Se kush është Hamdi Salihi dhe çfarë vlere kanë golat e tij për skuadrën, në Shqipëri askush nuk e di më mirë sesa Vllaznia, Tirana dhe Skënderbeu.
Salihi nuk ka shënuar aq sa Sinani dhe Xhafaj në Superiore, jo për paaftësi të tij, por thjesht për faktin se ka luajtur më shumë jashtë vendit se dyshja në fjalë. Ai ka shënuar 30 gola me Vllazninë dhe nga 42 me fanellën e Tiranës dhe Skënderbeut.
I pyetur nga “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Kombëtares pohoi se me mundësitë që ka pasur, i ka ndjekur të dy rivalët për kampion këtë sezon, Partizani dhe Kukësi. Sipas tij, në një kampionat tjetër është e pamundur të fitosh titullin me një gol për ndeshje, por duke qenë se bëhet fjalë për Shqipërinë, në fund i bie që dikush do të dalë kampion. Për Hamdi Salihin, të dy rivalët janë me fat, pasi asnjëri prej tyre nuk shënon dot më shumë se tjetri.
“I kam ndjekur me aq sa kam pasur mundësi të dyja ekipet që pretendojnë këtë vit në Kategorinë Superiore, Partizanin dhe Kukësin. Në një kampionat tjetër, besoj do të ishte e pamundur që të dalësh kampion me kaq pak gola të shënuar. Por te kampionati shqiptar i këtij sezoni, fati i secilit ekip është se edhe rivali i tij kryesor nuk shënon dot më shumë se ai. Në këto kushte, medoemos njëri do të dalë kampion edhe me këtë lloj mesatare të vogël golash të shënuar”, deklaroi Salihi për “Panorama Sport”.