Unai Emery beson se nuk ka trajner më të mirë se rivali i tij te Manchester City, Pep Guardiola. Dy trajnerët në fjalë u ndeshën për herë të parë në sezonin 2008-2009, kur njëri drejtonte Barcelonën dhe tjetri Valencian. Skuadra aktuale e Emery mundi të marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e saj kundër kampionëve të Guardiolës. Shefi aktual i Arsenalit mbetet “i pavlerë” në karrierën e tij kundër rivalit të vjetër.
Këtë të diel do t’i shohim “Topçinjtë” të udhëtojnë në “Etihad” me shpresën se më në fund do ta prishin “syrin e keq”. Pra, do të kërkojnë hakmarrjen e humbjes 2-0 në Londër, të pësuar në gusht, në fillimin e mandatit të Emery. Ky i fundit, përpara kësaj ndeshjeje, pranoi se nuk ka trajner më të mirë se Guardiola:
“Kam analizuar shumë ekipe dhe trajnerë dhe mendoj se është e vështirë të gjesh më të mirë se Guardiola. Karriera e tij është shumë e madhe. E filluam së bashku. Ai filloi me ekipin e dytë të Barcelonës, ndërsa unë nisa me Lorca dhe Almeria. Kam mësuar shumë duke studiuar ekipet e tij. Eshtë mirë ta shikojmë njëri-tjetrin kur jemi trajnerë, për të mësuar gjëra të ndryshme midis nesh.
Mendoj se Pep po bën më të mirën e të gjithë trajnerëve në botë. Ai ka pasur mundësinë të marrë lojtarët më të mirë te Barcelona, te Bayern Munich dhe Manchester City. Çdo vit përmirësohet me lojtarë të mëdhenj. Ai ka paguar shumë për disa lojtarë, por di si t’i udhëheqë. Kjo, për mua, është cilësia që më bën të them se Pep është më i miri”.