Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

ÇUDITË E KOMBËTQARES PAS LISTËS/ Lojtarë që nuk luajnë, 9 mbrojtës për Andorrën dhe injorohet Superiorja

Lista e publikuar sot nga FSHF sa i përket përfaqësueses shqiptare ka bërë të ngrihen përsëri pikëpyetje të mëdha sa i përket përbërjes dhe emrave të përzgjedhur për të përfaqësuar fanellën kuqezi në fillimin e eliminatoreve të Euro 2020.

Nga mungesa e lojtarëve që luajnë dhe thirrja e atyre që nuk aktivizohen rregullisht, apo edhe mungesa e plotë e alternativave në sulm dhe injorimi i Superiores, ju rreshtojmë më poshtë disa nga problemet e listës për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës.

Mbrojtja

Si rrallëherë më parë, trajneri i përfaqësueses ka blinduar listën me lojtarë të mbrojtjes, duke grumbulluar 9 të tillë. Në listë janë 5 qendërmbrojtës, pak si shumë për çdo përfaqësuese që synon rezultate pozitive, me lojtarët e krahu të dubluar. Kur mendon se ndeshja e dytë është me Andorrën, e kupton lehtë se ka diçka që nuk shkon në mënyrën se si është planifikuar kjo listë…

Mesfusha

Nëse sheh listën e sotme, bie në sy se trajneri as që ka menduar për krahët e mesfushës. Abazaj dhe Uzuni duken dy alternativat e vetme ofensive që mund të luajnë rregullisht, ndërsa është injoruar Lenjani i cili po kalonte një formë të mirë në klub. Alternativa e vetme ofensive është Grezda, por ky i fundit nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të luajë në këto ndeshje për shkak të problemeve fizike.

Sulmi
Sadiku ose Balaj. Këto janë të vetmet alternativa që do të kemi në dispozicion për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës, shumë pak për një skuadër e cila hyn në eliminatore me objektivin për të luftuar ndaj Turqisë për të marrë pikë e sigurisht edhe ndaj Andorrës. Trajneri nuk ka marrë në konsideratë Manajn, Vrionin apo Gurin, të cilët mund të sillnin diçka ndryshe në lojën e ekipit për këto dy ndeshje në fazën ofensive.

Ftohen ata që nuk luajnë
Nuk kuptohet se pse Panuçi ka një dëshirë të theksuar për të grumbulluar lojtarë të cilët nuk luajnë rregullisht me klubet e tyre, ndërsa ka të tjerë të cilët luajnë rregullisht që nuk kanë vend. Shembulli konkret është ai i Andi Lilës, i cili në pjesën e dytë të sezonit është kthyer në lojtar stoli te PAS Janina. Mesfushori i kombëtares nuk luan në klub që nga data 16 shkurt, që do të thotë se po mbush muajin pa zbritur në fushën e lojës, ndërsa emra si Ndoj e Bare po luajnë me rregullsi dhe cilësohen ndër më të spikaturit në kampionatet përkatëse. Edhe Binaku ka luajtur vetëm 90 minuta në vitin 2019, më 17 shkurt në Kupën e Suedisë e sigurisht nuk mund të jetë në formën më të mirë, ashtu si Grezda i cili nuk ka prekur ende fushën këtë vit.

Mungon Superiorja
Panuçi zakonisht ia faturon Ervin Bulkut mungesën e lojtarëve cilësorë nga Superiorja në Kombëtare por duket qartësisht se trajneri as që e sheh kampionatin tonë të paktën si burim për “alternativa” ndaj “legjionarëve” që ka në dispozicion. Siç shihet në listë, ka emra që nuk luajnë me klubet e tyre dhe që shumë mirë mund të ishin zëvendësuar nga futbollistë të spikatur nga kampionati shqiptar. Panuçi ka shprehur publikisht pëlqimin për disa futbollistë nga Superiorja, por kur shkon puna të përpilimi i listës, as që i merr në konsideratë, një “vlerësim” i dukshëm për futbollin në vendin tonë.

Related posts

E PAZAKONTË/ U zhduk nga “Fshati Olimpik” për një jetë më të mirë, mësohet fati i sportistit nga Uganda

Delo.autor

PARA NDESHJES NDAJ “DEMAVE”/ Trajneri i Sherif Tiraspol: Kualifikimi është një detyrim për…

Delo.autor

SUPER SKANDALI/ Mjekët VJEDHIN të dhënat mjekësore të Ferguson, do shkojnë në…

Isa.Autor

Leave a Comment