Formula 1

ENDE NË KOMA/ Schumacher festoi 50-vjetorin me urime speciale (FOTO)

Legjenda e Formula 1 mori urime dhe më gjerë, të cilët i urojnë atij shërim të shpejtë.

Michael Schumacher e ka festuar dje ditëlindjen e 50-të.

Legjenda e Formula 1 kishte pësuar aksident gjatë pushimeve me familje në një qendër skijimi në alpet franceze në dhjetor të vitit 2013 dhe deri së fundmi ishte në gjendje kome.

Dhe, urimet për shtatë herë kampionin e botës nuk kanë munguar asnjëherë, e as këtë radhë, në ditëlindjen e 50-të jubilare.

“Urime ditëlindjen, Michael. 50 vjet jete, të cilat do të zgjasin përgjithmonë. Çfarë nderi është të them se kam garuar me ty. Ke qenë gjithmonë inspirim i vërtetë për mua dhe për tërë botën. Vazhdo të luftosh, kampion”, ka shkruar piloti i Formula 1, Lewis Hamilton në Instagram.

Atij ia ka uruar ditëlindjen edhe skuteria Ferrari, me të cilën i kishte arritur sukseset më të mëdha në karrierë.

“Kampioni ynë sot i mbush 50 vjet. Ne të gjithë jemi me ty. Vazhdo të luftosh Michael”, ka shkruar ekipi italian i Formula 1.

Fundin e karrierës, Schumi e kishte kaluar tek Mercedesi, i cili po ashtu ia uroi ditëlindjen atij përmes rrjeteve sociale.

“50 vjet më parë, një yll ishte lindur. Një yll që e ndryshoi përgjithmonë historinë e Formula 1. Një njeri që i theu rekordet, një ngasës i shkëlqyeshëm, i cili ndihmoi me fondacion për të ardhmen tonë të suksesshme. Do të donim t’ia urojmë të gjitha të mirat Michael Schumacherit në ditëlindjen e tij të 50-të. Vazhdo të luftosh Michael”, ka shkruar ekipi gjerman, Mercedes.

Ndërkohë, familja e Michael Schumacherit thotë se po bën gjithçka të mundshme për ta ndihmuar atë, duke tentuar që ta rikthejë në gjendje normale pas lëndimeve në kokë që i kishte pësuar gjatë aksidentit në qendër të skijimit.

Familja ia ka festuar atij ditëlindjen e 50-të, por ka preferuar ta bëjë këtë në privatësi.

Familja Schumacher ka lëshuar rrallë njoftime publike, por këtë radhë është paraqitur, duke i falënderuar tifozët dhe të gjithë ata që kanë dërguar mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi për shtatë herë kampionin e botës në Formula 1.

“Ne mund t’ju sigurojmë se ai është në duar të sigurta dhe se po e bëjmë të pamundurën që mund ta bëjë një njeri për ta ndihmuar atë”, shkruan në njoftimin zyrtar të familjes Schumacher.

“Ju lutemi të na kuptoni pasi kemi dashur të mbajmë privatësi rreth gjendjes shëndetësore të Michael. Në të njëjtën kohë ju falënderojmë shumë për urimet e juaja për shërim të shpejtë të Schumacherit dhe për urimet që na i keni bërë për vitin e ri 2019”, vazhdon njoftimi.

“Michael mund të jetë krenar me ato që i ka arritur, ndërsa njëjtë jemi edhe ne”, ka përfunduar njoftimi i familjes Schumacher.

Related posts

FORMULA 1/ Mungon Hamilton, Bottas siguron “pole position” në pistën e Sakhir

Delo.autor

MË SHUMË FITORE SE LEGJENDA SCHUMACHER/ Piloti Hamilton: Nuk e kuptoj ende rëndësinë e këtij rekordi

Delo.autor

BËM BABA TË TË NGJAJË/ Mick Schumacher triumfon në Silverstone, suksesi i dytë sezonal

Isa.Autor

Leave a Comment