Futboll Shqipëri Sport

MOVIOLA/ Flamurtarit i mohohet një penallti, arbitri lë “nam” në Fushë-Krujë

Java e 12-të e Kategorisë Superiore shkoi përgjithësisht mirë për gjyqtarët, edhe pse rastet që penalizojnë skuadra nuk mungojnë. Klubi që me të drejtë duhet të ankohet është Flamurtari, teksa në ndeshjen ndaj Luftëtarit iu mohua një penallti e pastër. Edhe në takimet e tjera pati pretendime për 11-metërsha, por gjyqtarët rezultojnë të kenë dhënë vendime të drejta. Një dukuri negative që u shfaq këtë javë dhe që për më tepër ul autoritetin e arbitrit është kontestimi që bënë lojtarët e Kastriotit ndaj kryesorit Orlando Kuka në ndeshjen e luajtur të mërkurën në Fushë-Krujë, ku Partizani fitoi 1-2. Ajo që habiti më tepër ishte fakti se kryesori nuk tregoi autoritetin e tij.

Tirana – Kukësi 0-0

Gjyqtarë: E.Jorgji (kryesor), E.Barushi dhe R.Çokaj (anësorë), L.Alla dhe I.Myrtja (arbitra të linjës), M.Dervishi (i katërt);

Sektori i gjykimit në FSHF kishte vlerësuar maksimalisht ndeshjen Tirana-Kukësi, duke plotësuar kërkesën e dy klubeve që kryesorët dhe asistentët të ishin me stemën e FIFA-s. Në minutën e 32-të është Rexhinaldo që pengohet brenda zonës nga portieri Abibi. Gjyqtari jep direkt penallti dhe me të drejtë ndëshkon me karton të verdhë portierin e Tiranës. Në këtë rast, në bazë të rregullores së re të FIFA-s, evitohet kartoni i kuq, pavarësisht se i hiqet lojtarit mundësia e shënimit të golit.

Ndërsa në minutën e 43-të kemi një pozicion jashtë loje të dhënë në limite nga anësori Barushi. Sentamu del i vetëm në zonë dhe shënon, por goli anulohet, pasi sulmuesi ishte më i avancuar se lojtari i fundit i Kukësit, Zguro. Rasti tjetër për moviolë është kartoni i kuq i Melos pas dy të verdhëve. Fillimisht braziliani ndërhyn rëndë ndaj Dokës, duke qenë në limitin e të kuqit, por Jorgji i jep të verdhë.

Ndërsa në minutën e 88-të shkakton faull sërish ndaj Dokës, por këtë herë ndëshkohet për shkak të kontestimit të arbitrit me gjeste antisportive. Ka edhe një tjetër rast në pjesën e dytë, kur edhe pse topi shkon në zonë, aty ku Cuculi në duel me Sentamunë rrëzohen të dy, Jorgji çuditërisht jep një faull inekzistent që ndodhi në krahun e majtë në dëm të Grecës.

Flamurtari – Luftëtari 0-0

Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), D.Rexha (Tiranë), M.Qose (Lushnjë);

Flamurtari-Luftëtari u gjykua nga një treshe mikse me kryesor Olsid Ferataj nga Patosi. Ndërsa anësor ishin Denis Rexha, që mban stemën e FIFA-s, si dhe Marjus Qose i kolegjiumit të Lushnjës. Rasti më flagrant i ndeshjes ishte ai i minutës së 9-të, kur Mustafa goditi me portën e boshatisur dhe mbrojtësi i Luftëtarit, Rustem Hoxha, në përpjekje për të larguar topin me trup, e prek me dorën e majtë. Kryesori Ferataj dhe anësori Qose vijojnë lojën, por pamjet filmike tradhtojnë arbitrat, pasi duhej akorduar 11-metërsh dhe karton i kuq për Hoxhën.

Një rast për moviolë ishte edhe ai i minutës së 32-të, kur Liçaj ndërhyri ndaj Mustës në zonë, por këtu gjyqtari veproi drejt. Nuk kemi të bëjmë me penallti, pasi Liçaj largoi topin përpara se Musta të rrëzohej. Edhe ky i fundit nuk protestoi në këtë moment.

Kamza-Teuta 1-3

Gjyqtarë: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova (Fier);

Rast shumë i diskutueshëm në minutën e 76-të, kur u dha penallti në favor të Teutës. Pamjet nuk janë të qarta, pasi kishte rrëmujë në zonë. Progni rrëzohet në tokë pas një kontakti me Frashërin, por Sino ishte i vendosur, duke akorduar penallti.

Laçi-Skënderbeu 2-0

Gjyqtarë: J.Xhaja, E.Doda (Tiranë), R.Malaj (Vlorë);

Në minutën e 28-të, Altiparmakovski nis një kundërsulm dhe driblon portierin Teqja, por rrëzohet dhe kërkon karton për portierin. Kryesori Xhaja me të drejtë e ndëshkon me të verdhë për simulim sulmuesin e Laçit. Në të 35-ën, Gripshi futet në zonë dhe kërkon të driblojë, por sfera përplaset në dorën e Gjonit, që rrëzohet. Prekje e pavullnetshme dhe kryesori vijon lojën, duke u shpjeguar korçarëve se bëhej fjalë për dorë në pozicion natyral që nuk akordohet penallti.

Kastrioti-Partizani 1-2

Gjyqtarë: O.Kuka, D.Myftari, N.Bregasi (Tiranë);

Në minutën e 73-të kemi një ndëhyrje të Shehut ndaj Asanit. Arbitri Kuka me të drejtë ndëshkon Shehun me të verdhë, por më pas rrethohet nga lojtarët e Kastriotit, madje goditet me kokë nga Domgjoni. Për habinë e të gjithëve, Kuka nuk ndëshkon me të kuq Domgjonin.

Related posts

Reali i Madridit “zapton” Spanjën, nuk ndodhte që prej vitit 2002

Sadik.Autor

ANKTH TEK ANGLIA/ Futbollisti kundërshtar luajti i infektuar me Koronavirus

Delo.autor

VJEN GODITJA BRENDA KLUBIT/ Ylli i Tottenhamit merr vendimin për të ardhmen

Delo.autor

Leave a Comment