë “los blancos”, sidoqoftë ylli argjentinas është rikthyer në gjirin e ekipit dhe prej ditësh po stërvitet bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, megjithëse në rastin më të mirë 31-vjecari nga Rosario nuk do të mund të zbresë dot në fushën e lojës përpara duelit me Interin në Champions League, takim që do të mbahet në San Siro të martën e ardhshme. Mesfushori Arthur i ardhur nga Gremio në muajin korrik vazhdon të përshtatet gjithmonë e më tepër me lojën e skuadrës katalanese, madje edhe në mesjavë në Kupën e Mbretit Ernesto Valverde i dha minuta 22-vjecarit në ndeshjen e zhvilluar në Leon, ndaj Cultural Leonesa-s, sfidë të cilën Barça e fitoi falë golit të realizuar vetëm në kohën shtesë nga mbrojtësi francez Clement Lenglet, që shënoi golin e tij të parë me fanellën blaugrana. Pas 10 javëve kampionët në fuqi rimorën kreun dhe Barcelona ka një rast të shkëlqyer për të koleksionuar 3 pikët e radhës, duke patur parasysh që kalendari i ofron në orën 20:45 një kundërshtar si Rayo, që pozicionohet në vendin e parafundit në ligën spanjolle, ekip të cilin Barça e ka mundur radhazi në 11 përballjet e fundit ndërmjet tyre, madje duke i shënuar gjatë kësaj periudhe 50 gola gjithsej.

Më herët në orën 16:15 në fushë do të zbresë Reali i Madridit, që i është besuar përkohësisht Santiago Solari-t. Ish-mesfushori argjentinas që ka mbajtur veshur fanellën “merengues” për plot pesë sezone është emëruar në rolin e kujdestarit, pas shkarkimit të Julen Lopetegui-t. Kuptohet në një klub si Reali që ka fituar si asnjë ekip tjetër 3 Champions radhazi, nuk është thjesht cështje presioni. Situata është e qartë dhe ndoshta deri diku e pritshme. Futbollistët janë të mbingopur nga sukseset e njëpasnjëshme në Evropë dhe natyrshëm pas largimit të yllit të ekipit Cristiano Ronaldo të gjitha përgjegjësitë për ecurinë negative të këtyre muajve tashmë bien mbi presidentin Florentino Perez. Lojtarëve kryesorë duket se iu mungon motivimi dhe nevojiten trajnerë të mirëfilltë, sic ndodhi me Mourinho-n dhe Ancelotti-n, që hodhën bazat e ndërtuan gjithashtu edhe skuadrën e pamposhtur, që më pas theu të gjitha rekordet në Kontinentin e Vjetër. Santiago Bernabeu-n këtë herë do ta vizitojë Valladolid-i, ku president është Ronaldo fenomeni, që deri në vitin 2007 kontribuoi për pesë sezone te “Los Blancos”, për më tepër klubi nga Kastilja dhe Leon pozicionohet më lart dhe numëron dy pikë më shumë në tabelën e renditjes sesa Reali i Madridit. Vendasit vijojnë me shumë probleme në mbrojtje për shkak të mungesave, megjithatë që të gjithë presin kthesën e sigurisht edhe 3 pikët, pasi kjo është ndeshja e vetme që “rekordmenët e Spanjës” do të luajnë në shtëpi deri në fillimin e muajit tjetër, kur në kryeqytet do të zbresë Valencia.

Related posts

E ÇUDITSHME NË ITALI/ I vetëm përballë portierit, lojtari habit me veprimin e tij. Largon topin jashtë sepse… (VIDEO)

Delo.autor

SFIDA NDAJ TIRANËS/ Alarm dëmtimesh për teknikun Ndreu, krutanët kërkojnë me urgjencë rikthimin e…

Delo.autor

ZYRTARE/ Mavraj i surprizon të gjithë me të ardhmen, ish-kapiteni i Kombëtares firmos në…

Delo.autor

Leave a Comment