Futboll

RRUGËTIMI I KOMBËTARES “KUQEZI” NË “EURO 2020″/ Astrit Hafizi: Duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, askush nuk…

Kjo e premte shënon fillimin e rrugëtimit zyrtar të ekipit tonë kombëtar të futbollit, për në Kampionatin Europian të futbollit të vitit 2020.

Shqipëria është pjesë e grupit H të fazës së kualifikueseve, bashkë me Francën, Turqinë, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën. Përballjen e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Christian Panucci e kanë me Turqinë.

Rrugëtimin e kuqezinjve, profesor Hafizi e quajti të paparashikueshëm, duke mos dashur ta quajë as të vështirë dhe as të lehtë. “Historia ka treguar se në ekipin tonë kombëtar shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç janë parashikuar: ose jemi mundur në ndeshjet kur kemi qenë shumë në formë për t’i fituar, ose kemi fituar në një takim që mund të mos e prisnim”, tha Hafizi.

Ai solli në kujtesë ecurinë e pak muajve më parë, në Ligën e Kombeve (Nations League), kompeticioni më i ri i UEFA-s në rang kombëtaresh, ku pavarësisht se shqiptarët prisnin shumë nga Shqipëria, kuqezinjtë nuk shkuan më larg sesa vendi i tretë në një grup me po kaq skuadra, përfshi Izraelin e Skocinë. Pikërisht për këtë arsye, Hafizi preferon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe t’ia lerë kohës analizat sesi do të shkojnë gjërat.

Pas epokës “De Biasi”, kombëtarja është përballur me një lloj sfide për konfigurimin e saj, e veçanërisht për mënyrën e lojës; nëse do të luajë në mbrojtje, apo do të hidhet në sulm. Sipas Hafizit, gjërat janë ende shumë të paqarta dhe ekipi kuqezi nuk e ka ende të strukturuar filozofinë e saj të lojës.

“Shumë gjëra çalojnë, që nga mënyra e grumbullimit të lojtarëve e deri te mënyra e lojës. Vërtet Panucci i dha disa sinjale të mira në fillim, qoftë në ndeshjet e mbetura në grup gjatë kualifikueseve të kaluara, edhe pse ne u justifikuam me vështirësinë e kundërshtarëve, qoftë edhe në disa miqësore pasuese. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet në vijim. E mbështeta kur donte të ndryshonte fokusin e lojës, të na impononte një lojë më sulmuese, por vura re se shumë gjëra i kishte të paqarta”

Duke shprehur opinionin e tij, Zoti Hafizi dyshon se Panucci nuk i njeh shumë mirë lojtarin.

“Pas cedimit edhe të objektivave në Ligën e Kombeve, unë sot nuk e kam të qartë mënyrën sesi Panucci zgjedh lojtarët për grumbullim”, thotë Hafizi.

Në botën e futbollit, trajningu ka filozofi të ndryshme. Ka disa trajnerë që bëhen njësh me skuadrën, ka edhe të tjerë ruajnë distancën me futbollistët për shkak të autoritetit, por që arrijnë ta menaxhojnë situatën. A mund ta identifikojmë Panuccin me njërin prej këtyre?

“Në ekipin kombëtar ka pasur, ka dhe gjithmonë do të ketë probleme. Ndoshta me De Biasin është parë disi më dukshëm afrimiteti trajner-futbollist, ndërsa Panucci më duket disi i largët. E rëndësishme është që këto probleme të jenë të vogla. Ndoshta ky mund ta ketë nga tipi i tij, edhe si futbollist nuk ka qenë perfekt”, tha Hafizi, i cili veçoi mënyrën e sjelljes së tij dhe atë të komunikimit me skuadrën, duke mos arritur të bëjë për vete lojtarët. Hafizi shtoi se lojtarët në fushë luajnë për veten e tyre, por duhet me patjetër të japin sikur edhe 1% për trajnerin.

Tipin karrierist të Panuccit, Hafizi e krahasoi me atë të Simeones, por ndryshe nga tekniku italian, tek ai argjentinas sheh një lidhje shumë më të fortë me lojtarët.

Hafizi analizoi më pas grupin e Shqipërisë, ku ka rivalë edhe më të dobët sesa kuqezinjtë, janë Turqia e Islanda si rivalë të drejtpërdrejtë për kualifikimin, por është edhe një dominuese e futbollit botëror si Franca, kampione në fuqi pas “Rusi 2018”.

“Nëse krahasojmë futbollin turk me atë shqiptar, pothuajse në çdo aspekt ata janë më lart sesa ne, edhe pse shumica e lojtarëve të tyre luajnë në kampionatin vendas. Këtë e tregon edhe renditja e FIFA-s. Por, nëse shohim nivelin dhe atë që japin lojtarët në fushë, kanë paraqitur edhe ata dobësi, teksa nuk kanë mundur të kualifikohen në edicione të shumta të viteve të fundit, që prej vendit të 4-t në Kore-Japoni 2002. Ata janë më mirë sesa ne, pavarësisht se kanë zëvendësuar trajnerin Lucescu me Şenol Güneş, përkohësisht në krye, por kanë më shumë përvojë dhe eksperiencë”, tha më tej Hafizi.

Duke krahasuar lojtarët e të dyja kombëtareve, Hafizi theksoi se diferencën e bën fakti që turqit kanë lojtarë që luajnë vazhdimisht, disa prej tyre aktivizohen në Serie A të Italisë, ndërkohë që pjesa më e madhe e kuqezinjve tanë nuk luajnë vazhdimisht.

Disa prej lojtarëve që nuk kanë minuta në këmbë, siç thuhet në gjuhën e futbollit, janë lënë jashtë. Por jashtë ka mbetur edhe portieri Strakosha, që duket se përbën çështje vetëm për këtë rast, e ndoshta do të jetë e tejkaluar. Hafizi thotë se në shumë raste, Panucci nuk i përputh fjalët e tij me veprat, të paktën sa i përket grumbullimit të lojtarëve.

Sa i përket taktivave me të cilat do të zbresin në fushë kuqezinjtë, trajneri Panucci ka paralajmëruar një Shqipëri ndryshe. Ka veçuar atë 4-3-3, që do të thotë një futboll më ofensiv, e që në vazhdën e lojës mund të kthehet edhe në 4-5-1. Por a ka Shqipëria “këllqe” për të zhvilluar një futboll ofensiv?

“Pavarësisht skemave që përmenden, nuk besoj se do të jemi aq të prirur nga sulmi. Ne nuk kemi luajtur ndonjëherë me dy sulmues në fushë, as me De Biasin, edhe pse 4-3-3 është përmendur edhe atëherë, por që në fushë ka qenë një 4-5-1 i qartë, duke i dhënë më shumë rëndësi mbrojtjes dhe mesfushës. Megjithatë, ne kemi lojtarë që mund të luajnë me sytë nga sulmi, kanë shpejtësi dhe teknikën e duhur, por mendoj se gjithçka çalon te detyrat që iu ngarkohen. Ato dyshoj se anojnë më shumë nga mbrojtja sesa nga veprimet sulmuese. Përgjithësisht, loja sulmuese është më e vështirë për t’u aplikuar, ajo mbrojtëse më e lehtë. Është si ajo shprehja: për të shkatërruar është më e lehtë sesa për të ndërtuar”, tha Hafizi.

Por cilin repart veçon zoti Hafizi? Sot për sot, ish-trajneri thekson se mbrojtjen duhet ta kemi më mirë, sepse pikërisht lojtarët tanë mbrojtës janë ata që aktivizohen më tepër te skuadrat e tyre.

“Tek Hysaj, Gjimshiti e Veseli kemi më shumë pritshmëri, aty kemi më shumë kualitete, edhe pse kemi pasur shumë probleme harmonizimi dhe organizimi mbase”, tha ish-trajneri.

Në fund, pavarësisht dëshirave dhe problemeve që gjithnjë duhen tejkaluar, ajo që iu intereson sportdashësve shqiptarë të dëgjojnë është fakti nëse mundet kjo Shqipëri të tentojë kualifikimin. Hafizi tha se nuk ka shqiptar, e jo më tifoz futbolli apo trajner që nuk dëshiron që Shqipëria të kualifikohet, por theksoi se pritshmëritë i kemi paksa të nxituara. Për këtë, ai sugjeroi që të gjithë të tregohemi më të rezervuar. “Askush nuk futet në fushë për ta humbur ndeshjen, por për ta fituar atë. Por duhet të dijë sesi të qëndrojë me këmbë në tokë, të jetë i ekuilibruar gjatë ndeshjes dhe të japim maksimumin. Ne shpesh i humbim ekuilibrat mes reparteve gjatë ndeshjes, dalin prej tyre dhe hutohemi”, tha Hafizi.

“Euro 2016” ishte arritja më e madhe e kuqezinjve, me kualifikimin në Francë. Por për Hafizin, nëse tregohemi realistë, edhe asokohe nuk ishim më të mirë sesa Serbia apo Danimarka. “Ndodhën disa situata që ne i shfrytëzuam shumë mirë dhe u kualifikuam. Fati sigurisht që duhet dhe duhet ta kemi pas vetes, por nëse presim vetëm te fati, atëherë gabojmë. Fati të vjen njëherë në ndihmë, pastaj duhet ta kërkosh ti. Nëse do të pretendojmë që të gabojnë Turqia e Islanda, që ne të dalim pas Francës, kështu gabojmë”, deklaroi Hafizi.

Related posts

THA SE DONTE TË SHIKONTE AJAXIN FENOMENAL NDAJ JUVENTUSIT/ Gazetari i famshëm “masakrohet” në Itali

Delo.autor

Marotta harron penalltinë e eliminimit: Real Madridi, skuadra më e fortë në botë

Sadik.Autor

Pasojat e rënies nga Kategoria/ Administratori i klubit të Vllaznisë jep dorëheqjen

Sadik.Autor

Leave a Comment