Kombëtarja Shqipëri Sport

HISTORIA SULMUESIT SHKODRAN/ Ja si Hamdi Salihi ndërtoi karrierën e tij për ta pasur zili

Në Shkodër kur duan të bekojnë një futbollist të ri e urojnë: “U bëfsh si Hamdi Salihi!”. Sulmuesi shkodran është një ndër krenaritë e qytetit verior jo vetëm për faktin se ka arritur të ndërtojë një karrierë që ia kanë zili shumë futbollistë, por më shumë prej nisjes së karrierës së tij sportive.

Salihi ishte një djalosh i zakonshëm, fare i zakonshëm në mesin e shokëve të tjerë që i kishte në ekip. Ai ishte dhe më i dobët se të tjerët, por ndryshe nga të gjithë kishte një vullnet të hekurt dhe një qëllim të qartë, donte të bëhej futbollist me patjetër. Kur shokët e tij të ekipit filluan të habiteshin pas “qejfeve të moshës”, bënin stërvitjen dhe aq, Salihi punonte më fort se të gjithë.

Rrugica e lagjes ishte “stadiumi i tij” më i dashur, pasi mjaftonin dy gurë dhe gjithçka ishte përfekte. Aty ushtrohej me orë të tëra derisa prindërit i bërtisnin se duhej të kryente detyrat e shkollës. Fjalë pak dhe punë shumë, Salihi rriti nivelin e tij dhe u kthye shumë shpejt në një nga djemtë më të talentuar të Shqipërisë.

Pikasi me moshat e Vllaznisë dhe u ftua dhe nga kombëtarja. Shkodrani arriti të debutonte me kuqeblutë, fanellën e tij të zemrës në vitin 2002, aty ku luajti për 2 sezone. Ai la Vllazninë në vitin 2004 me 55 ndeshje të luajtura dhe 30 gola të shënuar. E vetmja herë kur përfaqësoi qytetin e tij, një peng në karrierë që nuk ngriti një trofe me shkodranët.

Salihi kërkoi fatin në Greqi, por tek ekipi i Panionosit nuk gjeti asnjë mundësi reale. U detyrua të rikthehej në Shqipëri ku pikasi me Tiranën. Dy vite të luajtura me bardheblutë ku realizoi 42 gola në 52 ndeshje të luajtura. Shifra të frikshme të përkthyera në fitimin e kampionatit, kupës dhe dy superkupave. Ried “e grabiti” në Austri dhe Salihi vazhdoi gjuetinë e tij të golave, për të kaluar më pas te Rapidi i Vjenës. Ai u kthye në golashënuesin më të mirë të skuadrës dhe njeriun lider të austriakëve.

Pas 5 viteve në Austri, u nis drejt ëndrrës amerikane. Salihi firmosi për DC United duke zbuluar ndër të parët “thesarin” amerikan. Një sezon dhe arriti të linte shenjën e tij si duhet, pasi me 6 golat e tij në valixhe u nis drejt një tjetër horizonti të ri, Kinës. Jiangsu Suning e afroi shqiptarin për të qenë lideri i ekipit. Shkodrani nuk zhgënjeu me 9 gola në 28 ndeshje në kampionat dhe 2 realizimi në Champions Leaguen aziatike. Salihi ishte “ujk goli”.

Izraeli ishte destinacioni i radhës për të, aty ku në dy vite luajti për Hapoel Acren dhe Haifen, gola në çdo sezon. Pas një udhëtimi të gjatë, shqiptari mendoi të ankorohej dhe njëherë në Shqipëri me shpresën e mirë se do të shihte diçka ndryshe. Luajti me Skënderbeun duke kampionatin, duke qenë golashënues dhe lojtar i vitit. Pjesëmarrja në Europë ishte një tjetër sukses, pasi me 5 gola në 5 ndeshje, Salihi i siguroi pjesëmarrjen në grupet e Europa Leagues ekipit korçar. Largimi nga Shqipëria? Si mos më keq. Ai përjetoi ndeshjen më të çuditshme të karrierës në Kukës, ku Skënderbeu nuk arriti të shpallej kampion. Ndeshje që mbetet në memorien e të gjithëve, sidomos të Enea Jorgjit, kur shkodrani i flaku kartonin e kuq të ndarë në copa.

Dashuria për futbollin nuk mund të ndërpritej dhe sulmuesi nuk u ndal. Shkodrani gjeti veten në kategorinë e dytë austriake me ekipin e Wiener Neustadt. Nuk qëndroi për të mbyllur karrierën dhe për të rënë në paqe, por për t’iu treguar të gjithëve se “ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron”. 33 ndeshje, 22 gola, çmenduri për një 34-vjeçar! Këtë sezon, Salihi ka luajtur në 15 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola, por me kaq i ka dhënë fund karrierës së tij!

Krenaria më e madhe e çdo futbollisti është kombëtarja dhe Salihi është i mbushur dhe nga kjo pjesë, pasi ka qenë lideri i sulmit të ekipit kuqezi. Na ka bërë të ëndërrojmë shumë herë me golat e jashtëzakonshëm, nuk harrohet goli ndaj Norvegjisë e natyrisht roveshatat e shkodranit. Pengu më i madh? De Biasi nuk e mori në “Euro2016”, e meritonte, më shumë se ndoshta disa të tjerë!
50 herë e ka veshur shkodrani atë fanellë dhe ka dërguar 11 herë topin në rrjetë. Karriera e tij është shumë e përmbushur në të gjitha drejtimet dhe Salihi ka arritur që të shënojë emrin e tij me gërma të arta në ekipet që ka luajtur, pasi të lësh një trashegimi prej 275 golave nuk është pak! Faleminderit Hamdi, me fat që të shijuam!

Related posts

SURPRIZA PAFUND/ Dy miqësoret me Maltën, Alban Bushi publikon listën e lojtarëve (FOTO)

Isa.Autor

U shfaq me një “LOOK” të ri/ Ja çfarë thotë Ronaldo për mjekrën e tij…

Isa.Autor

Milan pranë huazimit të lojtarit të Real Madrid

Sadik.Autor

Leave a Comment