Futboll La Liga Sport

“HARRON” DISFATËN E MESJAVËS/ Solari: Ndaj Barcelonës do të jetë një tjetër histori…

Santiago Solari foli për “El Clasico”, atë të së mërkurës dhe tjetrën, që do të luhet të shtunën. Trajneri argjentinas siguroi se Isco është midis atyre lojtarëve, që do të ketë në dispozicion: Ne jemi sërish në këmbë, na duhen pikët. Kalendari na vendos kundër të njëjtit kundërshtar brenda pak ditëve. Do të përballemi me Barcelonën me gjithë entuziasmin e duhur, duke u përpjekur për të përmirësuar ato gjëra që nuk i bëmë mirë në mesjavë.

Do të jetë tjetër histori. Ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, jo atë që humbëm të mërkurën. Kjo është sërish “El Clasico”, por një sfidë krejt tjetër. Vinicius? Unë e vlerësoj për çdo gjë pozitive që bën. Ai ka shumë talent, por edhe një aftësi tjetër: i hap mirë veshët për të dëgjuar këshillat dhe kritikat.

Më habit me cilësinë e sakrificën, por edhe dëshirën për të mësuar. Nuk e vuan fare presionin. Ka arritur aq shumë, në kaq pak kohë. Përmirësimi i tij mund të vazhdojë, por më pëlqen të përqendrohem në ato gjëra të mira që ka demonstruar. Isco? Ai ishte 18 ditë i lënduar. Ka 4, ose 5 ditë, që është me grupin. Po stërvitet mirë dhe është në dispozicion, kjo ka rëndësi. 

Mungesa e finalizimit? Ne kemi shënuar gola, përveç në ndeshjen e fundit. Një lojë nuk i ngjan tjetrës. Ne kemi dhënë gjithçka të mërkurën, por nuk u shpërblyem. Pavarësisht se do të kemi sërish përballë Barcelonën, pres një ndeshje tjetër. Shoh dëshirë të madhe te lojtarët për të fituar.

Penalizimi i Ramos? Nuk do ta vlerësoj këtë gjë sot, sepse kemi përpara një ndeshje të La Liga-s. Të hënën do të bisedojmë për këtë. Isco, Bale, Marcelo…? Ata janë ende të rëndësishëm. Bale ka luajtur çdo ndeshje, që kur është kthyer nga lëndimi dhe po shënon gola. Ai e bëri këtë edhe në Botërorin e Klubeve, si në finalen e Ligës së Kampionëve, sezonin e shkuar.

Ne të gjithë e dimë se çfarë do të thotë Marcelo për Real Madridin. Të gjithë janë të rëndësishëm, jo vetëm ata lojtarë, që i fillojnë ndeshjet si titullarë. Nëntë ndeshje pa shënuar dot gol, pesë me mua trajner? Puna ime është ajo e trajnerit, jo e analistit. Ne punojmë fort në ato pika, ku duhet të përmirësohemi”.

Related posts

QËNDROI TRE MUAJ LARG FUSHAVE/ Rikuperohet nga dëmtimi mesfushori i Kombëtares…

Delo.autor

TIFOZËT GODITËN NË KOKË POLICIN/ Ndeshja rrezikoi të kthehej në tragjedi (VIDEO)

Delo.autor

E BUJSHME NË MERKATON E VERËS/ Juventus i ofron “Djajve të Kuq” tre lojtarë në shkëmbim të Pogba, ja emrat

Delo.autor

Leave a Comment