Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI – KUKËSI/ Llogaritë janë më se të pranishme në të dyja kampet

Kryendeshja e javës së 17-të, Partizani-Kukësi, do të luhet në një ambient që nuk i shkon për shtat as një takimi të rëndomtë futbolli, jo më një dueli mes dy ekipeve që pretendojnë titullin kampion. Është mëkat që një ndeshje e tillë të luhet pa tifozë në stadium.

Sikur të mos mjaftonin temperaturat e ulëta të kësaj periudhe, mungesa e tifozëve e bën edhe më të ftohtë atmosferën në “Selman Stërmasi”, ku në orën 18:00 do të jetë vërshëllima e gjyqtarit Enea Jorgji, ajo që do të japë sinjalin se në atë impiant luhet një ndeshje futbolli.

Nisur nga kjo atmosferë, por edhe deklaratat, të jepet përshtypja se Partizani-Kukësi do të luhet në një qetësi të plotë, sa për të përmbushur kalendarin. Por, nëse qetësia mbizotëron në tribunat e stadiumit, skuadrat brenda vetes “vlojnë”, kështu që qetësia duket e “rreme”. Llogaritë janë më se të pranishme në të dyja kampet, kështu që do të luftohet fort për të përmbushur objektivat.

Së pari, Partizanit i duhet fitorja si ndeshje radhe, por më shumë duhet për t’u arratisur nga Kukësi, një rival direkt për titull. Nga +5 që është diferenca aktuale, me një fitore “demat” do ta thellonin shkëputjen në +8 pikë. Por, edhe barazimi mund të hyjë në punë, pasi do të mbeteshin në të njëjtat pozita në krahasim me kuksianët. Ata që e duan më shumë fitoren janë miqtë, pasi që në fillim të sezonit kanë deklaruar se janë për titull dhe që ta arrijnë këtë synim, u duhet që të afrohen me kreun.

Në rast fitoreje, skuadra e Cungut do të ishte 2 pikë larg Partizanit, që e ka të sigurt kreun edhe pas kësaj jave, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i ndeshjes. Së dyti, ajo që e bën të “rreme” qetësinë e dukshme, ka të bëjë me antagonizmin dhe thumbimet që kanë pasur dy klubet në të shkuarën.

Para dy sezonesh, të kuqtë janë ndjerë të vjedhur, pasi, sipas tyre, titulli i përkiste Partizanit. Sigurisht, ky duel i radhës mund të shërbejë si një shenjë “hakmarrjeje” për të dyja ekipet.

Partizani kërkon të shlyejë humbjen e thellë që Kukësi i shkaktoi vjet në fazën e katërt, 4-0. Ndërsa verilindorët do të kërkojnë shpagimin e disfatës së fazës së parë, ku të kuqtë i mundën 1-0 në “Elbasan Arena”, që për të besuarit e trajnerit Cungu ishte ndeshje në shtëpi.

Related posts

LIVE/ Flamurtari-Kastrioti: Shënon Bushiç, ekipi i Dajës në avatazh (VIDEO)

Isa.Autor

U LARGUA NGA MANCHESTER CITY/ Jaja Toure shfaqet në Angli, stërvitet me ekipin e kategorisë së katërt!

Delo.autor

MË NË FUND/ Rikthehen “bigët” e Juves, Allegri jep lajmin e shumëpritur

F.autor

Leave a Comment