Futboll Kombëtarja Sport

“KATASTROFA ME SKOCINË”/ Komunikimi, disfata më e madhe e Panuccit!

Uellsi është përballallja e fundit, që kombëtarja e futbollit, do të ketë kundër për këtë vit kalendarik. Shpërfytyrimi nga Skocia mbrëmjen e së shtunës ishte një shuplakë, që rëndon jo pak pozitat e trajnerit, i cili deri më tani ka zgjedhur të vijojë punën, ndërsa vendimin për të ardhmen e ka lënë në dorën e Armand Dukës. Mirëpo nëse trajneri ka zgjedhur të mos dorëhiqet, nën dhe ka kuptuar se gabimet janë të gjitha të tijat, padyshim lojtarët mbajnë përgjegjësi për tjetër gjë. Pa analizuar anën taktike dhe teknike (ekskluzivitet i specialistëve të futbolli), ka disa gjëra që duhen marrë në konsideratë.

Ndeshja ndaj Skocisë ishte e teta për këtë vit kalendarik, katër janë zyrtare dhe katër të tjera janë ndeshje miqësore. Nga këto takime, Shqipëria nën drejtimin e Christian Panuccit, ka humbur gjashtë ndeshje, ka fituar vetëm një dhe ka barazuar një tjetër. Bilanci është i qartë, jemi kthyer vite pas. Të vlerësuar në disa aspekte, gabimet e Panuccit, veç atyre profesionale, janë dhe disa të tjera që kanë të bëjnë me sjelljen humane.

Komunikimi me median – Trajneri i ekipit kuqezi, ndryshe nga paraardhësi i tij, Gianni De Biasi, ka pasur një komunikim të tendosur me median. Sa herë gazetarët e kanë pyetur për skemat, listën e lojtarëve të grumbulluar, ndryshimet e çuditshme gjatë lojës apo formacionet titullare dhe jo vetëm, përgjigjet kanë pasur gjithmonë doza arrogance.

Komunikimi me lojtarët – “Ansi Agolli është plak”, ishte një nga frazat e thëna pak muaj më parë nga Christian Panucci, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kapitenin e kombëtares. Ai lajmëroi fundin e karrierës së një futbollisti, kur në fakt ky i fundit vijon të jetë aktiv në fushën e lojës. Ndoshta fillimisht kaloi me sportivitet, kuptohet ndikimi që pati në skuadër, ndërsa Agolli pa që t`i mbyllej dera në ekipin kombëtar.

Komunikimi në skuadër – Në daljen e një jave më parë në konferencë për shtyp, trajneri u shpreh se ka një skuadër memece. Lojtarët nuk komunikojnë ndërmjet tyre dhe kjo sipas tij, e detyron të bërtas shpesh gjatë ndeshjes për t`u treguar detyrat taktike lojtarëve. Po përse nuk komunikojnë lojtarët?! Ndryshimi i gjeneratave…Disa futbollistë e kanë pranuar indirekt se ndryshimi i gjeneratave në ekip ka efekte, por edhe pse është domosdoshmëri ky ndryshim, duket se brenda ekipit, kurrë nuk u përgatit terreni i duhur për këto ndryshime. Kjo ka prishur balancat brenda skuadrës.

Komunikimi me tifozët – Në kujtesën e shumë kujt, është i freskët kujtimi me bojkotin e stadiumeve shqiptare, sa herë që luante ekipi kombëtar. Gati për një periudhë dy vjeçare tifozët Kuq e Zi, nuk ishin prezent në stadium. Ndonëse për këtë nuk kishte lidhje Panucci, gjatë periudhës që drejton kombëtaren, pak kush mund të ketë dëgjuar një deklaratë të trajnerit në lidhje me “lojtarin e 12-të”.

Fajin e kanë…të dëmtuarit- Pas çdo disfate, apo para çdo ndeshje, futbollistët e dëmtuar të kombëtares, kanë qenë pjesë e deklaratave të trajnerit. Disa herë janë përdorur për justifikim rezultati e disa herë të tjera për justifikim të listës së grumbullimeve. Të dëmtuarit kanë qenë “fajtor” për humbjet, sa herë është gjendur ngushtë trajneri.

Rezultati – Të gjitha këto duket që kanë krijuar një sjellje antipatike ndaj trajnerit, pra në këndvështrimin publik, pa analizuar aspak sjelljen profesionale të tij. Në aspektin human, bashkuar dhe rezultatet, trajneri i ekipit kombëtar ndodhet në kushte më të vështira që mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë trajner i ekipit kombëtar. Historia me humbje dhe drama në futbollin shqiptar ka pasur shumë, por të paktën trajnerët që e kanë drejtuar, kurrë nuk janë kontestuar kaq sa Panucci.

Related posts

NUK I FSHEH AMBICIET E VETA DHE TË ATALANTAS/ Luis Muriel: Kujdes Juventus, për tiullin jemi…

Delo.autor

MUNGON VETËM ZYRTARIZIMI/ Rubin Hebaj kryen testet mjekësore me skuadrën e re

Delo.autor

Kunata seksi zbulon planet verore të Icardit

Sadik.Autor

Leave a Comment