Futboll Seria A Sport

CR7, KU KE HUMBUR? Asnjëherë kaq keq që nga viti 2009

Cristiano Ronaldo, ku ke humbur? Pas mbrëmjes në “Vanda Metropolitano” janë të shumtë tifozët e Juventusit që pyesin veten se në çfarë drejtimi ka shkuar asi portugez, i cili u ble nga bardhezinjtë pikërisht për të bërë diferencën, mbi të gjitha në Champions, por që duke parë shifrat konkrete, 34-vjeçari po zhvillon në Europë sezonin e tij më të dobët, që kur u shenjtërua si “CR7”.

Natën e së mërkurës, sulmuesi la zonën e gazetarëve të stadiumit madrilen duke përsëritur të njëjtin gjest që i drejtoi publikut të Atleticos në fushën e lojës, duke i treguar 5 gishtat atyre që e ofendonin: “Unë kam 5 Champions, Atletico zero”, ishte kundërpërgjigjja e tij kundrejt edhe ndonjë gazetari që ka dashur ta thumbojë.

Kjo “shkreptimë” ka qenë edhe një reagim krenar pas zhgënjimit në fushën e lojës, sepse është e sigurt se edhe vetë Ronaldo nuk është i lumtur për rendimentin që ka pasur deri tani jashtë kufijve italianë (19 gola në Serinë A).

Juventusi priste më shumë prej tij, por mbi të gjitha edhe vetë Cristiano do të kërkojë që të ndezë motorët sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse përveç objektivave me bardhezinjtë, ai ka “bastin” për të fituar me veten, të rikthehet që të jetë “Topi i Artë”, pasi u ndje i grabitur në sezonin e kaluar, teksa pa Luka Modricin që ta fitonte këtë çmim.

NUMRA SHOKUES

Kanë kaluar 10 vite nga hera e fundit që CR7 kishte shënuar më pak sesa sivjet në Ligën e Kampionëve, pas 6 prezencash në fushë. Ishte viti 2009, ai luante sezonin e fundit me bluzën e Manchester Unitedit, përpara se të firmoste transferimin e tij prej 94 milionë eurosh në radhët e Mançester Junajtid.

Cristiano mbeti thatë në 6 ndeshjet e para në Europë dhe e mbylli atë edicion në kuotën e 4 golave, por duke humbur në finale përballë Barcelonës. Të agjëruarit në Champions pas 6 prezencash i kishte ndodhur edhe në sezonin 2006-2007, por ai ishte një tjetër Ronaldo kundrejt atij që të gjithë njohim, dhe jo vetëm sepse ishte shumë i ri, por edhe sepse roli i tij i parë te Unitedi ishte ai i mesfushorit anësor.

Por nëse shohim edhe më pranë, rendimenti aktual është mjaft i ngjashëm edhe me atë të sezonit 2016-2017, kur ishte pjesë e Realit të Madridit. Dy vite më parë, portugezi numëronte vetëm 2 gola pas 6 ndeshjesh, por atë vit jo vetëm që u ndez nga faza e 1/8-ave e në vazhdim, duke e mbyllur turneun me 12 gola, por në fund të tij ngriti në qiell edhe trofeun e Ligës së Kampionëve, i katërti në karrierë.

Dhe mos është ky një ogur i mirë me shpresën se në ndeshjen e kthimit Juventusi do të përmbysë Atletikon? Presidenti Andrea Anjeli e shpreson këtë, i gjithë Juventusi dhe tifozët kanë nisur të luten për këtë, por në të njëjtën kohë edhe vetë Ronaldo po punon për këtë, pasi edhe ai vetë nuk ndihet i ngopur, por ndoshta ndien edhe peshën e investimit të “Zonjës së Vjetër”, të cilin kërkon që ta shpërblejë.

INVESTIMI

Është e qartë se Juventusi nuk u çmend papritur për të investuar 117 milionë euro për kartonin e Ronaldos për të fituar “vetëm” titullin. Me atë, bardhezinjtë presin shumë më shumë, sepse eliminimi që në 1/8-at nga Liga e Kampionëve do të krijonte jo pak probleme në librat kontabël të kampionëve të Italisë.

Është gjithashtu e qartë se një eliminim i parakohshëm nga Europa mund të detyronte klubin që të bënte edhe ndonjë sakrificë, pra të shiste ndonjë prej yjeve të Juves për të “drejtuar” bilancet, diçka që ndoshta mund të peshonte edhe në ndërgjegjen e futbollistit.

Sigurisht, deri tani të gjithë zërat e faturimeve flasin për rritje të mëdha, falë “efektit Ronaldo”, duke nisur nga sponsorët e deri tek arkëtimet nga stadiumi, por investimi i bërë për Ronaldon (31 milionë euro neto në sezon) përbën gjithashtu një rrezik për Juventusin, ndaj të gjithë drejtuesit shpresojnë dhe bëjnë tifozllëk për eurozgjimin e portugezit. Fundja po flasim për CR7-ën! Nëse nuk beson te një fenomen si ai, te kush do besosh tjetër?!

Related posts

KA EDHE KËSHTU/ XAVI sulmon BARCELONËN në pikën e saj më të fortë…

Isa.Autor

SPEKTAKOLAR/ SHKËLQEN në Itali me JUVEN, TALENTI i Zvicrës drejt kuqezinjve

Isa.Autor

LIVE/ Serie A: Mbyllet ndeshja Juventus-Napoli. Rezultati 1-1

Delo.autor

Leave a Comment