Futboll Premier League Sport

HIRUSHJA ANGLEZE/ Wolves mposht edhe Newcastle, ngjitet në 10-shen e parë

Pas një periudhe të errët pa asnjë fitore në harkun e dy muajve të fundit befas Wolverhampton Wanderers siguron 6 pikë në vetëm katër ditë në Premier League dhe pas përmbysjes së madhe ndaj Chelsea-it në mesjavë “ujqërit” arritën të rrëmbejnë një fitore tepër të rëndësishme 2-1 brenda në Newcastle, teksa mposhtën ekipin e trajnerit Rafa Benitez me një gol të shënuar pikërisht në sekondat e fundit të takimit. Në St. James’ Park përpara 50.000 spektatorëve miqtë nga West Midlands kaluan të parët në epërsi, që në minutën e 17-të kur sulmuesi i ri portugez Diogo Jota kontrolloi shkëlqyeshëm krosimin e ardhur nga krahu i djathtë nga bashkëkombasi i tij Helder Costa, për të shënuar më pas brenda zonës së vogël. Vetëm gjashtë minuta më vonë vendasit barazuan shifrat me anë të sulmuesit spanjoll Ayoze Perez, që shfrytëzoi në mënyrën më të mirë me kokë harkimin e venezuelianit Jose Rondon.

Nëse në fraksionin hapës ishin “magpies” që ngulmuan më shumë, në pjesën e dytë ishte radha e “ujqërve” për t’u kundërpërgjigjur, por natyrisht në mënyrën sesi vazhdoi ndeshja influencoi ndjeshëm kartoni i kuq i nxjerrë nga kryesori Mike Dean, në minutën e 57-të për mbrojtësin e përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara DeAndre Yedlin, i cili gaboi në kontrollimin e topit dhe ndali në mënyrë të parregullt 22-vjeçarin luzitan Diogo Jota, që u lëshua i vetëm drejt portierit Dubravka. Goli i fitores për ekipin e Nuno-s u realizua në mbylljen e minutës së 94-ët. Për habinë e të gjithëve skuadra vendase u kap në befasi, nga një kundërzbritje e shpejtë e Wolverhampton-it dhe në fund portieri sllovak ishte vërtet shumë i pafat, pasi topi i larguar prej tij u kthye me kokë drejt portës së zbrazur nga mbrojtësi i përfaqësueses së Irlandës, 26-vjecari Matt Doherty që shënoi golin e tretë sezonal në Premiership. Pas triumfit 2-1 të “ujqërve” wolverhamptoni ngjitet në gjysmën e parë të tabelës së renditjes, pesë pozicione më lart dhe me plot 9 pikë më tepër se Newcastle United, që klasifikohet në vendin e 15, me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 16 javë kampionat.

Related posts

NDODH EDHE KËSHTU/ Nga shitja e Ronaldos përfiton edhe Barcelona…

Isa.Autor

“JAM MË I VOGLI NË SUPERIORE”/ Kush është futbollisti 17-vjeçar që po shkëlqen te Bylisi

Delo.autor

ELSEID HYSAJ: Ancelotti-RONALDO do të jetë një “LUFTË” e bukur që do e fitojë…

Isa.Autor

Leave a Comment