Futboll Sport

AVENTURA E ZIKALTËRVE/ Marota: Interi, më mirë se Juvja e…

Pasi u emërua administrator i deleguar i Interit me fuqi mbi zonën sportive të klubit, Xhuzepe Marota ka nisur zyrtarisht aventurën zikaltër.

Për ish-drejtuesin e Juventusit, të premten ka kaluar mbrëmjen e parë në qendrën sportive “Appiano Gentile”: ka darkuar së bashku me gjithë pjesën tjetër të bordit (Auzilio, Gardini, presidentin Zhang dhe Antonelon), trajnerin Luçiano Spaleti dhe skuadrën, rreth orës 20:00: një moment i rëndësishëm, për t’iu prezantuar lojtarëve (takoi secilin një nga një) e për t’u dhënë një mesazh të rëndësishëm pas daljes së hidhur nga Champions-i.

Sakaq, dje ka qenë ndeshja e parë (Inter-Udineze: e ndoqi përkrah Zhang Jr.) si pjesëtar interist, përpara së cilës Marota është ndalur nga gazetarët e “Sky Sport” për t’iu përgjigjur disa temave.

“Nisemi nga një situatë e ndryshme krahasuar me Juven e 2010-ës, kur u transferova te bardhezinjtë: qëndrojmë më përpara. Diferenca me ta është ende e madhe, do nevojiten muaj apo disa vite për t’i arritur, por nuk kërkojmë alibi.

Duam të fitojmë dhe të arrijmë majat”. Spaleti ka mbështetjen e të gjithëve: “Konte? Luçiano është një trajner i shkëlqyer, i duhen mundësuar kushtet për të punuar i qetë. Edhe ai u transferua tek Interi në një moment të vështirë dhe arriti pozicione të rëndësishme. Është normale që të ketë ulje-ngritje, jemi një grup i ri. Eksperienca në Champions do nevojitet për vitin e ardhshëm, siç ndodhi me Juventusin”.

Duke u ndalur tek Europa, disa fjalë për eliminimin nga Champions-i: “Janë dinamika të pranueshme në brendësi të një sezoni. Të shohim përpara me qetësi dhe optimizëm. Kemi ende objektiva për të arritur”.

Mbi rinovimin e Ikardit dhe merkaton: “Mauro është kapiteni dhe goleadori ynë, do përballemi me këtë temë në kohët e përshtatshme. Merkato? Fiton kush shpenzon më shumë. Rëndësi ka klubi dhe puna, struktura dhe objektivat e vendosura. Paratë janë plotësuese”.

Related posts

ÇUDIA TEK TIRANA/ Heroi i Europës për bardheblutë “gozhdohet” në stol. Edhe me Partizanin…

F.autor

PËRBALLJA CHAMPIONS AJAX-JUVENTUS/ Ja për sa kohë janë shitur biletat për çerekfinalen

Delo.autor

FORMULA 1/ Bottas fiton garën, Leclerc fatlumi i madh. Hamilton shkatërron gjithçka

Delo.autor

Leave a Comment