Futboll Seria A Sport

ELEMINIMI NË ATHINË SHFAQI “BOSHLLËQE”/ Në sfond ka hije zëvendësuesish, Gattuso rrezikon…

Humbja e Athinës ndau më dysh vijën e mendimit kuqezi. Secili mban krahun që i duket i drejtë. E bëri Gatuzo, po ashtu si Leonardo e tifozët. Ka nga ata që e drejtojnë gishtin nga gabimet e arbitrit, të dukshme dhe objektivisht vendimtare në rrjedhën e ndeshjes, teksa të tjerë mendojnë se ishte paraqitja kuqezi që shfaqi boshllëqe ndaj një rivali jo fort të shkëlqyer. Gatuzo ndërkohë vazhdon të ecë mbi një urë me themele të brishta, fundja diçka të tillë e ka bërë që në fillimet e aventurës së tij milaniste si trajner.

Humbja në Greqi ka shkërmoqur jo pak shpresa të teknikut 40-vjeçar për të kapërcyer urën e në thelb janë tri arsye: Grupi ishte brenda mundësive të Milanit, eliminimi njollos historinë kuqezi në Europë, teksa në nivel ekonomik vazhdimi i rrugëtimit europian do të sillte të ardhura shtesë në arkat e klubit.

HAPËSIRË – Disa ditë më parë, presidenti Skaroni sqaronte se rezultatet e këqija kishin efekt direkt mbi të ardhurat. Me humbjen e së enjtes, në qendër të kritikave ka përfunduar përsëri Gatuzo, i cili nuk ka më hapësirë gabimi duke qenë se merr pjesë vetëm në kampionat dhe kupë. Vendi i katërt është mënyra e vetme për të rritur fitimet dhe për të qëndruar brenda rregullave të UEFA-s, pasi eliminimi europian dhe gjoba 12 milionëshe u shndërruan këto ditë në një dush të ftohtë për të gjithë ambientin kuqezi.

VARTËSI – Duke përjashtuar rëniet vertikale të Milanit, Gatuzo nuk është fort në dyshim për sa i përket të ardhmes së afërt. Klubi i ka konfirmuar besim, por nëse Rino dhe të tijtë e katranosin, drejtuesit kanë gati listën e kandidatëve për të zëvendësuar. Venger është një emër i përmendur në orët e fundit për shkak të lidhjeve me administratorin e “Djallit”, Ivan Gazidhis.

Teksa ëndrra është Antonio Konte, disi më i arritshëm duket Roberto Donadoni. Ky i fundit favorizohet nga përvoja, e kaluara kuqezi e mbi të gjitha, kostoja e punësimit. Kalendari nuk duket i pamundur, me Milanin që do të ndeshet deri në fund të vitit me Bolonjën, Fiorentinën, Frosinonen dhe Spalin. Falë këtyre takimeve, zona Champions duket e “përforcueshme” në pritje që skuadrës t’i rikthehen nga dëmtimet disa lojtarë kyçë. Ndërkohë që Leonardo do të studiojë ndonjë afrim për të rritur cilësinë e organikës, Rinos nga 2018-ta mund t’i mbesë kënaqësia e të qenurit trajneri i Serisë A, që ka grumbulluar më shumë pikë pas Masimiliano Alegrit.

Related posts

NGA SHIU NË BRESHËR/ Me të shënojnë edhe sulmuesit e tjerë, ja si Ibra e “ringjalli” Milanin

Delo.autor

I JEP MEND SOLARIT/ Panucci: Më e lehtë të drejtosh Real Madridin, sesa Shqipërinë

Isa.Autor

Benzema: Lamtumirë Real Madrid!

Sadik.Autor

Leave a Comment