Futboll Seria A Sport

NË PRAG TË NDESHJES NDAJ EMPOLIT/ Gattuso: Ne jemi një skuadër e re, zgjidhja është…

Genaro Gattuso nuk buzëqesh as në konferencat për shtyp. Si gjithmonë plot grintë dhe serioz edhe kur ndodhet para gazetarëve. Trajneri i Milanit përpara sfidës ndaj Empoli theksoi se nuk i pëlqejnë komplimentat ndërsa paralajmëroi skuadrën e tij të ruajë qetësinë dhe të vazhdojë rrugën e fitoreve.

KUNDËRSHTARI – “Ndeshja me Empolin nuk do të jetë e lehtë. Ata kanë ndryshuar skemën taktike dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë. Ata kanë vlera të mira teknike, kanë një mbrojtje interesante, janë të rrezikshëm në goditjet standarde, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të vazhdojmë të besojmë në gjithçka që bëjmë. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka është e lehtë, sepse tani jemi në një formë të mirë.”

CALHANOGLU DHE PAQUETA – “Dje shkova për të përshëndetur Hakanin me filxhanin e kafes në duar. Unë përpiqem të krijoj raporte me të gjithë futbollistët, jo vetëm me Calhanoglunë. Gjithashtu përpiqem të përqafoj ato që kanë pasur pak mundësi të luajnë kohët e fundit. Ka shumë lojtarë, të cilët po stërviten me një dëshirë të madhe, pavarësisht faktit që nuk po luajnë. Paqueta mund të luajë në të gjitha pozicionet. Do ta shohim nesër se si do të shkojë. Nëse nuk gaboj, kemi tre ndeshje në një periudhë të shkurtër kohe dhe duhet ta vlerësojmë situatën me kujdes. Dua t’u jap mundësinë disa lojtarëve që kanë luajtur pak kohët e fundit, por pa ndryshuar shumë. Gjëja më e rëndësishme është që të ruajmë entuziazmin në ekip. Një trajner duhet t’i marrë parasysh të gjitha aspektet.”

EKIPI – “Ne jemi një skuadër e re dhe ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me vendosmërinë që duhet të kemi në fushën e blertë. Hap tjetër i rëndësishëm për ne është ruajtja e vazhdimësisë. E bëj këtë punë, sepse më pëlqen. I di karakteristikat e mia dhe si të jap kontributin tim për ekipin. Ka shumë njerëz që janë jashtë nga këtu dhe lehtësisht kritikojnë një që punon. Zgjidhja është t’i injorojmë ata dhe të fokusohemi te detyrat që na janë ngarkuar.”

KOMPLIMENTET – “E përjetoj keq këtë situatë, pasi nuk preferoj asnjë kompliment. Më duhet të falënderoj skuadrën dhe stafin tim. Skuadra po bën mirë dhe po arrin gjëra të rëndësishme. E bëj këtë profesion sepse më pëlqen dhe besoj se di ta bëj. Nuk dua t’i dëgjoj fjalët bravo, bravo. Ndonjëherë arrijnë të masakrojnë dhe trajnerë, të cilët kanë fituar pafund si Ancelotti, Mourinho, Allegri… Futbolli kështu është. Ka shumë tifozë tastierash, por ne duhet të mendojmë për punën tonë, të rritemi ditë pas dite dhe të mos i kushtojmë vëmendje atyre që shkruhen dhe fliten.”

HIGUAIN – “Nuk dua të flas më për Higuain, le të flasim për ata që janë këtu. Për momentin kemi një sulmues, i cili po kthen në gola çdo top që i shkon në këmbë, por merita është e të gjithëve. Duhet t’u japim të gjithëve meritat që u takojnë, skuadra është e re dhe mund të rritemi akoma. E rëndësishme është që ka shumë dëshirë, duhet të kalojmë çdo pengesë dhe le t’i japim vazhdimësi rezultateve tona.”

TAKTIKA – “Diskutoj tre herë në javë me një trajner, Moracen, i cili është shumë i përgatitur. Mendoj se në botën ku jetojmë ka shumë gra që marrin vesh nga futbolli. Bisedat për futboll me Karolinën (gruaja e Gatussos) janë gjithmonë të hapura dhe interesante.”

Related posts

ËSHTË ZYRTARE/ Shpallet “Lojtari i Vitit” në Premier League…

Delo.autor

Pastore: Nuk e di nëse do të qëndroj, varet çfarë do klubi

Sadik.Autor

Shkëndija insiston për Rrocën, Luftëtari kërkon të mbajë Vucajn

Isa.Autor

Leave a Comment