Mallkimi i numrit 9 te kuqezinjtë duket se ka gjetur te Gonzalo Higuain një tjetër “viktimë”. Argjentinasi është i fundit, në një listë të gjatë sulmuesish, që kanë pasur vështirësi të mëdha me këtë fanellë te Milani. Ky i fundit nuk mundi të dalë dot nga kriza.
Barazimi 0-0 kundër Frosinone ishte një tjetër demonstrim i vështirësisë së madhe, që kuqezinjtë kanë për të gjetur rrugën e golave. Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi, në të cilën të besuarit e Gattuso kanë dështuar për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm.
E gjithë skuadra është në “agjërim”, por është e vështirë të mos mendosh menjëherë për sulmuesit, në një situatë të tillë “thatësire”. Nën xhamin zmadhues është vendosur Higuain, edhe ai me fanellën numër 9, e cila, që nga koha kur e ka lënë Inzaghi, ka sjellë vetëm zhgënjime.
Fillimi i aventurës plot shpresë për Paton, i cili, në sajë të një fiziku tepër të brishtë, nuk arriti të përmbushë parashikimet e bëra prej tij. Me numrin 9 mbi supe (jo 7), braziliani luajti vetëm për një sezon, duke bërë vetëm katër paraqitje. Golat dhe asistet kanë një fjalë të vetme përcaktuese: zero.