Futboll Premier League Sport

NGA KANTE TE MORATA/ Sarri nën akuzë për humbjen e parë

Nëse humbja e parë sezonale vjen në fund të nëntorit, për çdo trajner ecuria mund të konsiderohet fantastike, por nëse je pjesë e Premier Ligës dhe ke përballë “përbindësha” si Manchester City apo Liverpool, duhen bërë mirë llogaritë, sepse gjithçka mund të shembet shumë shpejt.

Kjo po ndodh me italianin Maurizio Sarri te Chelsea, sepse humbja e fundjavës ndaj Tottenham-it ka bërë që ish-trajneri i Napolit të përballet me kritikat e para.

Më i drejtpërdrejti në kritikat ndaj italianit është ish-sulmuesi legjendar Alan Shearer, i cili në një analizë për The Sun përqendrohet sidomos te vendimi i Sarri-t për t’i ndryshuar pozicion në fushë mesfushorit N’Golo Kante.

“Nuk arrij ta kuptoj se Sarri nuk e vendos Kante para katërshes së mbrojtjes. Pa francezin e vogël që ndjek këmba-këmbës kundërshtarët dhe mbyll çdo gropë në mbrojtje, qendërmbrojtësit David Luiz dhe Antonio Rudiger janë jashtëzakonisht të ekspozuar dhe Tottenham-i përfitoi më së miri të shtunën.

“Leicester City fitoi kampionatin me Wes Morgan dhe Robert Huth në qendër të mbrojtjes, mbrojtës të mirë, por asnjeri prej tyre nuk është shumë i shpejtë. Difektet e tyre i mbulonte Kante – mesfushori me tipare mbrojtëse më i mirë në botë, absolutisht. Jorginho nuk është në nivelin e tij.

“Kante përdoret shumë keq dhe nuk jep asgjë, duke u vendosur në të djathtë, më i avancuar. Ai nuk është mesfushor ofensiv, nuk ka arsye pse të prekë 62% të topave në mesfushën kundërshtare, ku nuk di ç’të bëjë, ndërsa vjet Chelsea fitonte ndaj Tottenham-it dhe jo rastësisht Kante shumicën e topave i prekte në mesfushën e vet.

“Për pasojë, Luiz pati një mbrëmje të tmerrshme, gaboi në të gjithë golat dhe u çorodit nga lëvizjet e Kane, Alli e Son. Luiz ka nevojë për mbrojtje, i duhet patjetër dikush në mesfushë që ta dublojë.

“Megjithatë, nuk është problemi vetëm te mbrojtja, sepse gjithë Chelsea luajti shumë keq. Befasia më e madhe për mua është që Chelsea nuk kishte humbur ende deri tani. Alvaro Morata ishte sërish mediokër, po të kisha flokë do i shkulja nga nervat, duke e parë të dilte aq shpesh në pozicion jashtë loje. Tottenham-i ishte fantastik, Chelsea dhe Luiz janë me fat që ia hodhën me vetëm 3 gola të pësuar, por me Kante në pozicionin e vet natyror mund të ishte një histori tjetër”.

Related posts

E TRISHTË/ Futbolli gjerman në zi, shuhet në moshën 75-vjeçare legjenda Gerd Muller

Delo.autor

CHAMPIONS/ 8 gola në 10 ndeshje, vetëm 3 janë më të mirë se Icardi në histori

Delo.autor

UEFA E GJOBITI ME 20 MIJË EURO/ Ja për sa minuta e shlyen këtë shifër Cristiano Ronaldo

Delo.autor

Leave a Comment