Futboll Sport

TË DY JANË ATA JANË ME EKIPE TË NDRYSHME/ Rrëfimi i vëllezërve Krasniqi dhe ëndrra më e madhe e tyre

Shpesh herë futbolli shqiptar ka prodhuar shumë elemente cilësorë të cilët kanë shkëlqyer në Superiore, në ekipet Kombëtare – si edhe në tregun e huaj. Edhe pse futbolli në vend tonë ka shumë gjëra që çalojnë, një nga gjërat pozitive është fakti së numri i talenteve në skuadra të ndryshme të Superligës nuk mungojnë, të cilët edhe pse në një moshë të re janë pika kryesore të formacionit bazë. 

Një ndër to janë dhe dy ndër talentet më të mirë të Kategorisë Superiore, vëllezërit Blerim dhe Jeton Krasniqi. Të dy ata janë me ekipe të ndryshme, një me kampionët në fuqi të Superligës, Skënderbeu, dhe tjetër është në radhët e skuadrës së Kamzës. 

Blerim Krasniqi është një ndër sulmuesit më të mirë të Kategorisë Superiore i cili ka fituar dhe shpërblyer më së miri besimin e trajnerit Orges Shehi tek bardhekuqtë edhe pse është vetëm 23-vjeç. Ai ka luajtur me shumë skuadra të njohura në futbollin shqiptar që nga Besa, Apolonia dhe tashmë është pjesë e kampionëve të Superligës duke bërë një sezon mjaft të mirë. 

Gjithashtu ai ka qenë pjesë edhe e kombëtareve të moshave të Shqipërisë, ndërkohë sipas faqes së specializuar për vlerësimin e lojtarëve “transfermarkt” vlera e Blerim Krasniqit në treg është plot 150 mijë euro. 

E njejta gjë edhe për talentin e tjetër Jeton Krasniqi i cili edhe pse më i vogël në moshë, synon që të rritet edhe më shumë për të ndjekur hapat e vëllait të tij. 

Në një rrëfim, ata tregojnë rrugëtimin e tyre që nga momenti kur kanë nisur të hedhin hapat e pare në futboll, ecurinë e deri tanishme dhe objektivat në të ardhmen, ku padyshim ëndrra më e madhe e tyre është të luajnë me fanellën e kombëtares shqiptare. 

Për një audiencë që nuk ju njeh që nuk ka shumë lidhje me futbollin. Mund të na flisni pak për jetën tuaj? 

Blerim Krasniqi: Unë jam një 22 vjeçar që pasionin më të madh në jetën time kam futbollin. Kam lindur në vitin 1996 në Qerret të Kavajës. Si origjinë të hershme unë e kam nga Kosova, por familja ime është e vendosur prej vitesh në Qerret dhe aktualisht aty jetojmë. 

Jeton Krasniqi: Unë kam lindur më 26 janar të vitit 2001 në Qerret të Kavajës. Sapo kam mbaruar gjimnazin dhe për momentin jam i fokusuar totalisht tek futbolli. 

Si nisi për pasioni për futbollin? 

Blerim Krasniqi: Pasioni për futbollin për mua nisi që i vogël kur shikoja ndeshjet e futbollit me babain tim në televizor si dhe kur ai luante me shokët e tij. Isha shumë i emocionuar kur shikoja ndeshjet sa prisja me padurim që ato të fillon. Kështu babai im duke ditur ëndrrën time që e mbaja çdo ditë në mendje me bën një pyetje: A do që të të regjistroj në një ekip futbolli? 

Dhe përgjigja ime ishte aq e rrufeshme sa e përsërita disa herë “po po” se më dukej sikur nuk e dëgjoja përgjigjen time nga gëzimi që ndjeja. E prita me padurimin e një fëmijë që po i realizoj ëndrra të cilin kishte kaq kohë që e priste, ditën kur unë do të regjistrohesha dhe luaja në një ekip futbolli. Mbaj mend ditën e parë të stërvitjes e fillova duke luajtur me fanellën e Del Pieros. Dhe kështu me ëndrrat, pasionin dhe fanellën e Del Pieros nisi rruga ime me futbollin. 

Jeton Krasniqi: Pasioni i për futbollin është i lidhur ngushtësisht me vëllain tim Blerimin. Dëshira ime për tu bërë futbollist lindi që më moshën 10 vjeçare duke parë vëllain tek luante futboll. Dhe me dëshirat e ëndrrat e një 10 vjeçari thosha se do të bëhem dhe unë si vëllai im. 

Sa ka ndikuar familja juaj në rrugën tuaj drejt futbollit? 

Blerim Krasniqi: Siç e thashë dhe pak më sipër familja ime sidomos babai im është personi i cili më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë. Falë përkushtimit dhe sakrificave që ka bërë familja ime dhe besimit në Zot karriera ime në futboll po ecën në rrugë të mbarë. Dhe përfitoj nga rasti që edhe këtu të falënderoj familjen time për mbështetjen dhe investimin që ka bërë mbi mua. 

Jeton Krasniqi: Familja zë një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit tim drejt futbollit. Janë ata që më mbështesin çdo ditë dhe më japin kuroja që të vazhdoj përpara. Gjithashtu vëllai im Blerimi duke qenë se është më i madh se unë më këshillon dhe më thotë që të punoj fort për të arritur rezultate sa më të larta. 

Cilat janë objektivat tuaj? A e synoni kombëtaren e madhe? 

Blerim Krasniqi: Përsa i përket objektivave unë duhet që të vazhdoj të punoj akoma më shumë dhe të jap maksimumin tim tek Skënderbeu dhe pastaj të shpresoj që të arrij edhe të Kombëtarja. 

Të luash për Shqipërinë është një ëndërr të cilin e ka çdo futbollist dhe unë nuk bëj përjashtim tek kjo pjesë. Të luaja për Kombëtaren do të ishte një ndër i madh për mua, gjë për të cilën un po punoj pa pushim, fort e më fort që një ditë të marr ftesën nga trajneri Panuçi për të qenë pjesë e saj. Kombëtarja është ëndrra ime më e madhe. 

Jeton Krasniqi: Natyrisht që objektivi im është që të arrij rezultate sa më ta larta dhe të bëj sa më shumë gola. Sigurisht që një ndër ëndrrat e mia më të mëdha është që të jem pjesë e Kombëtares së madhe. Shpresoj që një ditë falë punës të arrij të jem pjesë e Shqipërisë. 

Si e shihni Skënderbeun e këtij sezoni? 

Blerim Krasniqi: Skënderbeu i këtij sezoni më shumë është i përbërë nga mosha e re dhe kanë treguar të gjitha vlerat e tyre që janë pjesë e ekipit dhe do të vazhdojmë të synojmë gjithmonë kreun e renditjes. 

Ekipi ynë është i përbërë nga drejtues dhe futbollistë shumë të mirë që punojmë në grup për të arritur objektivat. 

Kamza ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes. A besoni se do të arrini që edhe këtë sezon të mbijetoni ne Superiore? 

Jeton Krasniqi: Për momentin ndihemi në vështirësi përsa i përket pikëve dhe vendit ku jemi në renditje. 

Por besoj se falë përkushtimit të djemve të skuadrës dhe drejtuesve të klubit në do t’ja arrijmë qëllimit që të shkojmë sa më lart. 

Cili mendoni se është më i mirë nga ju të dy në futboll? 

Blerim Krasniqi: Kjo është një pyetje e bukur për të cilën unë si vëllai më i madh më takon të them se nuk mundet që të vë shenja krahasimi me vëllam tim.

Por di të them që unë i uroj shumë fat dhe suksese vëllait tim që më cilësitë që i ka dhuruar Zoti dhe me punë të palodhur të bëhet edhe më mirë pasi e ka karrierën përpara. 

Jeton Krasniqi: Un besoj se vëllai është më mirë se unë falë përvojës që ai ka. Për mua është nder që të ndjek hapat dhe këshillat që ai me jep çdo ditë.

Related posts

KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE/ Tre pistat e kapitenit Insigne, rinovimi me Napolit tashmë duket “utopi”

Delo.autor

Krishtlindje ‘të hidhura’ te Interi, 2 mungesa për derbin ndaj Milanit

Q.Autor

E BUJSHME/ Barcelona kërkon ish yllin e Real Madrid

Delo.autor

Leave a Comment