Futboll Shqipëri Sport

MOVIOLA E JAVËS 15/ Partizanit i MOHOHET penallti, GAFA edhe në Gjirokastër (RASTET)

Java e 15-të e Kategorisë Superiore ishte e përqendruar më shumë te Partizani-Tirana, por raste flagrante për moviolë pati thuajse në të gjitha takimet, edhe pse vendimi që krijoi më shumë polemika ndodhi pikërisht te derbi i kryeqytetit.

Eldorian Hamiti nuk dha një penallti në favor të Partizanit kur rezultati ishte 0-0, ndërsa raste të shumta të diskutueshme pati në Skënderbeu-Teuta, por që në fund i japin të drejtë Enea Jorgjit. Në Gjirokastër, aty ku Kukësi fitoi minimalisht ndaj Luftëtarit, ekipi vendës është dënuar në dy raste që mund të vendosnin fatin e ndeshjes, e cila u zgjidh nga një gol në fund.

Partizani – Tirana 2-1

Gjyqtarë: E.Hamiti (kryesor), R.Çokaj dhe D.Rexha (anësorë), J.Xhaja dhe K.Kola (arbitra të linjës), D.Myftari (i katërt);

Rasti më flagrant ishte ai i minutës së 30-të, kur Lorenc Trashi i Partizanit rrëzohet në zonë pas driblimit të Toni Mavejesë. Arbitri fillimisht heziton të japë 11-metërsh, e më pas e cilëson aksionin si simulim të Trashit, duke e ndëshkuar këtë të fundit me karton të verdhë. Mirëpo, pamjet filmike “tradhtojnë” gjyqtarin lezhjan, pasi kemi të bëjmë me një ndërhyrje të gabuar të Mavajesë, paçka se Trashi duket sikur rrëzohet përpara se afrikani ta pengojë. Hamiti duhet të kishte akorduar penallti për Partizanin.

Ndërsa në minutën e 94-t, kur Trashi largoi një top për të vonuar lojën, nuk mbajti të njëjtin standard. Për këtë rast duhet t’i jepte kartonin e dytë të verdhë lojtarit dhe ta nxirrte me të kuq, por e fali. Të njëjtën gjë bëri edhe me Dajën e Hoxhallarin, që kishin marrë të verdhë në pjesën e parë dhe rrezikuan në të dytën me ndërhyrje të ndëshkueshme, por që Hamiti u mundua t’i kalonte me këshillime. Ndërsa në minutën e 42-të u anulua edhe një gol i Partizanit, shënuar nga Belica, por me të drejtë nga anësori Denis Rexha për një pozicion jashtë loje.

Skënderbeu – Teuta 0-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), I.Tartari (Fier), R.Avdo (Tiranë);

24′ Kallaku futet në zonë dhe bie pasi ndien një dorë në shpinë të Demtes. Durrsakët pretendojnë penallti, por nuk mendon kështu Jorgji, që jep një vendim i drejtë.

34′ Vangjeli kroson në zonë për Bregun, vlonjati gjuan me kokë, por është pozicion jashtë loje dhe goli anulohet. Vendim i drejtë i asistentit Rejdi Avdo.

44′ Muzaka ndërpritet në zonë nga Beqja dhe Jorgji i ndodhur pranë, nuk heziton dhe tregon pikën e bardhë. Ai ndëshkon me të dytin të verdhë mbrojtësin e Teutës, që del automatikisht me të kuq. Kryesori vepron drejt, pasi faulli ishte dhe penallti neto.

48′ Muzaka në afërsi të pikës së penalltisë gjuan drejt portës, por topi bllokohet nga Aliti. Mbrojtësi i korçarëve i mohon golin ekipit të tij, por mendon që të rikuperojë dhe e shtyn në rrjetë. Ky rast sinjalizohet për pozicion jashtë loje. Asistenti Tartari vepron drejt, pasi jo vetëm Aliti, por edhe Oto Xhon ishte “ofsajt”.

59′ Vangjeli shënjestron portën, por topi ndalet te dora e Osmanit. Skënderbeu pretendon penallti. Prekja është e pastër, por ishte jashtë zone. Në këtë rast duhet të jepej vetëm goditje dënimi, gabon Jorgji.

62′ Demte trondit traversën dhe topi kthehet te Muzaka, i cili shënon. Goli anulohet për faull të mesfushorit ndaj Osmanit dhe dukshëm duket dora pas shpinës së mbrojtësit të Teutës nga Muzaka. Vendim i drejtë.

Laçi – Kamza 0-0

Gjyqtarë: K.Kola, E.Barushi, R.Shaba (Tiranë);

43′ Altiparmakovski futet në zonën e Kamzës, në një dyluftim me Bonanin dhe rrëzohet. Pretendon penallti, por për gjyqtarin gjithçka e rregullt. Vendim i drejtë i Kolës.

64′ Fangaj ishte i vetmi lojtar që u ndëshkua me të verdhë, por në minutën e 64-t duhet të kishte marrë kartonin e dytë pas ndërhyrjes së Martinenës. Gafë e kryesorit Kola.

90+3′ Eller shtyhet nga Fukui në zonë. Një rast në limitet e penalltisë, por Kola vijon lojën, duke mos e konsideruar faull.

Luftëtari – Kukësi 0-1

Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, D.Agaraj (Tiranë);

8′ Anësori Denis Agaraj jep një pozicion jashtë loje të paqenë, në një aksion ku Shkurtaj del i vetëm me portierin. Pamjet filmike nxjerrin zbuluar anësorin, pasi sulmuesi i Luftëtarit mbahej në lojë nga Qaqi.

47′ Ramadani në duel me Çyrbjen prek topin në sparkatë, e më pas rrëzohet bashkë me kundërshtarin. Meta i jep të verdhin e dytë dhe automatikisht të kuq (në atë moment takimi ishte 0-0), duke gabuar për një rast që maksimumi mund të jepej faull, por jo karton. Luftëtari luajti 45 minuta me 10 lojtarë.

Kastrioti – Flamurtari 1-0

Gjyqtarë: A.Koçi, E.Pashaj, H.Lisaku (Durrës);

87′ Bardhi bën një sprint të gjatë dhe futet bukur në zonë, por Alla i ndërhyn në mënyrë të gabuar duke shkaktuar penallti. Vendim i drejtë i gjyqtarit Andi Koçi, por në këtë takim durrsaku e bëri ndeshjen “bilbil”, pasi në pjesën e dytë ka pasur shumë pak lojë efektive.

Related posts

“TIKI-TAKA” NË ZONË/ Pas kombinimeve të shumta, ylli Aubameyang rindez sfidën (VIDEO)

Delo.autor

Deklarata surprizë/ Ja vendimi i fundit i Ronaldos në lidhje me të ardhmen 

Isa.Autor

NË PRAG TË NDESHJES NDAJ RENNESIT/ Tuchel thur elozhe: Ai mund të luajë kudo në fushë

Delo.autor

Leave a Comment