Futboll Kategoria Superiore Sport

PAS FITORES NDAJ TIRANËS/ Prenga: Kam stërvitur mesfushorin e Interit, te Laçi kam motivim të dyfishtë

Në verë mori drejtimin e Laçit dhe bëri surprizën duke kaluar një tur me bardhezinjtë, gjë që e bëri duke eliminuar një kundërshtar me emër si qipriotët e Anorthosis Famagustës, por më pas u largua drejt Kroacisë.

Bëhet fjalë për Besnik Prengën, i cili në fillim të kësaj jave u rikthyer për herë të dytë në Laç, për të marrë vendin e Migen Memellit dhe debutoi menjëherë me fitore, pasi kurbinasit mposhtën Tiranën me rezultatin 2-1.

Për të diskutuar për rikthimin e tij te Laçi dhe planet me skuadrën kurbinase, tekniku mirditor ishte i ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” me Ilda Bejlerin, ku diskutoi dhe iu përgjigj pyetjeve të panelistëve të ftuar.

Kjo është eksperienca juaj e dytë me Laçin. Keni ardhur për të qëndruar gjatë tani? 
Puna e trajnerit është e tillë dhe ne rrimë gjithmonë me valixhe në dorë. Herën e parë erdha për një bashkëpunim të shkurtër, ndërsa këtë herë kam ardhur për një bashkëpunim të gjatë, por nuk i dihet sa do zgjasë, ndaj edhe unë i mbaj rrobat në valixhe.

Keni një marrëdhënie shumë të mirë me Pashk Laskën dhe ai vështirë se do t’ju lërë të largoheni shpejt këtë herë…
Do zoti të jetë kështu…

E ndoqët derbin e Torinos?
Patjetër, pasi unë jam edhe tifoz i Juventusit. Bardhezinjtë janë një skuadër mjaft e kompletuar dhe harmonizuar. Me Ronaldon kanë shtuar më shumë vlerat e tyre, por unë mendoj se është pikërisht mbrojtja ajo që i jep garanci dhe qetësi këtij ekipi.

Njihni mirë futbollin kroat. Çfarë mendimi keni për Mario Mandzukiç?
Unë e ndjek prej kohësh Marion dhe mund të them se nuk është lojtar tipik i shkollës kroate, pasi ka një shpirt të jashtëzakonshëm kolektiviteti. Ai vihet në shërbim të skuadrës me shumë qetësi, cilësi që nuk e sheh shumë te kroatët dhe ballkanasit.

Ka disa kroatë edhe te Interi, ndaj mund të ishe edhe tifoz i tyre…
Jam tifoz i Juventusit, por nuk jam kundër Interit. Jam madje i lidhur me atë skuadër, sepse Brozoviçin e kam pasur lojtar dhe e kam stërvitur 3 vite, ndaj e ndjek dhe më vjen mirë që zikaltrit të ecin dhe të jenë anti-Juventus.

Si e ke parë Laçin gjatë kësaj kohe?
Unë Laçin e kam ndjekur jo vetëm 10 vitet e fundit, por që kur kam qenë fëmijë. Është një qytet i vogël, por me traditë të madhe në futboll, por në 10 vitet e fundit më vjen mirë që është një faktor i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Fillimisht ishim një ekip fushe, por tashmë është bërë një skuadër që di të luajë dhe të fitojë edhe në transfertë. Mendoj se presidenti është shtylla kryesore e kësaj skuadre dhe ia vlen t’i rrish afër, për të kuptuar se si ka arritur të mbajë klubin dhe ekipin. Laska jeton 24 orë me futbollin dhe kërkon të dijë çdo gjë në lidhje me skuadrën. Bashkëpunoj për herë të dytë me të dhe është një person që e di mjaft mirë pozicionin e vet. I jep mundësi trajnerit të punojë lirshëm dhe i mbështet shumë ata, por di të dalë i pari, aty ku duhet të jetë i pari .

Ndikoi miqësia që ju të riktheheshit te Laçi?
Patjetër që po, por mund t’ju siguroj se nuk do të jetë miqësia, por puna ajo që do të përcaktojë vijueshmërinë e eksperiencës time te Laçi. Pikërisht për shkak të miqësisë, kam një motivim për të punuar shumë më tepër te skuadra kurbinase, pasi dua të shpërblej besimin e të gjithëve. Pashku respekton miqësitë, por nuk fal dhe vendos në bazë të rezultateve.

Sa peshë kishit ju në fitoren e sotme, duke qenë se keni ardhur para pak ditësh?
Unë u mundova të motivoj sa duhet skuadrën, që të futet me frymën e duhur në fushë dhe të gjejë ato dy gola të shpejtë. Terreni i rënduar bëri që skuadra të mendonte më shumë për menaxhimin e lojës, ndonëse unë në pushim u kërkova lojtarëve të gjejnë edhe golin e tretë, për të blinduar triumfin. Duhet të theksoj se Tirana ka shumë cilësi dhe sot luajti një ndeshje mjaft të mirë, ndaj sot na rrezikoi shumë me topa të gjatë. Për ta thënë më qartë, sot nuk ishte Laçi më i dobët, por Tirana po vjen në rritje dhe shumë shpejt do të jetë duke luftuar për të tjera objektiva, pasi ka një skuadër cilësore, që nuk është kurrsesi për mbijetesë.

Do të përballeni me Teutën dhe Kukësin në ndeshjet e radhës. Kush ju duket kundërshtari më i vështirë nga të dy?
Më i vështirë është kundërshtari i radhës, pra ndeshja e radhës është më e vështira dhe më e rëndësishmja për mua dhe skuadrën.

Cili është objektivi juaj?
Të marrim ndeshjet me radhë dhe të bëjmë të gjithë mirë punën tonë, për të parë më pas se deri ku mund të shkojmë.

Do të ndërhyni në merkato?
Deri të shtunën unë kam këta lojtarë dhe për mua këta janë më të mirët. Sa i përket merkatos, do të mendojmë më vonë, por natyrisht që kemi nevojë për përforcime. Përderisa ka nevojë për përforcime Partizani i vendit të parë, natyrisht që kemi edhe ne, por çdo gjë në kohën e duhur.

Related posts

VETËM 9 GOLA NË 10 VITE TEK PSG? Verratti justifikohet në këtë mënyrë: Përpiqem ta bëj skuadrën të…

Delo.autor

MERKATO E VERËS/ Inter nis bisedimet me Veronën për shitjen e një lojtari me shifrën prej 6.5 milionë euro, ja emri…

Delo.autor

E BUJSHME NGA SPANJA/ Marcelo arrin marrëveshjen me Juventusin, ja rroga stratosferike

Delo.autor

Leave a Comment