Futboll Kategoria Superiore Sport

PAS PREZANTIMIT TEK VLLAZNIA/ Canaj: Me këtë ekip do të arrijmë objektivin tonë, mendoj se…

Agim Canaj merr zyrtarisht drejtimin e Vllaznisë. Trajneri është prezantuar dje paradite në krye të pankinës dhe në daljen e tij të parë përpara mediave nuk ka ngurruar që të zbulojë se rikthimi në Shkodër ishte një dëshirë e vjetër.

Duket se marrëveshja me klubin është e qartë: ai do të mbyllë këtë sezon dhe vetëm më pas mund të flitet për një rinovim. Hapur e thotë se Kategoria Superiore ka ndalur frymën pa kuqeblutë, por tregohet i sinqertë kur sqaron se rikthimi te trofetë kërkon një projekt të mirëmenduar dhe një buxhet të shëndetshëm financiar.

Ktheheni për të tretën herë në Shkodër, si ndiheni?

Kjo është një dëshirë e kahershme e imja. Asnjëherë nuk i kam thënë “jo” Vllaznisë, sa herë që ajo ka pasur nevojë për mua. Mendoj se Shkodra është një nga qytetet ku unë jam ndier shumë mirë si trajner, edhe në marrëdhëniet me njerëzit. Kështu që, pse jo, edhe kësaj radhe e pranova pa kushte në aspektin profesional, jo nga situata ku ndodhet Vllaznia, sepse e kam marrë atë në dy situata më ndryshme, një herë për kampion dhe herën tjetër në një situatë më të vështirë. Tashmë është një moment që skuadra duhet të konsolidohet, sepse Vllaznia nuk e meriton të luajë në këtë kategori sepse është një perlë e futbollit Shqiptar dhe pa të Superiorja ka ndalur frymën.

Me këtë kontingjent dhe rezultatet e arritura deri më tani, mendoni se Vllaznia e ka siguruar kalimin në Kategorinë Superiore?

Në fjalët e para që u thashë lojtarëve ua bëra të qartë se asgjë nuk është arritur dhe ajo që është më kryesorja edhe pas këtij pushimi të kampionatit, nuk duhet të mendojmë se gjërat kanë mbaruar. Unë marr një punë të lënë nga miku im Hasan Lika, i cili e ka bërë shkëlqyer, por na duhet të punojmë edhe më shumë. Çdo gjë arrihet me punë dhe unë jam i gatshëm të vë në dispozicion gjithë përvojën time për të arritur objektivin kryesor, daljen në elitë.

Para se të merrnit postin, a keni komunikuar me ishtrajnerin Hasan Lika?

Kam komunikuar dje (pardje) me Hasan Likën, sepse pikërisht të hënën u konkretizua edhe marrëveshja ime me Vllazninë. Më priti me shumë kënaqësi, folëm gjatë sepse nesër ai niset për në Amerikë. Në fakt, edhe më përpara kam folur me Hasanin sepse unë e kam mik prej shumë kohësh, që në fillesat tona si futbollistë së pari, e më pas edhe si trajnerë. Fjala e parë që unë u thashë lojtarëve ishte ajo se asgjë nuk është arritur. Unë po nis një punë që u la në mes prej një trajneri shumë të mirë dhe më mbetet për detyrë që ta mbyll me sukses.

E keni ndjekur Vllazninë gjatë këtij sezoni?

E kam ndjekur në disa ndeshje dhe kam fatin e mirë se në skuadër kam disa futbollistë, të cilët i kam pasur edhe dy herët e kaluara kur kam drejtuar Vllazninë. Do kem edhe mbështetjen e drejtuesve që kanë bërë një punë shumë të mirë dhe mendoj se së bashku do të arrijmë objektivin tonë, fillimisht për t’u ngjitur në Superiore dhe më pas, për të arritur edhe pikën kulmore, fitimin e Kupës.

Do të ketë ndryshime ekipi pas rikthimit në Kategorinë Superiore?

Unë kam ardhur në këto momente për të vazhduar punën e lënë përgjysmë nga tekniku Lika. Më vonë do të ulemi dhe do të flasim për të ardhmen e ekipit.

Keni ardhur për një plan afatgjatë?

Kjo nuk i dihet.

Ndeshja e kësaj fundjave duket e vështirë…

Normale, çdo ndeshje është e vështirë. Besëlidhja është një skuadër me traditë, por unë di të them se ne duhet që të realizojmë objektivin e ndeshjes më të afërt për të marrë sërish maksimumin.

Mund të shpresojmë që në një të ardhme Vllaznia të shpallet kampione ose minimalisht të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Europës?

Këto nuk sillen me një ditë. Duhet shumë punë. Të flasësh për një të ardhme, duhen disa piketa, në radhë të parë duhet buxheti. Ne po shohim ekipe në Superiore që kanë buxhet dhe janë të hapur objektivat për titullin kampion.

Në këtë klub keni gjetur një nga ish-lojtarët tuaj, Suad Licin. Si e shikoni këtë bashkëpunim?

Unë mendoj se deri tani Suad Lici ka bërë një punë të mirë në drejtim të skuadrës dhe shpresoj se në vazhdimësi çdo gjë të jetë në të mirë të Vllaznisë. Kushdo qoftë, Canaj apo dikush tjetër.

Miku juaj Lika duhet t’ju ketë treguar për presionet, kërcënimet apo ndërhyrjet që ndodhin te Vllaznia… Si do u bëni ballë?

Të them të drejtën, nuk kam folur me Hasanin për asgjë nga këto që ju më thoni. Për mua është hera e tretë që vij këtu në Shkodër dhe asnjëherë nuk kam pasur kërcënime. Njeriu kur është korrekt në punë me të gjithë njerëzit dhe i jep hakun kujtdo, nuk ka as probleme. Unë kam dalë lirshëm në qytet dhe do të vijoj që të dal lirshëm. Mendoj se do të bëj gjënë e duhur, sepse në fund të fundit ky është futbolli. Do t’i jap hakun gjithsecilit. Pastaj, të gjithë e dinë dhe e njohin kush është figura e Agim Canajt.

Related posts

DIKUR LUANTE PËR MILANIN/ I etiketuar si TALENT, sot bën DJ dhe ka lënë…

Isa.Autor

GAROI NË OLIMPIADËN “LONDËR 2012″/ Vrau të fejuarën për Shën Valentin, Pistorius drejt lirisë me kusht pas 6 vitesh burg

Delo.autor

Mundën NAPOLIN/ Quagliarella shënon me finte golin e vitit në Itali (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment