Futboll Kategoria Superiore Sport

TIRANA-PARTIZANI/ Barazim pa gola, spektakli i vërtetë ndodh në tribunë (VIDEO)

Tirana dominon dhe shpërdoron, Partizani fiton një pikë.

Kjo mund të jetë përmbledhja e derbit të luajtur pasditen e sotme mes Tiranës dhe Partizanit në “Selman  Stërmasi”. Bardheblutë, në fakt, kanë shkuar disa herë afër golit, por janë ndalur nga pasaktësia ose nga Alban Hoxha.

Pritja spektakolare e numrit 12-të të “demave” ndaj goditjes me kokë të Ngoo në minutën e 24-t ka qenë një nga momentet më të bukura të ndeshjes. Gjashtë minuta më mbrapa, sulmuesi i bardhebluve ka shpërdoruar një tjetër rast të pastër, duke e dërguar topin në duart e Hoxhës.

Pjesa e dytë ka filluar me protestat e lojtarëve të Tiranës, të cilët kanë kërkuar një faull në hyrje të zonës së rreptësisë të Telushit ndaj Cobbina-së, por arbitri Jorgji ka lënë lojën të vazhdojë.

Në minutën  e 55-të derbi është ndërprerë pas një dëmtimi të Hektor Idrizit, i cili ka qenë i detyruar të largohet me ambulancë nga fusha e lojës pas një përplasje me Kërçikun. Në vendin e tij është futur Kalari. Derbi është ndalur përsëri në minutën e 61-të për shkak të tymuesve të hedhur në fushën e lojës nga të dyja tifozeritë.

Rasti i parë i rrezikshëm i Partizanit ka ardhur në minutën  e 74-t, kur Turtulli ka rrezikuar të shënojë një gol në portën e tij. Gjashtë minuta më vonë ka qenë Telushi që ka shkuar shumë afër golit për “Të Kuqtë”, duke goditur shtyllën me një goditje të bukur nga jashtë zonës. Bardheblutë janë kundërpërgjigjur në të 92-ën me Hoxhallarin, që nuk ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë me portën e boshatisur pas një goditje dënimi të Hasanit.

Mbyllet në barazim derbi, të cilit i mungoi vetëm goli.

Një rezultat që i bën më shumë punë “Të Kuqve”, të cilët kryesojnë kampionatin me nëntë pikë avantazh ndaj Kukësit të vendit të dytë, por që ka një ndeshje më pak.

Vazhdon mallkimi për Tiranën që nuk fiton një derbi në kampionatin shqiptar që nga 7 shkurti i 2014-ës. Gjithsesi, bardheblutë duhet të ndihen të kënaqur me këtë barazim, duke parë se katër ndeshjet e fundit të kampionatit janë fituar të gjitha nga Partizani. Skuadra e Memës mban vendin e shtatë me 29 pikë.

TIRANA-PARTIZANI 0-0

Tirana: Abibi, Hoxhallari, Imami, Turtulli, Kërçiku, Maveje, Karabeci,  Hasani, Cobbina (Doka 73′), Greca, Ngoo.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Idrizaj (Kalari 55′), Atanda, Duka (Rexhepi 46′), Telushi, Mala, Mensah (Hebaj 68′), Asani, Bardhi.

Gjyqtar: E. Jorgji

Kartonë të verdhë: Hoxhallari, Ngoo, Turtulli/Duka, Rexhepi, Kalari, Atanda

Related posts

Ibrahimoviç “Zot” në Amerikë, tjetër super gol ndaj ekipit të Hykës (VIDEO)

Sadik.Autor

HUMBJA NDAJ INTER/ Takim rrufe, Florentino Perez në Itali për t’u takuar me Agnelli

Delo.autor

LAÇI GATI PËR TË BËRË HISTORINË NË EUROPA LEAGUE/ Ja futbollistë që do të jenë në dispozicion të Cungut për sfidën ndaj Hapoel

Delo.autor

Leave a Comment