Futboll Kategoria Superiore Sport

“SYNOJMË FITOREN”/ Cungu: Duam pikë të plota me Kamzën, Cale edhe sikur të vinte…

Armando Cungu nuk kërkon të gjejë alibi për shkak të mungesave në prag të ndeshjes me Kamzën, në transfertë. Trajneri shkodran foli në konferencën për shtyp të rastit edhe për merkaton apo faktin që Cale firmosi përfundimisht me Flamurtarin.

Pauza e kampionatit: “Nuk na shërbeu për rikuperimin e disa futbollistëve, të cilët nuk do të jenë gati as për ndeshjen e nesërme në Kamëz. Gjithsesi, jemi munduar të bëjmë më të mirën me kontigjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion. Shpresoj që nesër të shohim një Kukës shumë luftarak në fushë, me synimin e përhershëm, marrjen e tri pikëve.

Presioni për rezultatin: Edhe po të jesh në krye, ke presion për ta ruajtur vendin e parë. Unë jam i fokusuar maksimalisht te puna dhe ekipi. Do të bëj maksimumin, si nga ana profesionale dhe njerëzore, për këtë klub. Me çfarë është në dorën time, do të bëj maksimumin për ta përmbushur detyrën si trajner i Kukësit.

Gjoka trajner i Kamzës: Për mua nuk do të thotë asgjë. Përtej pikëve që ka Kamza, është një ekip për t’u respektuar. Luajnë edhe në fushën e tyre, ndaj dinë të shprehen natyrshëm më mirë se jashtë. E kuptoj situatën, sepse Kamza dhe ne kemi nevojë të madhe për pikë. Në fund të fundit, le t’ia lëmë fushës verdiktin. Ai ekip që do të këmbëngulë më shumë, do të shprehet më mirë në fushën e lojës, patjetër do të jetë më afër fitores. Shpresoj të dalim ne me pikë të plota nga stadiumi i Kamzës.

Merkatoja:  Nuk kam bërë asnjë listë përforcimesh për janarin. Nuk kam shumë kohë për t’u marrë me merkaton, sepse jam i fokusuar maksimalisht te puna me ekipin, me këta djem që kemi në dispozicion. Dua t’i marr më të mirën këtij grupi. Kam fjalë të mira për lojën që kemi zhvilluar, por futbolli luhet për pikë. Keqardhja është vetëm në marrjen e pikëve. Nuk kemi grumbulluar aq pikë, sa kemi merituar në fushën e lojës, me futbollin që kemi treguar. Shpresoj që në vazhdimësi të kemi një sjellje tjetër, në këtë drejtim.

Cale i Flamurtarit: Kemi diskutuar vazhdimisht për të me presidentin, me drejtorin. Që nga ardhja ime si trajner është përmendur problematika e këtij futbollisti. Gjyqe pa fund me Cale, pretendimet e Flamurtarit për ta marrë. Ardhja e Cale do t’ia shtonte vlerat ekipit tonë, por gjithsesi kishte edhe një kohë të humbur, shkëputjeje nga aktivizimi. Ju mund të thoni se është stërvitur në Vlorë, por duke ardhur te Kukësi, me një ekip krejtësisht të ri nga ai që ka lënë, do të donte shumë kohë për t’u përshtatur. Drejtuesit e kanë parë më të arsyeshme për të bërë këtë zgjidhje.

Shkurtaj për sulmin? Përmenden shumë emra, shpesh ka edhe nga ata që nuk janë absolutisht në orbitën tonë. Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Më ka ndodhur në çdo ekip, që përmenden emra lojtarësh, të cilët nuk kanë lidhje me realitetin. Kjo nuk do të thotë se është rasti i Shkurtajt i tillë, por është shumë herët për të folur për këto gjëra. Kemi edhe pesë ndeshje përpara, deri në janar, në të cilat duhen pikët maksimale. Ne jemi të fokusuar te puna me djemtë.

Related posts

NJË SELFIE QË I KUSHTON SHUMË SHTRENJTË/ Pas FOTOS yllin me Depay, ja dënimi që merr tifozi 13-vjeçar…

Delo.autor

LIVERPOOLI NË AVANTAZH/ Shënon një gol të shpejtë Firmino (VIDEO)

Delo.autor

Juventus-Milan, rivaliteti i humbur në kërkim të shkëndijave të dikurshme

Sadik.Autor

Leave a Comment