Futboll Sport

PARA NDESHJES NDAJ SERBISË/ Joachim Low: Nëse luan në kualifikueset me një skuadër të re, atëherë…

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka folur në prag të ndeshjes së sotme me Serbinë, që do të zhvillohet ditën e sotme në Volfsburg. Tekniku i “Pancerave” beson te një sukses me serbët dhe është gati edhe të rrezikojë duke bërë eksperimente me lojtarët e rinj.

Si e prisni ndeshjen me Serbinë?

Duam të luajmë një ndeshje ndryshe nga ato të kaluarat, teknikisht dhe taktikisht. Lojtarët e rinj që do të zbresin në fushë duhet të ndiejnë të gjithë besimin tonë. Ata duhet të rriten me përgjegjësitë që sjell fanella e kombëtares. Do të kenë të gjithë kohën e nevojshme për t’u përshtatur dhe rritur si lojtarë. Serbia është një kundërshtar i vështirë që luan fort.

Çfarë ndryshimi taktik do të kryeni?

Kimish do ta nisë lojën si mesfushor qendre. Ai ka luajtur edhe në Ligën e Kombeve në këtë pozicion duke bashkëpunuar mirë me Kros, Goreckën dhe Gyndoan. Kemi luajtur me tre dhe me katër në mesfushë, duke ndërruar pozicionet e lojtarëve. Skuadra duhet të ketë më shumë se dy module në fushë. Kur kemi luajtur të organizuar, nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Ajo që duhet të përmirësojmë, është që të mbrohemi mirë pasi të humbim topin. Duhet gjithashtu të përmirësohemi në goditjet standarde dhe në lojën e shpejtë në sulm. Nuk ka rëndësi se me çfarë moduli do të luajmë, rëndësi ka që të jemi të shpejtë në veprimet me top dhe pa të. Në ndeshjet ndaj Francës, Holandës dhe Rusisë pashë disa momente të mira.

Si do të rreshtoheni?

Gnabri nuk është stërvitur me skuadrën duke kryer seanca individuale. Vështirë që ai të jetë në fushën e lojës. Për ndeshjen ndaj Holandës besoj se ai do të jetë gati. Se kush do të jetë në portë, ende nuk e kemi vendosur. Në mbrojtje është e qartë që Zyle dhe Rydiger do të kenë një rol të rëndësishëm, ata kanë eksperiencën e duhur në ndeshje të tilla.

Sane është rikthyer në skuadër, sa besim keni tek ai?

Ai është rritur shumë, sidomos me skuadrën e Sitit. Ajo që më intereson më shumë është fakti që ka bërë një hap përpara në lojën me skuadrën kombëtare. Aftësitë e tij janë të padiskutueshme dhe për këtë kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm. Leroi është një lojtar që në të ardhmen mund të shkruajë historinë me Gjermaninë.

Është rikthyer edhe Rojs, një armë më shumë për ju?

Marko po kalon një formë shumë të mirë me Borusian në kampionat. Ai është një lider me skuadrën verdhezi. Mungesa e tij ka qenë shumë penalizuese në ndeshjet e kaluara, na ka munguar jo pak.

Ka skuadra presion rezultatesh?

Nëse luan në kualifikueset me një skuadër të re, atëherë rrezikon jo pak. Nuk e di kurrë se si do të funksionojnë gjërat dhe sa shpejt do të vijnë rezultatet e kërkuara. Unë jam i bindur që lojtarët që do të jenë në fushë kanë cilësitë e duhura për të bërë mirë, ndaj po rrezikoj jo pak.

Si po shkojnë përgatitjet për kualifikueset?

Duam t’i përgatisim të gjithë për ndeshjen me Holandën. Ajo është sfida jonë më e rëndësishme. Ndaj Serbisë duhet të nxehim motorët dhe të luajmë lojën tonë. Sfida e nesërme (sotme) është shumë e rëndësishme për ne. Para takimit do të ulem të flas me lojtarët për t’i përcjellë atyre idetë e mia.

Related posts

MOTI I KEQ/ Pogradeci i mbuluar nga dëbora, shikoni çfarë ndodh në stadiumin “Gjorgji Kyçyky” (VIDEO)

Delo.autor

NËSE ALLEGRI LARGOHET/ Juventus ka gati rikthimin e madh në pankinën bardhezi

F.autor

Ish-kapiteni Sina: Vendosja e mbrojtësve te goli i Skënderbeut ishte katastrofike, ja problemi i madh i Tiranës

Isa.Autor

Leave a Comment