Futboll Kategoria Superiore Sport

“KTHESËN E NISIM NDAJ PARTIZANIT”/ Kapiteni Radas analizon Ujqërit e Dëborës”: Duhen blerje për titullin

Rifillimi i kampi onatit duket se do të ketë të njëjtat kërkesa për Skënderbeun. Pas rezultateve negative radhazi, korçarët do të kërkojnë rikthimin te fitorja, duke synuar që të jenë sa më pranë vendeve të para për të mbrojtur titullin kampion.

I këtij mendimi është edhe kapiteni bardhekuq, Marko Radas, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, bën me dije se ky ekip duhet të ribëjë atë që bëri në fillim të sezonit, duke luajtur pa presion. Nga ana tjetër, Radas është i mendimit se në këtë moment blerjet janë të domosdoshme, sidomos në mesin e fushës, pasi vetëm kështu synohet titulli.

Marko, si po ecin përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit?

Jemi duke u stërvitur mjaft mirë për të kapur ritmin dhe me përjashtim të dëmtimeve që na kanë penalizuar disi, gjërat kanë ecur sipas parashikimeve. Janë javë të ngarkuara, pasi po bëhemi gati për gjysmën e dytë të sezonit dhe duhet të jemi në maksimumin tonë për të kaluar atë periudhë të keqe dhe për t’iu kthyer sukseseve në kampionat.

Pjesa e parë e sezonit u mbyll me katër humbje. E ka kaluar Skënderbeu këtë krizë?

Unë mendoj se kemi kaluar gjithçka dhe falë këtij pushimi do të dimë të rikthehemi mirë me rifillimin e kampionatit. Besoj se kemi pasur mjaftueshëm kohë në dispozicion për të analizuar situatën dhe që gjithsecili të reflektojë për atë që duhet të bëjë me rifillimin e kampionatit. Do të dimë të përgjigjemi më së miri.

Çfarë duhet të bëjë tani Skënderbeu për të qenë sërish në majë?

Jam i mendimit se ky grup e ka mundësinë për të bërë mirë dhe një gjë të tillë e kemi treguar se dimë ta bëjmë. Duhet të rikthehemi të jemi Skënderbeu i fillimit të kampionatit që kemi marrë gjithë ato fitore të merituara. Nëse e bëjmë këtë, atëherë gjithçka për ne është në rregull. Një gjë të tillë duhet ta tregojmë që në javën e parë kundër Partizanit, pasi është ndeshja ku duhet të bëjmë kthesën. Luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve. Nuk ka justifikime për këtë takim.

Kjo fazë përgatitore është shoqëruar edhe me dëmtime. Kush ju rëndon më shumë?

Të jem i sinqertë na vjen keq për të gjithë, pasi në të tilla momente duhet që të japim më të mirën. Vetëm duke qenë grup mund t’i kalojmë situatat e tilla. Pa dashur të bëj diferencime, mungesa e Bregut është ajo që do të ndihet më së shumti, pasi jo më kot është golashënuesi i ekipit. Të shpresojmë që ta kemi shumë shpejt pjesë të skuadrës dhe pse jo në formë akoma edhe më të mirë.

Në të tilla kushte, merkatoja mbetet zgjidhja e vetme…?

Kam përshtypjen se këtë gjë më mirë se kushdo e di klubi dhe drejtuesit e merkatos. Si kapiten i Skënderbeut jam i mendimit se duhet të bëjmë disa afrime për të garantuar më shumë alternativa në ekip, sidomos në mesin e fushës, atje ku kemi më pak lojtarë si pasojë e dëmtimeve që po na mundojnë tani.

Folët për objektiva, por vendi i parë është 7 pikë larg jush…?

Nuk është një diferencë e parikuperueshme dhe për këtë të gjithë jemi koshientë. 7 pikë në 18 javë të mbetura nuk janë shumë sa për të hequr dorë nga titulli. Ne nuk duhet të mendojmë asgjë, vetëm të luajmë ndeshjet tona dhe më pas të bëjmë llogaritë. Kemi ditur të kalojmë situata më të vështira dhe të rikuperojmë më tepër pikë diference me ekipet rivale. Duhet vetëm të bëjmë lojën tonë me qëllim që të jemi brenda objektivit. Më pas do shohim se çfarë do të ndodhë. Kampionati këtë vit është i fortë dhe do të ketë luftë deri në fund të tij. Skënderbeu duhet vetëm të bëjë Skënderbeun.

Related posts

Shorti i plotë/ Kategoria e Dytë nis kampionatin, grupi A vjen me derbi

Isa.Autor

U dëmtua, sulmuesi i Partizanit humbet sezonin

Sadik.Autor

Sarri nis merkaton te Chelsea, do një interist dhe një napolitan

Sadik.Autor

Leave a Comment