Futboll Shqipëri Sport

Prenga sfidon këdo: Tirana dhe çdo ekip tjetër s’kanë çfarë kërkojnë në Laç

Besnik Prenga është rikthyer në stolin e Laçit, skuadër të cilën e drejtoi edhe në Kupat e Europës, kësaj vere, duke kaluar një tur, madje. Presidenti Pashk Laska ka këmbëngulur për ta pasur sërish në “timon”, pasi ia ka parë hajrin, siç i thonë fjalës, sepse i mundësoi edhe shitjen prej 200 mijë eurosh të Myrto Uzunit. Nga anët e tij thonë se “gjella e ngrohur dy herë e humb disi shijen”, por në futboll ndryshojnë gjërat. Ai uron të ketë me vete fatin, i cili iu ka munguar dy paraardhësve.

Profesor, riktheheni te Laçi, tek një ekip që ju e keni ndërtuar vetë, që në Kupat e Europës…
Në momentin që u largova nga Laçi, pata thënë se mund të ketë edhe rikthim. Nuk e mendoja të ishte një rikthim kaq i shpejtë, por gjithmonë do ta pranoja me kënaqësi ftesën. Edhe tani e pranova. Me thënë të drejtën, jo se u befasova, por nuk mund t’i thoja presidentit Pashka Laska se nuk mund të vij. E di se pritshmëritë janë të mëdha, ditët janë pak. E di se ku kam ardhur, e njoh ekipin, njoh lojtarët. Pavarësisht se jam larguar, unë e kam ndjekur jo kampionatin, por ekipin e Laçit. Kështu, besoj te vetja, besoj te futbollistët, besoj te klubi. Pavarësisht se nuk ka kohë, do të mundohemi të marrim 100 përqind nga ekipi.

Si e shpjegoni ecurinë e fundit të Laçit, që nuk ka arritur dot rezultate maksimale?
Në futboll duhet të kesh edhe fat. Do zoti ta kem unë fatin e mirë, që paraardhësit e mi nuk e kanë pasur. Nuk mendoj se Laçi ka luajtur keq futboll, ndoshta në sulm nuk ka qenë ashtu siç pritet. Të dy trajnerët që e kanë drejtuar ekipin më përpara, Mergjyshi dhe Memelli, janë përpjekur të marrin maksimumin. Kanë dhënë gjithçka nga vetja, por ndoshta kanë pasur pak fat. Shpresoj ta kem unë atë fat, që atyre iu ka munguar.

Në aspektin taktik, a do të bëni ndryshime që në ndeshjen e radhës me Tiranën?
Sot, sapo kam ardhur dhe nuk e kam marrë ekipin në dorë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime, as në formacion, as në taktikë. Besoj se paraardhësit e mi kanë punuar mirë. Lojtarët janë këto që janë. Unë do të mundohem të marr maksimumin prej tyre. Mendoj se kanë pasur ndonjë pengesë psikologjike. Mezi pres të takohem e të flas me futbollistët, ta ndiej pulsin e tyre. Natyrisht, të shtunën duhet të japim gjitjhçka, për të marrë fitoren.

Përballë do të keni Tiranën?
Tirana mbetet Tiranë. Kur shikon tabelën e renditjes, mendon se është një ndeshje e lehtë, ose sikur jemi ne favoritët. Megjithatë, e përsëris, Tirana mbetet Tiranë. Është një ekip me traditë, që ka në përbërje lojtarë të mirë. Drejtohet nga një trajner i ri, që ashtu si unë do të mundohet të marrë 100 përqindëshin nga lojtarët. Tirana vjen pas një fitoreje në kampionat, është pak më e qetë. Pra, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Megjithatë, ne jemi Laçi, luajmë në fushën tonë. Kur luajnë në Laç, besoj se jo vetëm Tirana, por as ekipet e tjera, nuk kanë çfarë kërkojnë.

Merkatoja e janarit është afër…
Nuk do doja të flisja për merkaton që tani. Jam i përqendruar te dy ndeshjet e mbetura deri në fund të vitit, ku synojmë maksimumin. Jam i sigurt që lojtarët do të më ndjekin. Siç e thashë, do zoti kemi edhe fatin me vete, sepse pa të është e vështirë në futboll.

Mos jeni penduar që e latë Laçin pas Kupave të Europës? Mos do të kishte qenë më mirë të vazhdonit?
Jo, jo, jo; nuk bëhet fjalë për pendim. Unë erdha herën e parë për ta ndihmuar Laçin. Mendova se kishte nevojë për mua. Erdha, ia arrita qëllimit. Bashkë me klubin kaluam një tur, bëmë një shitje në Europë, ndoshta e para për ekipin tonë. Isha dhe i zënë me punë, kisha kontratë në Kroaci. Ajo ishte një aventurë, që ia vlejti. Nuk është sekret që jam i punësuar te Lokomotiva e Zagrebit, por dëshira e palëve ma mundësoi ardhjen te Laçi, për ta ndihmuar sërish. Laçi është një faktor në kampionatin shqiptar, që ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë, ka luajtur finale dhe në Kupat e Europës. Lojtarët në ekip janë cilësorë, por futbolli është i paparashikueshëm. Janë dy ndeshje në nëntë ditë, nuk mund të flas për objektiva. Pas këtyre dy sfidave të fundit të këtij viti, do të flasim se deri ku mund të arrijmë dhe çfarë merkatoje do të bëjmë. Pastaj, gjërat bëhen më të qarta.

Related posts

Spalletti: Jemi munduar të bëjmë më mirë

Sadik.Autor

Juventusi mendon për mbrotjen, bardhezinjtë “peshkojnë” një kampion bote

Sadik.Autor

NUK NDALET NË MERKATO/ Sheikët duan Champions-in me çdo kusht, PSG vihet pas yllit të Premier…

Delo.autor

Leave a Comment