Futboll Seria A Sport

PRAPASKENAT E BUJSHME/ Gënjeshtrat dhe të vërtetat, Higuain u ndje i tradhtuar nga Milani

Ishte 3 gushti i vitit të shkuar dhe në një ballkon historik të “Piazza Duomo”, Gonzalo Higuain bashkë me Mattia Caldara do të shfaqeshin të buzëqeshur dhe lumtur me fanellën e tyre të re, atë të Milanit. Një prezantim ndryshe dhe i veçantë, që kishte tërhequr qindra tifozë, edhe pse në një periudhë të vitit ku shumica kishin nisur lejet e pushimeve verore dhe Milano supozohej që të ishte e boshatisur. Më pas, prezantimi zyrtar dhe konferencat për shtyp, përpara gazetarëve. Diçka që do të faktohej. Pikërisht në sallën e Milanellos, që për Higuain ishte qendra stërvitore më e bukur dhe mrekullueshme që kishte parë në jetën e tij si futbollist, “El Pipita” do të nxirrte nga goja këto deklarata…

“Dua të falënderoj klubin e Milanit për sforcon e madhe ekonomike që më solli këtu. Më motivoi projekti, një sfidë e bukur për mua pas karrierës që kam bërë dhe shpresoj që të shpërblej besimin që më shfaqën. Gjëja më e rëndësishme është që vij në një klub me një histori të madhe. Kur më thanë se do të isha pjesë e Milanit për ta kthyer aty ku ka qenë, për mua ishte motiv krenarie. Shpresoj të bëj gjëra të mëdha te Milani, sepse skuadra dhe tifozët meritojnë shumë”.Më pas, argjentinasi do të citonte edhe interesimin e Chelseat dhe veçanërisht Sarrit, duke thënë se “te Chelsea më donte vetëm Sarri, ndërsa te Milani të gjithë. Kjo bëri diferencën. Leonardon e njihja më parë, ndikoi shumë. Fjalët e tij më bindën, sinqeriteti që lexoja në sytë e tij. E falënderoj, ashtu si grupin Elliott, që më besoi për t’u kthyer në maja”.

Fjalë kuptimplotë, që do të entuziazmonin të gjithë tifozët kuqezi, të bindur se pas gjashtë vitesh, do të kishin më në fund një bomber të vërtetë dhe një kampion, që vinte nga skuadra më e titulluar në Itali dhe dy herë finaliste e Champions në tre vitet e fundit (Juventusi).

Golat dhe “tuneli” – Në javën e tretë, Higuain gjeti golin e parë me Milanin. Luhej në Sardenjë, përballë Cagliarit dhe Pipita barazoi për kuqezinjtë, në një ndeshje që do të mbyllej 1-1. Më pas, gol në barazimin 2-2 ndaj Atalantas, por edhe në fitoren 3-1 përballë Chievos dhe atë 3-2 ndaj Sampdorias. Momenti që “friku dritat” në sistemin psikologjik të argjentinasit ishte në Milan-Juventus. Penallti për kuqezinjtë, Higuain që gabon dhe më pas kartoni i kuq për protesta.Nga aty, një tunel pa fund për Pipitan, që gjeti dritën në fund të tij vetëm në ndeshjen e fundit të vitit, Milan-Spal 2-1. Argjentinasi arriti kështu që të dilte nga kriza, që nuk vinte vetëm nga ajo sfidë e mallkuar ndaj Juventusit, por nga shumë faktorë të tjerë. Diçka që do të zbulohej gjatë pushimeve dimërore, kur nisën zërat se argjentinasi kishte kërkuar largimin.

Gënjeshtra – Chelsea thërret, Higuain thotë “po”. Sarri që e përkëdhel, Gattuso që përpiqet ta mbajë me forcë (“do ta mbyllja në shtëpi dhe t’i jepja bukë çdo 2-3 orë, por kur një njeri vendos, vështirë t’i kthesh mendjen”). Pipita vijon në heshtje të përgatisë divorcin, ndërsa Leonardo, në prezantimin e Paqueta, do të lëshonte bombën: “Higuain duhet të mbajë përgjegjësitë e tij, të pedalojë tashmë. Je këtu dhe duhet ta bësh!”. Praktikisht, fjalë të forta, që konfirmojnë vetëm krisjen e madhe që kishte ndodhur. Por, për të analizuar më në thellësi çështjen, gjithçka shkon në një drejtim. Deklarata që drejtori sportiv, Leonardo, do të bënte përpara ndeshjes me Spal: “Higuain dhe Bakayoko varen nga kualifikimi ose jo në Champions, ndryshe bëhet e vështirë”.

Praktikisht, formula e famshme me Juventusin, nga huazimi te e drejta e blerjes, e maskuar si “detyrim” për shkak të fair play financiar, bie poshtë… Leonardo i kishte thënë Higuainit (“i besova duke e parë në sy sepse ishte i sinqertë”) se do të vazhdonte të ishte sulmuesi i Milanit edhe sezonet në vijim dhe se huazimi prej 18 mln eurosh me të drejtë blerje për 36 mln euro në fund të sezonit ishte thjesht për të shmangur përkeqësimin e investimeve në sajë të fair play financiar. Jo vetëm kaq, por pasi ishte informuar më mirë, Pipita kuptoi se edhe Juventusi ishte në dijeni se Milani nuk do ta blinte aspak kartonin e tij në fund të sezonit, nëse nuk arrihej Champions. Në mes të këtyre gënjeshtrave, argjentinasi vendosi të zbriste vetë në fushë dhe të revoltohej në heshtje. Vëllai-agjent, ndërkohë, nisi kontaktet me Chelsean dhe Sarrin, ndërsa po përgatit divorcin. Higuain nuk e priste që Leonardo, në momentin kur e bindi, ta kishte gënjyer kaq hapur, duke ndryshuar strategji gjatë rrugës.

Strategjia – Superkupa e Italisë ditën e mërkurë, mund të jetë ndeshja e fundit e Pipitas me Milanin, vetëm nëse nuk ka një prapakthehu dhe, ndoshta, me një trofe të fituar, të rikthehet paqja mes palëve. Juventusi bën spektaktorin, duke e ditur se nëse Chelsea gjen gjuhën e duhur me Milanin, atëherë mund të japë “ok”, por jo më me të drejtë blerje, por detyrim. Loja është ende e hapur, edhe pse protagonisti kryesor e ka ndarë mendjen. Gattuso e di dhe nuk e fsheh dot më. Milani nuk do të blejë Higuain në fund të sezonit, edhe nëse arrin Champions.

Related posts

E FUNDIT/ Rrëzimi i helikopterit, dyshohet për 4 VIKTIMA, mes tyre edhe pronari i Leicester

Isa.Autor

KËRKOHET ME NGULM NGA CONTE/ Tottenham hidhet në sulm, pranë marrëveshjes me yllin e Milan-it…

Delo.autor

RIMARRIN KREUN FALË VAR-IT/ Aguero udhëheq ekipin drejt titullit

Delo.autor

Leave a Comment