Futboll Premier League Sport

ZBULON PRAPASKENËN/ Gazetari belg: Hazard bëri sakrificën, e ardhmja e tij ndodhet në ato duar

Kristof Terreur, gazetari belg me seli në Londër, ka dhënë së fundmi më shumë sinjale në lidhje me të ardhmen e Eden Heazard, që aspiron fitimin e trofeut të tij të dytë si “Futbollisti Belg më i Mirë që Luan Jashtë Vendit”, ndërkohë që ylli i Chelseas përflitet prej kohësh për një transferim të mundshëm te Real Madrid. Sipas Terreur, që bashkëpunon me “Het Laatse Nieuws” dhe “VTM Nieuës” dhe me lidhje të ngushta pranë futbollistit, ka njoftuar se e ardhmja e lojtarit belg ndodhet tashmë në duart e Real Madrid.

“Hazard ka refuzuar dy oferta të Chelseas për rinovim dhe deri tani nuk ka asnjë shenjë që në të ardhmen e afërt të hedhë firmën e tij në një kontratë të re me “Blutë e Londrës”. Kjo është një shenjë e qartë se ai është në pritje të diçkaje, dhe kjo diçka nënkupton Real Madrid”, deklaroi Terreur, i cili pranon gjithashtu se edhe vetë Los Blancos janë të interesuar dhe u leverdis fakti që nuk ka tratativa mes Chelseas dhe Hazard për rinovim.

Por nga ana tjetër madrilenët duhet të bëjnë lëvizjen e tyre, sepse deri tani nuk kanë bërë as ndërhyrjen minimale, sikurse vepruan në verën e kaluar, kur drejtuesit e Real Madrid kontaktuan me Marina Granovskaia, krahun e djathtë të Roman Abramovich, e cila u përgjigj se Hazard nuk është për shitje. Madrilenët e respektojnë marrëveshjen me Chelsean, por nëse synojnë të përforcojnë kontingjentin e tyre, atëherë duhet të hidhen në sulm, pasi është e lehtë të konkludosh suksesshëm tratativat me futbollistë që kanë vetëm 1 vit kontratë të mbetur, sikurse Hazard.

Sipas gazetarit belg, “Për Hazard është e thjeshtë, ai ose qëndron te Chelsea, ose transferohet te Real Madrid. Ai as që mendon për PSG, ndonëse francezët janë ofruar gjithmonë në tavolinë, por duke marrë të njëjtën përgjigje: Hazard ka luajtur edhe më parë në Ligue 1 dhe në atë kampionat do të luante vetëm me Lille, nëse do të kthehet ndonjëherë në Francë. Eden, bashkëshortja e tij dhe fëmijët janë të lumtur. Nëse nuk plotësohet ëndrra për tu transferuar te Real Madrid, atëherë ai do të qëndrojë te Chelsea dhe do të nënshkruajë një kontratë të përjetshme. Gjithsesi mendoj se do të synojë lëvizjen te Real Madrid, por tani çdo gjë varet nga “Los Blancos”, deklaroi gazetari belg.

Related posts

MPOSHTET MILANI/ Humb në shtëpi përballë Fiorentinës

Isa.Autor

LIVE/ Po luhet ndeshja kualifikuese Europa League Beer Sheva-Laçi. Starton sfida

Delo.autor

MOVIOLA E VLLAZNIA-PARTIZANI/ Ndeshja pa raste të dyshimta, arbitri s’ka nevojë për VAR (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment