Futboll Shqipëri Sport

PANUCCI TEK ROMA? Flet Duka: Me seriozitetin që ka besoj se…

Presidenti i FSHF, Armand Duka bën bilancin e vitit 2018, nga Kombëtarja, te Superiorja dhe tematikat e futbollit shqiptar.

2018 – Nuk kam qenë ndonjëherë mësues, për të vënë nota, por një hap pozitiv me ato që ka dhuruar në jetën shqiptare.

MANDATI I PESTË – Ishte një garë ndryshe, nuk ka emocionet e lojës, por ka emocionet e një gare alternativash, për institucionin më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri. Alternativa nuk ishte për t’u nënvlerësuar, ishte një ish-kryeministër, një figurë publike, dhe e bëri si një ndeshje, madje edhe të kuotuar.

KANDIDIMI NË EKZEKUTIVIN E UEFA-s – Nuk e shoh si një sfidë të Dukës, por një sfidë të institucionit të FSHF, që Shqipëria të përfaqësohet atje. Ka qenë në politikat tona të vazhdueshme. Jo vetëm në futboll, sa më shumë të jemi të përfaqësuar, të jemi aktiv në organizmat ndërkombëtarë, më mirë do jetë. Jo për interesa të atyre që do jenë atje, personale, por për interesa të institucionit. Shqipëria ka përfaqësues pothuajse në të gjitha komitetet e UEFA-s. Kemi edhe zyrtarë të ndeshjeve, më shumë se 20 nga FSHF.

Organi është po ai, votuesit po ato, por konkurrentët janë të tjerë. Fakti që në një mënyrë është vlerësuar deri diku kandidatura e Shqipërisë para 2 vitesh, është një hap pozitiv. Unë e kam konsideruar fituese edhe atë eksperiencë më parë, edhe pse nuk u zgjodha, pasi me atë prezantim, u njohëm më shumë nga afër, shkëmbyem më shumë mendime pothuajse me të gjithë anëtarët e UEFA-s. Tani do e zgjerojmë edhe më shumë.

DUKA NË ZGJEDHJET LOKALE 2019? – Nuk e besoj se do kandidoj në politikë.

KOMBËTARJA – Do ishte mirë nëse do ishim të parët në grup, t’i fitonim të gjitha ndeshjet. Por, futbolli nuk është matematikë, jo gjithmonë i drejtë. Nuk kemi luajtur keq. Ndeshja më e mirë, ishte ajo me Izraelin, por edhe atë e humbëm. Ishte specifike pasi ishim në një grup me 3 skuadra. Gabimet ishin të limituara. Një gabim me kartonin e kuq që e bëri kapiteni ynë, e humbëm atë ndeshje në Shkodër, por futbolli është ky. Në grup me 6 skuadra, ke mundësi të bësh mirë dhe keq, ndërsa aty një herë të bësh keq, nuk ke më shanse. Skocia konsiderohet në letër një ekip më i fortë se Shqipëria dhe Izraeli. Ne jemi ende në grupin C, dhe nuk kemi rënë nga kategoria.

REZULTATET NË 2018 – Bilanci nuk mund të konsiderohet pozitiv, por edhe paraqitja nuk është e njëjtë. Edhe pse me Uellsin quhet fitore, nuk më gëzon aq shumë. Dua më shumë përgatitjet për ndeshjet zyrtare.

BILANCI I PANUÇIT – Nuk jam penduar as që e kam emëruar, as që kam vendosur të vazhdoj me të. E konsideroj vendim të drejtë. Në kohë të ndryshme, merren vendime të ndryshme. Kam besim se do bëjë mirë në të ardhmen.

53 LOJTARË TË THIRRURR, 46 TË AKTIVIZUAR – Trajneri dhe stafi janë të rinj, ata kanë dashur që të prekin sa më shumë alternativa. Unë besoj se trajneri duhet të shohë sa më shumë, edhe elemente të rinj që dalin. Për grupin e eliminatoreve, besoj se e ka krijuar idenë e qartë për grupin e tij.

PANUÇI TE ROMA? – Nuk e di sa i vërtetë është ai lajm. Nëse e kërkon Roma, besoj se është një lajm i mirë. Por, me seriozitetin që e njoh që ka, nuk besoj se ka nisur ndonjë negociatë me ta. Mua nuk më ka marrë.

Të ka shqetësuar marrëdhënia e Panuccit me mediat, apo edhe me një reagim ndaj tifozëve?
Nuk më ka ardhur mirë dhe personalisht i kam bërë vërejtje. Në krahasim me trajnerët e tjerë të mëparshëm, Panucci reklamon më pak sesa ka në të vërtetë. Nuk kujdeset të bëjë promocion për veten, sesa për të bërë punën e tij, ndonëse është detyrë e tij që të vendosë në raport korrekt me median.

Sa besim keni që Kombëtarja mund të përsërisë kualifikimin për në Europianin e ardhshëm?
Duhet të kemi parasysh që ky është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Që të bëhet i mundur, duhet që shumë faktorë të bëhen bashkë dhe të bëjmë një edicion perfekt. Grupi është i komplikuar, pasi në Europë nuk ka më skuadra me të cilat ti mund të marrësh 6 pikë të sigurta pa hyrë në fushë. Kemi në grup kampionët e botës, Turqinë, që mund të renditet edhe në vazon e dytë, pasi ka në përbërje emra dhe futbollistë shumë të mirë. Pavarësish rezultateve të fundit, Turqia mbetet një skuadër me lojtarë që luajnë në klube të mëdha të Europës. Islanda ka treguar se ka një skuadër shumë të mirë, me futbollistë që shumica luajnë në Premier League. Shqipëria duhet të luftojë me këta kundërshtarë, por nuk duhet të mendojë asnjëherë se ka fitore të sigurt me Andorrën dhe Moldavinë. Duhet të bëjë maksimumin me këto të dyja, për të mos gabuar dhe më pas do të luftojmë për t’ia dalë. Mund të kishim edhe një grup më të vështirë, ndaj besoj te lufta për t’ia dalë.

Flasim pak për kampionatin shqiptar. Ky vit ka qenë një nga më pak të kontestuarit, pasi u duk se skuadrat morën atë që meritonin…
Të gjithë kampionatet e fundit, në këndvështrimin tim dhe jo vetëm, kanë qenë të forta dhe të luftuara, me 10 skuadra që kanë pak diferenca mes tyre. Këto lloj diferencash po eliminohen çdo ditë e më shumë, dhe kështu vijnë edhe rezultate të paparashikueshme. Edhe vitin e kaluar ishte një kampionat shumë i luftuar në të gjitha nivelet, përveç Lushnjës që u shkëput disi. Edhe gjysma e kampionatit aktual është i luftuar, me kualitet dhe me talente që përfaqësojnë skuadra të ndryshme, ndaj është e vështirë të parashikosh.

Në Kupat e Europës kemi kaluar vetëm dy ture…
Skënderbeu na ka mësuar të avancojmë shumë në kupat europiane, ndërsa besoj se ndikoi edhe fati, pasi Partizani dhe Kukësi u eliminuan për shkak të një shorti të komplikuar. Megjithatë mendoj se meritojmë pak më shumë se këto dy ture, ndryshe nga disa vite më parë kur ishte diçka e rrallë kalimi i një turi të vetëm.

Pjesa e parë e këtij sezoni, ka prodhuar një garë shumë të ashpër, ku kushdo mund të fitojë ndaj kujtdo…
Nëse shohim rezultatet, kuptojmë që kampionati është i paparashikueshëm,. Janë zhdukur diferencat mes skuadrave, por edhe ato të faktorit fushë,. Çdo gjë është e hapur, ndonëse Partizani e ka mbyllur me meritë në krye, duke u shpallur kampion dimri. Të 6 skuadrat e kreut, i kanë mundësitë për të qenë kampionë dhe do të provojnë deri në fund për këtë .

Duket se po prodhohen edhe emra të rinj, gjë e bukur kjo për kampionatin…
Ka disa elementë të rinj, që vijnë nga shkolla shqiptare të futbollit dhe po bëjnë vërtetë mirë. Nuk dua të përmend emra, por disa prej tyre spikasin shumë dhe mund të jenë alternativa për Kombëtaren shqiptare. Madje disa shërbejnë edhe si asete për klubet e tyre, pasi po shiten shtrenjtë tashmë.

Mendoni se është përmirësuar niveli i arbitrimit, apo nuk po merren më klubet me gjykimin?
Unë mendoj se arbitrat kanë gabuar edhe në këtë fillim kampionati, njëlloj si në të tjerët, por vetë klubet tashmë kanë krijuar më shumë besim dhe janë bindur se kemi të bëjmë me gabime njerëzore, që janë pjesë e lojës. Arbitri është një lojtar, që nëse i krijon kushte të mira dhe pak presion, do të luajë më mirë dhe do të bëjë më pak gabime. Kemi parë edhe në VAR- gabime në vendime, jo më në atë arbitrimin njerëzor, ku duhet të vendosësh menjëherë.

VAR-i duket larg Shqipërisë, por 6 arbitrat janë më të mundshëm…
Si për VAR-in, edhe për 6 arbitrat, nuk na mungon asgjë përveç financave. Të dyja kërkojnë kosto të mëdha, që për ne momentalisht janë të papërballueshme.

Një nga gjërat që duhet ta evidentojmë si problematikë, janë shumë ndeshje pa tifozë. Ka një dorë të hekurt ndaj çdo lloj sjelljeje?
Edhe mua nuk më pëlqen ky lloj dënimi, por nuk është se kemi gjetur një masë tjetër alternative që të parandalojë sjelljet e gabuara. Këtë pasojë parashikon Kodi i Disiplinës, por unë mendoj se duhet rritur bashkëpunimi mes klubeve dhe organeve kompetente, që të identifikohen individët që shkaktojnë rrëmuja në stadium dhe të dënohen ata personalisht, pa pasur nevojë për dënime kolektive. Kjo do të ishte gjëja më e mirë, por për momentin nuk kemi arritur ta bëjmë këtë gjë, ndonëse po punojmë për t’ia dalë dhe për të përmirësuar edhe rregulloren. Kemi nevojë për shumë tifozë në stadium, ndaj edhe mua nuk më tingëllon mirë kjo situatë.

Sa larg jemi nga Anglia, ku tifozët identifikohen dhe marrin dënime të ashpra individuale?
Një shqiptar në stadium është shumë më i kulturuar sesa një anglez në stadium, por ligjet dhe rregullat atje, i disiplinojnë ata. Këtë duhet të bëjmë edhe ne, por nuk mund ta bëjë vetëm FSHF-ja. Duhet bashkëpunim me klubet dhe policinë, për t’ia dalë. Pas ndeshjes Skënderbeu-Partizani, ku pati goxha trazira dhe konfrontime me gurë e stola, nuk pati asnjë identifikim dhe penalizim për shkaktarët, ndonëse pati edhe pamje filmike. Në këto kushte, kalojmë te masa tjetër, që është e papërshtatshme.

A mund të kalohet te instalimi i kamerave në stadiume, për të bërë këtë identifikim?
Ka filluar instalimi i kamerave dhe besoj se sezonin e ardhshme do t’i kemi prezente në të gjitha stadiumet e Superiores.

Prekim pak krijimin e Ligës Profesioniste. E konsideroni këtë si një hap të parë drejt asaj se çfarë realisht duhet të përfaqësojë kjo ligë?
Liga është një formë organizimi që teorikisht duhet të jetë më e mirë për Kategorinë Superiore, Ne po tentojmë të bëjmë atë që është më e mirë, por duhet të shohim nëse do të prodhojë një garë më të mirë, më shumë të ardhura, më pak fenomene negative. Pra duhet ta shohim në praktikë, sepse teorikisht synohet përmirësimi i të gjitha aspekteve.

Mendoni se na duhen edhe klube profesioniste, për një ligë profesioniste?
Është diskutuar shpesh kjo çështje, por unë mendoj se nuk mund të jetë kusht për krijimin e Ligës, funksionimi perfekt i klubeve., Mendoj se të dy bashkë, pra klubet dhe Liga mund të ndihmojnë njëra-tjetrën drejt përmirësimit të organizimit, duke shkëmbyer më shumë eksperienca dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Tani bashkë mund të punojnë për të shitur emrin e Kategorisë Superiore, për të afruar donatorë etj, gjë që do të ndihmonte të gjithë klubet.

Mbeteni ende i mendimit, që struktura e Kategorisë së Parë është e duhura për kampionatin tonë?
10 skuadra është numri optimal për realitetin tonë sot, duke parë numrin e futbollistëve që kemi, për gjendjen financiare, për të ardhurat që krijohen nga të drejtat televizive etj. Nuk është ideale, por optimale, sepse unë do të preferoja 20 skuadra, por ne nuk kemi mundësi të krijojmë 20 skuadra konkurruese.

Një nga gjërat më pozitive në institucionin tuaj ,është infrastruktura, ku po avancohet me “Arenën Kombëtare”, por edhe “Shtëpinë e futbollit”…
Janë dy vepra shumë të mëdha dhe të rëndësishme për vende si Shqipëria. Kemi një projekt për një stadium mjaft optimal për një vend si i yni. Jemi në rrugën e duhur për ta përfunduar në kohën e parashikuar, pavarësisht ndonjë problematike financiare. Infrastruktura në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm, me stadiumin e Elbasanit, të Shkodrës, etj., ndërsa tani do të investojmë në një projekt interesant për stadiumin e Kukësit, që pritet të ketë një kapacitet prej 6000 vendesh. Mbetemi të angazhuar për të përmirësuar kushtet në të cilat luhet futbolli, pasi vetëm kështu mund të përmirësojmë edhe nivelin e futbollit. Duhet të shtojmë gjithashtu edhe numrin e fushave të futbollit në Tiranë dhe jo vetëm.

A kemi një datë për hapjen e “Arenës Kombëtare”?
Në vitin 2019, sigurisht që ne do të zhvillojmë ndeshje në stadiumin kombëtar dhe besoj se do ta inaugurojmë në maj ose në qershor.

A ka gjetur zgjidhje edhe problemi që ju keni reklamuar në lidhje me rimbursimin nga ana e Ministrisë së Financave?
Sipas nesh dhe ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë që kemi kontraktuar për këtë çështje, ne kemi plotësisht të drejtë në kërkesat tona dhe uroj që Ministria e Financave, me ndërhyrjen e kryeministrit, të ndryshojë dhe të na rimbursojnë, pasi në të kundërt cënohet investimi ynë për ndërtimin e stadiumit dhe kërcënohet përfundimi në kohë i tij.

A kishte lidhje vizita e Sekretarit Organizativ të UEFA-s, edhe me këtë lloj problematike?
Në fakt vizita e tij ishte për të parë projektet dhe fazën e zhvillimit të tyre, por edhe për të parë pengesat financiare që na kanë dalë. Pati edhe një takim me kryeministrin, ku u diskutuan edhe këto lloj vështirësish.

Po “Shtëpia e Futbollit”, kur pritet të përfundojë?
Brenda vitit 2019 do të përfundojë stadiumi dhe i gjithë kompleksi, bashkë me ambientet përreth. Investimi për “Shtëpinë e Futbollit” ishte totalisht i Federatës, por me donacione të UEFA-s.

Ka një klimë jo fort pozitive në situatën financiare të shumë klubeve. Ju si e keni parë këtë situatë?
Gjendja financiare e klubeve të futbollit, ka ardhur në përmirësim, pasi deri para pak vitesh kishin të ardhura zero dhe tashmë kanë disa të ardhura të sigurta si ato nga e drejta televizive, por edhe sponsorët që kanë në bluzë. Edhe të ardhurat nga merkatoja, apo shitja e futbollistëve, po vijnë në rritje. Ne duhet të insistojmë për të siguruar të ardhura nga mosha e edukimit të futbollistëve, pasi nuk e kemi shfrytëzuar këtë aspekt. Klubet nuk janë në situatën më të mirë të mundshme ekonomike, por ka përmirësim të dukshëm. Sa i përket taksimit, duhet që ne bashkë me klubet, të lobojmë dhe propozojmë për të arritur ato synime që kemi, për të mos larguar investitorët në sport.

Pas reformës territoriale, prisja një kujdes të shtuar nga bashkitë e mëdha, ndaj sportit, por po më rezulton e njëjta qasje…
Kultura e investimit, mirëmbajtjes dhe shtimit të ambienteve sportive, është thuajse zero në klubet dhe në institucionet vendore. Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për shembull, nuk i kushton shumë që të ndërtojë në mënyrë të pavarur, 50 fusha futbolli, të cilat kushtojnë maksimalisht 10 milionë euro. Kështu do të shtonte ushtrimin e futbollit amator dhe atij të fëmijëve.Pra nuk është çështje ekonomike, por çështje prioriteti. Unë mendoj se ka ardhur dita që vërtetë të mendojmë për investimet në sport. Nuk është luks, por domosdoshmëri dhe lekët e investuara në sport, i kthehen bashkisë dhe qeverisë, në forma nga më të ndryshmet.

Çfarë prisni nga 2019-a?
Në prag të festave, më lejoni t’u uroj të gjithëve gëzuar Krishtlindjen dhe vitin e ri. Uroj një 2019 sa më të mbarë.

Related posts

Numërojnë 20 Champions League/ REALI dhe MILANI luajnë 90 minuta për një trofe

Isa.Autor

E PAZAKONTË/ Trajnerin e Premier League e presin GJARPËRINJTË në ndeshjen ndaj…

Isa.Autor

Betis, Joaquin: Messi? Nuk dimë ç’të themi më për të

Q.Autor

Leave a Comment