Futboll Sport

PIKANTE/ Akuza për tolerim në Korçë, tifozët sherr me Radasin. Ultrasit e Tiranës në polici, përlotet Mema

Plas në Korçë pas ndeshjes Skënderbeu-Tirana 1-2. Kishte vite që stadiumi “Skënderbeu” nuk pushtohej nga akuzat e tifozëve për tolerim, por kjo ndodhi dje sapo u mbyll takimi.

radas tifozet

 

Nga shkallët e stadiumit në drejtim të lojtarëve u hodhën një lumë akuzash, që vinin si pasojë e zemërimit të tifozëve për rezultatet negative të ekipit, por jo vetëm. Tifozët e vendosur në tribunën C, fillimisht nisën të ofendonin lojtarët dhe më pas refuzuan edhe të përshëndesnin ekipin.

Kontestimet arritën kulmin kur nuk u kursyen as akuzat për tolerim ndaj Tiranës. Tifozët kanë mbetur të habitur nga sjellja e ekipit në minutat e fundit, duke pasur dyshime për mënyrën se si u pësua goli. Në një moment kaosi mes akuzash dhe ofendimesh, kapitenin e Skënderbeut, Marko Radas, nuk e kanë mbajtur nervat.

skenderbeu tirana

Nga ajo që “Panorama Sport” ndoqi nga afër, fillimisht kroati debatoi me disa tifozë të vendosur në tribunën C. Më pas vrapoi te tribuna D, ku ishte një grup tjetër tifozësh. Radas kërkoi të konfliktohet edhe me ta. Akuzat nuk i ka përtypur kapiteni, që ka bërë barrierën për ekipin e vet. Një ngjarje kjo që tregon se situata në kampin bardhekuq nuk është aspak normale.

TIFOZËT E TIRANËS

Ultrasit e Tiranës nga gëzimi për fitoren kanë shkallmuar dje pjesën rrethuese të tribunës. I gjithë rrethimi në pjesën e tribunës së miqve është rrëzuar në tokë. Një gjë e përsëritur kjo sa herë që bardheblutë vijnë në Korçë. Por, sikur të mos mjaftonte ky incident, gjithçka precipitoi jashtë stadiumit.

Këtë herë me policinë e Korçës. Uniformat blu shoqëruan në komisariat një prej tifozëve që hodhi lëndë plasëse në stadium dhe kjo mjaftoi që një pjesë e madhe e ultrasve bardheblu të reagonte. Tifozët protestuan për shoqërimin e pjesëtarit të tyre, madje pati edhe konfrontim fizik me forcat e rendit. Ultrasit e Tiranës kërkuan që pjesëtari i tyre të lirohej nga policia.

PIKANTET

* Të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes së djeshme shkuan për lojtarin e Skënderbeut U-17, Dorian Tahirllari. Ky i fundit është diagnostikuar me tumor në rruazat kurrizore dhe në stomak. “Jemi të gjithë me ty Dori”, ishte një nga banderolat e tifozëve. Gazeta mëson se klubi ka arritur të shesë dje 3300 bileta.

* Takimi nisi i qetë dhe me të dy trajnerët që jepnin udhëzimet për lojtarët. Shehi në njërën anë mundohej vazhdimisht të udhëzonte dy linjat e ekipit, Abazin në të majtë për vendosjen dhe shpërndarjen e topit në fushë, si dhe Ditën në krahun e djathtë. Ky i fundit e kishte për herë të parë këtë sezon që luante në këtë pozicion dhe kishte vështirësi në mbulimin e krahut në disa momente.

* Goli i shënuar nga Tirana solli dy pështjellime në kampet respektive. Në pankinën e Tiranës u ndje një brohoritje e madhe nga stoli, ndërsa në radhët e korçarëve pati dëshpërim.

* Trajneri Shehi në momentet e fundit të takimit ka qenë më aktiv se kurrë. Fillimisht ai kërkonte më shumë shpejtësi në nisjen e ekipit në kundërsulm nga ana e Dajsinanit, ndërsa nga mesfusha më tepër balancë.

* Me futjen në fushë të Elmir Asanit, një problem më shumë për Shehin ishte komunikimi. Trajneri Shehi, duke ditur faktin që Asani nuk flet shqip, por as mirë anglisht, kërkoi ndihmën e një përkthyesi. Marko Radas mori udhëzimet përkatëse për Asanin dhe më pas ia përktheu atij në gjuhë sllave.

* Në minutën e 20-të, gjyqtari Alla ndali lojën dhe kërkoi nga kapiteni i Tiranës, Erando Karabeci, të flasë me tifozët që të qetësohen. Karabeci nuk ka dashur, por Alla ka ngulmuar si tek ai dhe te Radasi. Por, kapiteni i Tiranës nuk ka shkuar tek ultrasit bardheblu.

* Lojtari ganez i Skënderbeut, Sibo, në momentin e golit të barazimit festoi si Kristiano Ronaldo afër tribunës së tifozëve korçarë.

* Pas golit të fitores, trajneri i Tiranës, Ardian Mema, përlotet. Kjo duket qartë në televizor dhe pas festimit ai përqafohet me Ngonë. “Kur festuam golin mora një grusht në sy nga lojtarët. Është dukur sikur u përlota në fakt…”, sqaroi Mema pas ndeshjes për gazetarët.

Related posts

“Perla” e Coutinho-s nuk mjafton, Zvicra befason Brazilin (VIDEO)

Sadik.Autor

Shoku i ekipit këshillon Paul Pogba si të dalë nga “kriza”!

Sadik.Autor

Konfirmohen oraret e Coppa Italia, Milan – Inter më 27 dhjetor

Delo.autor

Leave a Comment