Futboll Shqipëri Sport

DOPIO HEBAJ/ Shkodrani vendos diktatin në derbi dhe fundos TIRANËN (VIDEO)

Sa herë këto dy ekipe përplasen mes tyre, ka spektakël në fushë e tribuna, rivaliteti është në nivele maksimale, dëshira për të fituar është njësoj si të ishte ndeshja e parë, ndonëse kjo e sotmja ka lënë pas 150 sfida të tjera. Partizani i njeriut të urtë, strategjik dhe të taktikës, Skënder Gegës, priti sot në “shtëpinë” e bardhebluve, rivalin e Tiranës, të drejtuar nga Ardian Mema, pinjoll i dinastisë “Mema”, Tirons prej ditëve të para të krijimit të këtij ekipi.

Tirana sulmon e para, kërkon të çlirojë presionin jo vetëm për sezonin aspak të mirë të bërë deri më tani dhe humbjen e derbit në fazën e parë, por edhe për të thyer një “mallkim” që e përndjek prej 14 ndeshjesh ndaj Partizanit. Kështu grinta dhe impulset e para në portën e “demave” i japin pikërisht të besuarit e Memës, që fitojnë një goditje këndi që në nisje të lojës, por pa rrezikuar portën. Minutat vijojnë dhe ende pa u nxehur mirë muskujt, janë sërish bardheblutë, që shfaqin rrezik me Grent Halilin që i largon një top nga duart Alban Hoxhës.

Dhjetë minutat e para dominohen nga lojtarët e Tiranës, ndërsa Skënder Gega nis të ngrejë zërin, duke i kërkuar skuadrës së tij reagim. Kështu ndodh kur Esat Mala tenton nga më shumë se 30 metra duke gjuajtur fluturimthi, por topi shkon përbri portës. Të njëjtën gjë bën dhe Telushi pak më vonë, por sërish topi shkon jashtë kuadratit.

Pas minutës së 15-të loja bëhet më e nxehtë, kur Lorenc Trashi gjuan drejt portës por Abibi largon në goditje nga këndi. Asgjë nuk ndodh pas saj, ndërsa në minutën e 19` Tirana tenton sërish me Grent Halilin, por Hila largon rrezikun. I pari i verdhë vjen një minutë më vonë, teksa një ndërhyrje e gabuar e Asion Dajës, bën që arbitri të nxjerrë kartonin e verdhë.

Në vijim loja mbetet me ritëm të lartë, por asnjëra dhe as tjetra nuk shfaqin rrezik, teksa në minutën e 31` Lorenc Trashi pengohet brenda zonës, duke pretenduar penallti. Mirëpo Eldorjan Hamiti fut dorën në xhep dhe nxjerrë të verdhin për simulim. Ndërkohë që gjashtë minuta më vonë Labinot Ibrahimi ndëshkohet me të verdhë, pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Karabecit. Lojë e ashpër dhe me shumë dyluftime, ndërkohë që gjithçka balancohet me kalimin e kohës.

Video: Momenti kur ka pretendim për penallti nga Trashi!

Partizani provon gjithçka për gjithçka, teksa në minutën e 40` Jurgen Bardhi mund të kishte ndryshuar shifrat. Një pasim nga krahët gjuhet me kokë nga sulmuesi i “demave”, por topi shkon në shtyllën e jashtme. Ndërsa dy minuta më vonë një aksion i Partizanit përfundon me rrjetën e goditur nga Belica, por anësori ngre flamurin për pozicion, duke anuluar golin.

Një  minutë nga fundi i pjesës së parë, Asani tund traun e portës, pasi Trashi ekzekuton një goditje dënimi, topi shkon te Asani që gjuan por është traversa që i mohon golin. Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm, si përfundoi e para.

Në minutën e 51`, vjen momenti i shumëpritur për Tiranën, pikërisht nga ai që askush nuk do e kishte pritur. Grent Halili, djali i Presidentit të ekipit bardheblu, që këtë mbrëmjen e nisi si titullar, shënon golin e avantazhit për Tiranën.

Një kombinim i shkëlqyer i lojtarëve të tiranës brenda zonës së Partizanit, bën që topi të shkojë në këmbët e Halilit, që gjendet zbuluar në krahun e djathtë duke kaluar topin sipër Alban Hoxhës. Kështu Tirana zhbllokohet dhe shënon një gol që vlen shumë, në këto momente për ekipin bardheblu. Ndërkohë në pjesën e parë Partizani pati një mundësi të shkëlqyer me Asanin, që goditi traversën duke i mohuar golin.

Video: Momenti i shënimit të golit nga Grent Halili

Para ndeshjes Halili nuk shihej si pjesë e formacionit, por duket se zgjedhja e Memës ka qenë e goditur, pasi futbollisti nuk është aktivizuar gjatë këtij sezoni. Pas golit të Halilit, vjen dhe reagimi i Partizanit, teksa në minutën e 78` është Hebaj i sapofutur në lojë.

Harkim nga e majta për sulmuesin i cili gjuan me kokë por Abibi ndal goditjen e tij. Topi mbetet aty dhe Hebaj e shtyn më pas drejt rrjetës. 1-1. Ndeshja vijon të jetë në barazim 1-1, ndërsa ritmi i saj në këto minuta të fundit është shtuar ndjeshëm, ku efekti i tifozëve shton dhe më shumë adrenalinën.

Video: Goli i parë i Hebajt!

Minutat në vijim vijojnë me spektakël, është Partizani që vijon të mbetet në sulm duke tentuar golin e dytë. Sërish një tranversë mohon golin, por në minutën e 86` gafa e pafalshme e mbrojtësve të Tiranës, i jep mundësi Rubin Hebajt të futet në histori, duke shënuar golin e dytë dhe të avantazhit për skuadrën e tij. 2-1, dhe e gjithë festa është për tifozët e Partizanit që i gëzohen suksesit të radhës në derbi përballë rivalit të përjetshëm.

Me këtë fitore Partizani shkon në kuotën e 34 pikëve dhe duke mbajtur kryesimin, ndërsa Tirana mbetet në vendnumëro, duke u zhytur dhe më shumë moralisht por dhe në renditje, pasi mbetet në vendin e tetë me 11 pikë.

Related posts

INVESTIMET E DYSHIMTA/ 500 milionë euro gabime, 9 “dështimet” e Juventusit

Delo.autor

MUNGON ZYRTARIZIMI/ Diskutohen detajet e fundit, Partizani pret mesfushorin kongolez (FOTO+VIDEO)

Delo.autor

LIVE/ Mbyllet ndeshja Bayern Munich-Tottenham. Rezultati 3-1

Delo.autor

Leave a Comment