Trajneri i Real Madrid, Santiago Solari, ka sfiduar mbrojtësin Marcelo, duke i thënë se duhet të luftojë fort për t’u rikthyer titullar. Deklaratë që ka shtuar zërat se mbrojtësi brazilian nuk është i lumtur në Madrid, ashtu si dikur. Ndërkohë që, zërat për një transferim të tij te Juventusi, për t’iu bashkuar mikut të tij Cristiano Ronaldo, janë shtuar.
“Detyra më e vështirë e një trajneri është të zgjedhë 11 lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës. Dhe kjo gjë përsëritet thuajse çdo 3-4 ditë. Unë duhet të zgjedh më të mirët. Në këto momente unë preferoj që të luajë dikush tjetër në atë pozicion”, u shpreh trajneri Solari, që kohët e fundit ka preferuar të aktivizojë 22-vjeçarin Sergio Regulion.
“Marcelo e dashuron këtë klub, ka dhënë shumë për të. Kjo nuk vihet në dyshim, është i jashtëzakonshëm edhe në dhomat e zhveshjes. Por ai duhet të pranojë edhe sfida të tilla, të jenë të uritur për të luajtur sa më shumë. Ai është profesionist dhe unë e di se do të jetë gati shumë shpejt, pasi sjellja e tij është ajo e një profesionisti”, tha Solari.