Futboll Sport

E ÇUDITSHME/ Ja shteti me fabrikën e sulmuesve më të kompletuar në planet

Polonia ka aktualisht një prej reparteve sulmues më të frikshëm në futbollin europian, në mos në botë.

Deri para pak vitesh Polonia me zor prodhonte ndonjë sulmues mesatar, derisa doli në skenë Robert Lewandowski.

Natyrisht, ciklet në futboll kanë një kohëzgjatje të caktuar dhe nuk mund të mos ngrihej pyetja se çfarë do të ndodhë kur Lewandowski të afrohet me fundin e karrierës dhe t’i thotë lamtumirë kombëtares.

Disa futbollistë, si Claudio Pizarro për Perunë, apo Eidur Gudjohnsen për Islandën, kanë luajtur deri afër moshës 40 vjeç edhe për kombëtaren, por në rastin e Lewandowski-t nuk ka arsye për t’u shqetësuar, sepse nuk do të jetë e nevojshme që Polonia t’i lutet për të vijuar aq gjatë.

Përkundrazi, ylli i Bayern-it që tani nuk e ka të garantuar vendin e titullarit në kombëtare, sepse Krzysztof Piatek e Arkadiusz Milik janë duke shkëlqyer në ekipet përkatëse, duke vënë në vështirësi të mëdha trajnerin e Polonisë, Jerzy Brzeczek.

Pyetja e madhe në këtë moment është një: si ka munduar Polonia të kthehet në një fabrikë të madhe sulmuesish perfektë?

Robert Lewandowski 

Një shënues tradicional në kuptimin e plotë të fjalës, Lewandowski është futbollisti që ndoshta i afrohet më shumë se kushdo përkufizimit të sulmuesit perfekt në futboll.

Një lojtar i pajisur me një vizion të jashtëzakonshëm loje dhe instinkt “vrasës” në zonën kundërshtare, 30-vjeçari nuk është thjesht një lojtar që shtyn topin në rrjetë, por një numër 9 tipik.

Te Bayern Lewandowski luan si sulmues i vetëm, një rol të cilin e kryen me efikasitet të madh, duke vënë nën presion të madh mbrojtësit kundërshtarë dhe duke krijuar shumë hapësira për shokët e skuadrës nga pas.

Tre herë shënuesi më i mirë i Bundesligës, Lewa ka shënuar pa fund në karrierë, nga Znicz Pruszkoë e Lech Poznan, tek Dortmund e Bayern. Në të gjitha aspektet, Lewandowski është mbreti i Bundesligës, sepse asnjë lojtar tjetër këtë sezon nuk ka tentuar më shumë gjuajtje (101), shënuar më shumë gola (17), ka gjuajtur më shumë me kokë (22), ka konvertuar në gol më shumë shanse (16/) dhe mbi të gjitha ka prekur më shumë se Levandovski topin brenda zone (217).

Nuk mbaron këtu, sepse asnjë sulmues nuk ka dhënë më shumë asiste (7) se Lewandowski, i cili ka treguar se nuk mendon vetëm për vete.

Arkadiusz Milik

Pas Lewandowskit, Milik është zgjedhja e preferuar për të udhëhequr sulmin e Polonisë, ndërkohë që shpesh trajneri Brzeczek i hedh të dy në fushë nga minuta e parë. Natyrisht, edhe Piatek po rritet me shpejtësi, por Milik ka më shumë vite në nivele të larta dhe mbi të gjitha është një lojtar që luan në disa pozicione në sulm.

Një dëmtim i rëndë pas transferimit te Napoli e la për një sezon jashtë, pas transferimit të bujshëm nga Ajax, por këtë sezon polaku është kthyer në nivelin e vet më të mirë dhe po shkëlqen si sulmues kryesor, por edhe si anësor ofensiv apo sulmues i dytë.

Me 15 gola në Serinë A, me një mesatare 0.9 gola për ndeshje, Milik është më laert se Fabio Quagliarella e Cristiano Ronaldo për sa i përket përqindjes së shënimit të golave. Edhe në drejtime të tjera Milik është i shkëlqyer, por mbi të gjitha bie në sy fakti që ka një satësi gjuajtjeje 56.92% dhe ka një përqindje realizimi fantastike, duke kthyer në gol 23.08% të shanseve që i jepen.

Krzysztof Piatek

Piatekkompleton triumviratin e tmerrshëm polak dhe është zbulimi i madh i sezonit në gjithë Europën, sepse brenda pak muajsh ka kaluar nga futbolli polak te Genoa dhe prej janarit te Milani, duke shënuar me një rregullsi habitëse.

Pikërisht rendimenti i shkëlqyer te Milani ka bindur edhe më skeptikët se 23-vjeçari nuk është “flakë kashte” dhe është gati të luajë në nivelet më të larta, duke u konsideruar një fotokopje e Lewandowski-t për lehtësinë e gjetjes së golit dhe për nga lëvizjet në zonën kundërshtare.

Edhe më impresionues është fakti se Piatek ka shënuar një mal me gola duke pasur një numër të kufizuar rastesh për shënim, pasi ndryshe nga Bayern-i, Genoa e Milani nuk është se krijojnë volum të jashtëzakonshëm loje në zonën kundërshtare.

Te Milani tashmë e krahasojnë me legjendarin Andriy Shevchenko dhe mjafton kaq për të kuptuar çfarë niveli ka arritur Piatek.

Është e vështirë për çdo trajner në botë të manovrojë duke pasur në dispozicion sulmuesit që ka Polonia, por duke parë moshën e Lewa, Milik e Piatek (30, 25 e 23), është e sigurt që Polonia është e bekuar me të paktën një sulmues numër 9 të klasit botëror për dekadën e ardhshme.

Related posts

SUPER EGNATIA/ Apolonia “befasohet” në shtëpi, fierakët afër “zonës së ftohtë”

Isa.Autor

VIDEO/ Monaco ka kaluar në avantazh kundër Dijon. Ja goli

Q.Autor

PRAPASKENAT E MERKATOS/ Teuta, Partizani dhe Bylisi në duel, portieri 22-vjeçar pritet të firmosë me…

Delo.autor

Leave a Comment